Aktualitet

VOA për zhvillimet në PD: Ashpërsohen tonet, e paqartë zgjidhja














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:39 - 11/11/21 |
mapo.al

Në Shqipëri, ish udhëheqësi i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe mbështetësit e tij dorëzuan mbrëmjen e së mërkurës, 4200 firmat që ata deklaruan se janë mbledhur për të kërkuar thirrjen e Kuvendit kombëtar të kësaj partie. Ato u depozituan më pas në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka. I menjëhershëm ishte reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, sipas të cilit “Sali Berisha ka luajtur një bllof të madh me demokratët” dhe se nuk ka arritur të mbledhë firmat e nevojshme të cilat sipas tij do të duhej të depozitoheshin në zyrën e tij, si funksionari i ngarkuar me organizmin e partisë.






Mbi tryezën e një konference shtypi të mbajtur në mbrëmje, zoti Berisha kishte disa pirgje me shkresa të cilat siç deklaroi ishin formularët e e firmosur nga 4200 delegatëve të Kuvendit kombëtar të Partisë Demokratike.


Statuti i Partisë Demokratike, parashikon mundësinë që Kuvendi i saj kombëtar mund të mblidhet me kërkesë të një të katërtës së anëtarëve të tij. Në Kuvendin e mbledhur pak muaj më parë, zyrtarë të partisë bënë të ditur se numri i delegatëve ishte pak më shumë se 7600 anëtarë. Firmat, që zoti Berisha njoftoi se janë mbledhur, përbëjnë kështu më shumë se 50 përqind të delegatëve.







Formularët u dërguan menjëherë pas konferences, në selinë e Partisë Demokratike dhe u depozituan në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, i cili gjithashtu është shfaqur si përkrahës i lëvizjes së ndërmarrë nga zoti Berisha. Në zyrën e tij me herët ishte vendosur dhe një kasafortë ku u mbyllën formularët.




Në forumet e PD, për dramën e kësaj partie, i vetmi institucion brenda saj i konstituuar, pas Kuvendit, është Këshilli. Vetë kryetari nuk ka mbledhur ende kryesinë e PD. Ka frikë e tmerr nga anëtarësia. Këshilli është forumi më i lartë pas Kuvendit dhe ai është konstituuar, ka bërë një mbledhje. Prandaj për këto arsye depozitohen pranë kryetarit të Këshillit Kombëtar”, shpjegoi zoti Berisha.



Formularët do të qëndrojnë në zyrën e zotit Paloka deri ditën e Kuvendit. Sipas zotit Berisha “verifikimi i mandateve sipas rregullit të çdo Kuvendi bëhet vetëm nga Kuvendi. Vetëm ai ka të drejtën statutore të verifikojë mandatin e zonjës apo zotërisë që ka firmosur formularin”, duke shtuar se cilido është i lirë që të shqyrtojë nga afër procesin e verifkimit të mandateve.

Por tjetër interpretim pati sekretari i Përgjithshëm Bardhi. Sipas tij, “ajo që tha sot (zoti Berisha) nuk ka asnjë lidhje me Statutin e Partisë Demokratike, nuk ka asnjë lidhje me funksionimin demokratik të Partisë Demokratike. U provua qartesisht, sytë e opinionit publik që gjatë gjithë kësaj periudhe Sali Berisha ka luajtur një bllof të madh me demokratët. Ai nuk ka arritur dot të mbledhë 1/4 e firmave për të vënë në lëvizje proçedurën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Nëse do të kishte mbledhur 1/4 e firmave të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, ai e di mjaft mirë proçedurën se ku dorëzohen dhe se si është proçesi për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në fakt, ajo që pamë sot, për fat të keq është një tallje e madhe me demokratët dhe sakrificën e tyre”, deklaroi zoti Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, u shpreh se është shkelur neni 47 i statutit të partisë, i cili i njeh atij kompetencën për organizmin e partisë, duke kujtuar se dhe në Kuvendin e fundit të mbajtur para pak kohësh “secili prej anëtarev pajiset me një mandat që fimoset ose nga Kryetari ose nga Sekretari i Përgjithshëm, dhe me atë mandat të dhënë një muaj përpara paraqitet në sallën ku zhvillohet mbledhja e Kuvendit dhe komisioni i verifikimit të mandateve merr në dorëzim këtë mandate. Asnjë komision tjetër nuk e di se cilët janë delegatët”.

Zoti Berisha shpjegoi se ideja për të depozituar formularët e për t’i mbajtur ato të mbyllur deri ditën e Kuvendit, vjen nga fakti që përmbajnë të dhëna personale që nga numri i kartës së identitetit deri te ai i kartës së anëtarësisë.

Por për zotin Bardhi: “Partia Demokratike është një institucion, funksionon mbi bazën e Statutit të Partisë Demokratike. Ka rregullat e qarta se si mblidhen institucionet e Partisë dhe është fyerje e rëndë për çdo demokrat që të pretendohet të mbahen sekret anëtarët e Kuvendit Kombëtar nga organet statutore të Partisë Demokratike. Nuk ka fyerje dhe tallje më të madhe për demokratët që t’i thuash atyre se të dhënat e anëtarëve të Kuvendit janë sekret nga institucionet legjitime, statutore të Partisë Demokratike”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm, duke shtuar se “apeli im është i qartë. Cilido që kërkon funksionimin demokratik të Partisë Demokratike, mbledhjen e institucioneve dhe forumeve të PD, do te duhet të ndjekë proçedurën sipas Statutit të Partisë”.

Lexo edhe :  Berisha iu kërkoi dorëheqjen, Bardhi dhe 4 nënkryetarët e PD: Nuk intimidohemi

Zoti Berisha ka përsëritur disa herë se përmes mbledhjes së Kuvendit, do të bëhen ndryshime në statut, për t’i dhënë më shumë peshë anëtarit të partisë në vendimmarrjet e saj, si dhe për të hapur një garë për kryetarin e partisë, pjesë e së cilës do të jetë dhe ai vetë. Në konferencën e mbrëmjes të së mërkurës, ai shpalli hapur sigurinë se do të rimarrë drejtimin e PD, nga e cila u tërhoq pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013. Ai e përkufizoi “Foltoren”, turin e ndërmarrë në bazën demokrate si “nismë historike që ka si synim rivendosjen e pluralizimit politik në Shqipëri, fitoren e PD dhe rikthimin e Sali Berishës si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Të gjitha këto me vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.

Gjatë turit të tij në bazën demokrate, zoti Berisha ka këmbëngulur në largimin e zotit Basha, por duke ofruar variante të ndryshme. Të martën nga Pogradeci ai deklaroi se kryetari demokrat duhet të dorëhiqej, ose përndryshe do të shkarkohej. Ndërsa një ditë më pas u shpreh se “kryetari pa parti, në vlerësimin tim, duhet të votohet nga anëtarësia e partisë, ndonëse Kuvendi ka pushtet absolut për shkarkimin e tij, por këto janë çështje që do zgjidhen gjatë rrugës”.

Statuti i Partisë Demokratike e parashikon shkarkimin e kryetarit nga Kuvendi, por mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Zoti Berisha u rikthye publikisht në skenë, pasi kryetari demokrat vendosi largimin e tij nga grupi parlamentar demokrat. Një vendim që pasoi atë të Departamentit amerikan të shtetit, i cili e përfshiu zotin Berisha në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë, duke i ndaluar atij dhe familjes së tij hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara. Ndërsa së fundmi, komentet e zotit Basha ndaj paraardhësit të tij, kanë ardhur duke u ashpërsuar. Ai është shprehur se me aksionin e tij ish kryeministri “kërkon të mbajë peng partinë për hallet e veta personale”, ndërsa pak ditë më pare, deklaroi se “koha e Sali Berishës ka mbaruar”.

Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane Yuri Kim, në një intervistë për televizionin Top Channel, la të kuptohej qartë të mërkurën se nuk mund të ketë një bashkëpunim me një PD të drejtuar nga zoti Berisha. “Nuk do të angazhohemi me askënd që është përcaktuar nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi ajo. Ndërsa pyetjes nëse SHBA-të mbështesin kryetarin Basha ku përgjigj se “njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj zotin Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë”.

Ndaj këtij qëndrimi të ambasadores amerikane, zoti Berisha reagoi duke u shprehur se “zonjës dhe cilitdo tjetër, që kanë një provë, një fakt të vetëm, i ftoj t’i dërgojnë pranë gjykatës në Paris. Çështja e kafes, të vazhdojë të pijë kafe me livadhet e Qeverisë”.

*Marrë nga Zeri i Amerikës, titulli është i redaksisë së “Mapo”

1


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas