Aktualitet

Vota e Revoltës, 1 milion kundër Rilindjes














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:07 - 06/03/21 |
Armand Maho

Braktisja e madhe nga elektorati dhe votat e revoltës së 44 mijë qytetarëve në zgjedhjet monopartiake të vitit 2019, janë një tregues se Rama dhe PS gjenden në kuotat më të ulëta historike. Gazeta MAPO ka bërë disa përllogaritje të rrjedhjes së votës nga e majta ku nuk janë marrë parasysh efektet e pandemisë së keqmenaxhuar apo tërmetit, të cilat pritet të kenë shkaktuar jo pak pakënaqësi. Shifrat janë kokëforta, dhe sikur të kishim të njëjtën pjesëmarrje në zgjedhje si në vitin 2013, atëherë ato 1 milion votat e triumfit, nuk është çudi që t’i kthehen në 1 milion ndëshkime revolte. Edhe nëse Rilindja ripërsërit rezultatin e 2019-ës, me të cilin është mburrur jo pak, në këto zgjedhje sipas herësit qark për qark, Rama në rastin më të keq do arrinte deri në 57 mandate dhe në rastin më të mirë në 61. Goditja më e madhe vjen në aksin Tiranë-Durrës dhe bastionet e së majtës





Nga Armand Maho


Sjellja e kryeministrit Rama në këto prag zgjedhjesh nuk mund të kalojë pa u vënë re. Në prezantimin e programit për drejtësinë, e cila s’kishte asgjë të re nga katrahura e deritanishme, ai i bëri një thirrje dëshpëruese elektoratit të tij. U kërkoi që për shkak të revoltës që mbështetësit kanë ndaj qeverisjes së rilindjes, mos votojnë partitë e opozitës.
***
Dhe thirrja e kryeministrit e ka një shkak. Llogaritjet që ka bërë PS-ja pavarësisht sponsorizimit që u bën sondazheve, nuk dalin për të marrë më shumë se 62 mandate. Testi më i madh i saj ishin zgjedhjet e 2019-ës, kur jo pak por shumica e elektoratit braktisi zgjedhjet. Këtë imazh nuk arritën dot t’ia rregullojnë as manipulimet që iu bënë tabelave të rezultateve një muaj rresht, dhe as votimet e një personi deri në 10 apo 15 herë, me numra kartash të marra me Viber apo WhatsApp. Pavarësisht angazhimit të çdo qelize të strukturave të tij, kërcënimeve me heqjen nga puna të personave të ndryshëm, shantazhit ndaj mjekëve apo mësuesve që të shkonin në votime dhe sërish shifra në orën 19:00 sipas të dhënave zyrtare nuk i kaloi 21.83% të pjesëmarrjes. Më tej pas futjes në veprim të ustallarëve të saj, u desh një muaj që rezultati të rritej dhe me 2% të tjera, duke ndërhyrë në ato qarqe apo bashki ku kishte pasur një braktisje jo të vogël të elektoratit, jo vetëm të opozitës, por edhe të vetë PS-së. Nuk dimë ende efektin që ka rindërtimi që pothuajse s’ka nisur, apo pandemia dhe menaxhimi i keq i saj.
****
Gazeta MAPO në numrin e kësaj fundjave, ka bërë një krahasim shifrash. Duke marrë qarqet një për një dhe bashkitë rezulton se ka braktisje të madhe të elektoratit. Goditjen më të fortë Rilindja duket se e ka marrë në aksin Tiranë-Durrës, i cili prodhon jo pak por 50 mandate për Kuvend. Rilindjes nuk i dalin llogaritë as për 20 mandate gjithsej. Do mjaftonte kjo përllogaritje, që të dilet në përfundimin se në rast se ripërsëritet i njëjti rezultat atëherë zgjedhjet kanë përfunduar pa nisur ende. Një goditje tjetër , siç do e shohim më poshtë, Rilindja ka marrë dhe në bastionet e veta në vitin 2019, gjë e cila flet për një zhgënjim të madh.
****
Një sy i vëmendshëm do vinte re që votat e pavlefshme qark pas qarku , kanë pasur shifra të larta. Në 30 vjet ndryshim sistemi viti 2019, shënoi dhe rekordin. Plot 44 mijë njerëz në të gjithë vendin përdorën këtë mënyrë për të shfaqur revoltën e tyre. Gati 6% e totalit që dolën në votime, ose 1.5 e gjithë votuesve të regjistruar në lista. Të tjerët zgjodhën si votë proteste të votonin partitë e tjera. Në fund 10% e atyre që dolën me përdhunë dhe nën shantazh, apo 77 mijë vota kundërshtuan PS në atë vit. Në bazë të herësit kombëtar, apo numrit të votave që duhet të marrë një kandidat kjo do ishte e barabartë me 7 mandate.
****
Një e dhënë tjetër interesante që del nga vëzhgimi i sjelljes së elektoratit në tetë vitet e qeverisjes Rama, është se shifrat e 2013-ës me të cilat Rama u mburr gati gjatë gjithë qeverisjes së tij i janë kthyer në të kundërt. Po të sigurohej një pjesëmarrje e ngjashme, rezulton se bazuar tek shifrat e vitit 2019, Ramës i janë kthyer kundër më shumë se 1 milion shqiptarë. Këtu nuk është llogaritur rritja e numrit të votuesve prej 8 vitesh, që është rreth 50 mijë vota. Pra, me gjithë rritjen e numrit të votuesve sërish rënia është e madhe. E thënë më shkoqur, me rezultatin e vitit 2019, Rama nuk do të arrinte të merrte më shumë se 58-62 mandate. E pamundur për rilindjen të dalë si forcë e parë, e aq më pak për të formuar qeverinë.




Tiranë – Durrës, goditja e madhe që vjen nga metropoli


Goditja më e madhe në votimet e 2019-ës, Ramës do i vinte nga Durrësi. Me gjithë angazhimin e tij, dhe të strukturave në zgjedhje nuk do arrinin të dilnin as 57 mijë votues në të gjithë qarkun. Këto ishin të dhënat që u dhanë nga KQZ deri në orën 19:00 të datës 30 qershor. Por ankthi i braktisjes nuk do të mbaronte me kaq. Vetëm për bashkinë e Durrësit kishin dalë jo pak, por gati 9% e fletëve të votimit të pavlefshme. Gjithsej në këtë bashki deri në orën 18:00 kishin dalë në votime 35,062 votues nga të cilët 3046 kishin nxjerrë qëllimisht votën e pavlefshme. Gjithsej kandidatja e Rilindjes nuk kish marrë më shumë se 32 mijë vota. Në këtë bashki e majta pretendonte të kish marrë pjesën dërrmuese të votave, gati 48 mijë, nga 73 mijë për qark në vitin 2017 por pas dy vjetësh pa se i mungonin më shumë se 16 mijë vota. Në të gjithë qarkun, pra bashkë me Shijakun dhe Krujën ajo arriti të merrte në vitin 8 mandate nga 14 gjithsej, kjo për shkak dhe të përçarjes së opozitës. Rama do e quante Durrësin xhevahirin e fitores së PS-së në ato zgjedhje. Por me rezultatin e vitit 2019, pra dhe me 4133 vota që dolën të pavlefshme numri i votave reduktohet në 53 mijë, ndërsa ai i mandatave reduktohet së paku me tre të tillë. Pra, Rama në këtë qark në të tria bashkitë me rezultatin e para dy vjetëve nuk arrin të marrë më shumë se 5 deputetë. Dhe formula dihet, në rast se mandatet i ikin atij, ato i shtohen kundërshtarit.


Tirana
Interesante mbetet dhe Tirana, ku pushteti u investua jo pak për të marrë një rezultat dinjitoz të pjesëmarrjes. Madje këtu ishte dhe lufta më e madhe, pasi presioni ndaj votuesve dhe interesimi mediatik ishte dhe më i madh. Por pavarësisht kësaj, me sa duket rilindja nuk kishte parashikuar votën e revoltës në kryeqytetin e vendit. Në fund të ditës u raportua një pjesëmarrje e kënaqshme në raport me qytetet e tjera, prej 25 % ose 171.390 votues. Deri në raportet e dyta shifra do rritej dhe me 3 mijë vota duke e çuar në 174 588 vota deri në fund të korrikut kur dolën rezultatet përfundimtare të pjesëmarrjes. Por dhe në bashkinë më të madhe të vendit, vota kundërshtuese do ishte befasuese. Vetëm në Tiranë u regjistruan 13 mijë të tilla. Në rang qarku, Kamëz, Tiranë, Vorë, Rrogozhinë dhe Kavajë, raportohet të kenë dalë në zgjedhje rreth 201.467 zgjedhës nga 423 mijë që dolën në zgjedhjet e vitit 2017. Por nga ky total 14222 vota ishin nxjerrë të pavlefshme qëllimisht. Në zgjedhje të përgjithshme kjo do përkthehej në një mandat. Bindja Demokratike që kishte kandidatin e saj arriti të merrte 9371 vota që e çojnë totalin në 23.593 vota dhe e reduktojnë rezultatin e rilindjes në rreth 177874. Por si parti jashtë koalicionit në këto zgjedhje u regjistrua dhe FRD e Bamir Topit që mori 3 mijë vota, dhe nga totali të majtës i mbeten diku tek rreth 175 mijë vota. Bazuar në herësin e Tiranës që shkon në 11769 vota për deputet atëherë në Tiranë sipas numrit të zgjedhësve që morën pjesë në 2017, shifra e mandateve në kryeqytet për rilindjen është 15 nga 18 që mori në vitin 2017.

Lexo edhe :  Rilindja nuk duhet thjesht të largohet, duhet ndëshkuar!

Diferenca
Në aksin Tiranë-Durrës nga 50 deputetë, me shifrat aktuale të votave Rilindja nuk arrin të marrë më shumë se 20 deputetë, ose një rezultat prej 40% të votave. Shifra prej dhjetë mandatesh mbrapa kundërshtarit në dy qarqet që nxjerrin më shumë se një të tretën e deputetëve në të gjithë vendin, llogaritet me shifrat e vitit 2019 ku e majta doli e vetme në zgjedhje, dhe këtu nuk kemi futur pasojat e tërmetit të pesë muajve më vonë, apo të pandemisë që po zgjat prej më shumë se një viti. Vetë Rama u investua jo pak që këto dy qarqe t’i kthente në referendum, për investimet që sipas tij ka bërë rilindja atje. Gjithsesi shifrat mund të pasojnë dhe me rënie të dukshme të votave në Elbasan që ka regjistruar rreth 5 mijë vota të pavlefshme, por dhe në qarqe të tjera të vendit dhe sidomos në bastionet e PS-së. Kjo bazuar në të njëjtin numër votuesish me 2017-ën, sepse një rritje e numrit të votuesve do sillte një rezultat dhe më negativ për të majtën. Në rast se pjesëmarrja do kapte numrin e votuesve të vitit 2013, dhe e majta të ketë mbetur në këto kuota atëherë humbja do ishte vërtet e frikshme. Në këtë llogaritje ne shifrat e pjesëmarrjes i kemi vendosur në kushte ideale, dhe më idealja për të majtën është 2017-ta.

Bastionet e PS-së, braktisja e madhe e elektoratit në Berat dhe Vlorë
Por duket se dhe në bastionet e saj Rilindja e Ramës nuk ka arritur të merrte atë rezultat që do të dëshironte me qëllim që ta quante një rikonfirmim të qeverisjes së saj. Një goditje jo të vogël i dha Berati, ku nga 85 mijë votues që dolën në vitin 2017 në zgjedhje, në 30 qershor 2019 e vetme në rang qarku nuk mundi të nxirrte më shumë se 39.050 votues, ndërsa nga këto dolën të pavlefshme rreth 2 mijë vota. Pra, gjithsej 37 mijë përkrahës nga 45 mijë vota që pretendonte të kish marrë dy vjet më parë që i dhanë katër deputetë. Por duket se rënia me jo pak, por tetë mijë vota, dhe me një koalicion të bashkuar përballë do i kushtojë të paktën një mandat Ramës. Nga katër në tre, duke sjellë një mandat më shumë për partitë opozitare. Në fakt dhe me shifrat e vitit 2017, Rama në këtë qark e ka në limitet e të pamundurës të marrë katër mandate, por përfitimi nga sistemi, përçarja e opozitës dhe bllokimi i vendit të tretë për PD nga ana e kandidatit të atëhershëm, sollën një rezultat që nuk është aspak real. Gjithsesi shifra e mësipërme prej 37 mijë votash, pjesëtuar me herësin prej 12196 votash për mandate që ka pasur Berati në zgjedhjet e vitit 2017, i mjaftojnë Ramës për 3 mandate. Për të katërtin i duhen dhe 12 mijë vota më shumë të cilat në kushtet aktuale është e pamundur t’i marrë. Gjithsesi Berati duke qenë dhe një qark i cili është prekur jo pak nga pandemia, dhe vëmendja e shtetit ka qenë thuajse zero do shihet më 25 prill se sa është në të vërtetë numri i votave të humbura nga ana e së majtës. Një pjesëmarrje tepër të ulët ka shënuar dhe Vlora nga e cila në zgjedhjet e kaluara dolën vetëm 20 për qind e totalit të zgjedhësve të regjistruar në listë, me një shumatore prej gati 3 mijë vota kundër dhe 3 mijë vota të tjera, të cilat i mori BDI. Në raport me herësin që ka Vlora Rama për 60 mijë votat e marra atje në rang qarku, nuk mund të marrë më shumë se 6.5 deputetë nga tetë që mori në zgjedhjet e kaluara.

Shkodra vetëm 3 mandate
Shkodra në zgjedhjet e vitit 2019 në rang qarku ka regjistruar një pjesëmarrje shumë të ulët, prej jo më shumë se 35 mijë zgjedhësish, ose 13 % të totalit, ndërkohë që nga këto vota 1200 kanë qenë votë kundërshtuese e pavlefshme. Në Bashkinë më të madhe të qytetit Shkodër, PS nuk arriti të nxjerrë në zgjedhje më shumë se 9% të zgjedhësve madje katër mijë më pak se sa kanë votuar për të në vitin 2017. Mungonin aty dhe votat e PSD që do të thotë se në këto zgjedhje në Shkodër e kanë braktisur jo pak por më shumë se 18 mijë vota të përkrahësve të saj. Shkodra në zgjedhjet e vitit 2017 regjistroi një herës prej 10218 votash, që në raport me numrin e votave të së majtës që nuk i kalojnë 33800 duke hequr votat kundërshtuese, atëherë rezulton në një shifër për të gjithë të majtën prej 3.3 mandatesh, i cili do ishte rezultati më i ulët historik i PS në zgjedhje prej dekadash, pavarësisht se Shkodra njihet si bastion i djathtë.

Ndryshimi i pjesëmarrjes dhe llogaritë që nuk i dalin Ramës
Siç e thamë të gjitha llogaritjet i kemi bërë në kushtet ideale për rilindjen. Pra, pa llogaritur një sërë faktorësh, si pandemia, tërmeti, numrin e zgjedhësve që mund të jetë më i lartë se në 2017-ën. I kemi marrë për të mirëqena dhe votimet nga e njëjta dorë duke i quajtur si vota të saj, dhe sërish rezultati nuk del kurrkund. Në zgjedhjet e vitit 2021, nuk mund të dimë as pjesëmarrjen dhe as rezultatin, por dimë që Rama personalisht dhe e gjithë rilindja në vitin 2019 u investua jo pak për ta konsideruar daljen në votime vetëm si një plebishit për qeverisjen e saj. Në fund, nuk dinin çfarë të thoshin për pjesëmarrjen, dhe filluan të shtonin përqindjen në çdo rreth. Për shembull në bashkinë Berat në orën 19:00 të mbrëmjes përqindja e atyre që kishin dalë në votime nuk i kalonte 17,6% në fund të muajit korrik pas gati 30 ditësh kur dolën rezultatet përfundimtare shifra kish shkuar në 22.3 për qind. Bashkia Durrës, nga 13,94% më datë 30 qershor, shkoi në 16.2% pjesëmarrje. Bie në sy se pjesëmarrja në Urën Vajgurore, një bashki ku Rama pretendon se ka marrë 56% të votave në vitin 2017, pjesëmarrja u rrit nga 19.3% në 25.94% ose me rreth 2900 vota. Është e habitshme se si mund të kish ndodhur një gabim i tillë, në një bashki ku pretendohet se kanë votuar vetëm 7900 persona sipas shifrave zyrtare të KQZ, ose 5600 sipas shifrave paraprake të datës 30 qershor. Me 1 për qind u ngrit pjesëmarrja dhe në Elbasan, në Korçë me 2% e kështu me radhë. E shprehur në shifra, u rrit pjesëmarrja me rreth 3700 votues në Berat, në urën vajgurore me 2900, me 5700 në Bashkinë Durrës, me rreth 4 mijë në Tiranë, me 1 mijë në Shkodër, me 3 mijë e 500 në Korçë e kështu me radhë. Këto janë shifra vetëm për bashkitë se në qark ka shifra të tjera. Në fund, numri i votuesve u shtua me gati 40 mijë vota, ose nga 771 mijë që ishte në fillim shkoi në 811 mijë të tilla.

Mandatet e PS në rast se do marrë të njëjtat vota si në vitin 2019

     

Shpjegimi: Për 701 460 vota me herës sipas qarkut PS do arrinte të merrte 57-58 deputetë përballë opozitës së bashkuar, ndërsa në rast se aplikohet herësi kombëtar 60 deri në 61 mandate.

Ndryshimi i shifrave paraprake të 30 qershorit deri në rezultatin përfundimtar

Në total nga ndryshimi i shifrave në të gjithë bashkitë e vendit janë shtuar 39864 pjesëmarrës në zgjedhje.

1


Etiketa:

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas