Editorial

Votat si në Shijak, kurse koalicionet si në Europë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:59 - 28/07/20 |
Mapo.al

Zbulimi tronditës i SPAK, se si një grup i organizuar komisionerësh të Partisë Socialiste, fusnin në kuti për rilindjen, vota emigrantësh, pra vota personash që nuk ishin fare në Shqipëri, vjen vetëm dy ditë para se Edi Rama të çojë deri në fund betejën e tij të çartur, për t’i bërë koalicionet si në Europë.


Kështu e motivon ai ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës, dhe në publik thotë se nuk do ti ndalim koalicionet, por do t’i bëjmë si në Europë.


Të qeshura dhe gazmend të madh shkakton ky qendrim i Ramës, sidomos sot kur mëson se vetëm në dy qendra votimi në dy fshatra të Shijakut, janë shtuar 60 vota për timonin e tij.


Se për timonin e Edi Ramës e kanë bërë ata komisionerë, jo vetëm për bukën e gojës.


Ata mund ta ruanin vendin e punës edhe duke vjedhur më pak.

Por, e kanë mbushur sëndukun për shkak se shefi i madh ishte kundër të gjithëve, Skendërbeu duhej të çante rrethimin, dhe duhej të dilte më i fuqishëm se më parë.

Ja pra.

Ky është kryeministri që kemi.

Votat i do si në Shijak, por ama kur vjen puna për sanksionimin e formulës së koalicioneve parazgjedhore, aty kërkon standard të lartë, europian madje.

Hiç më pak se italian, ndoshta diç më shumë, gjerman.

Kjo lloj hipokrizie mban erë, dhe ka qelbur vendin.

Ja, këto krime elektorale e kanë lënë Shqipërinë në vend numëro, dhe i kanë prerë rrugën drejt Brukselit.

Dhe mjeshtri, ai kuratori, ai muza, ai frymëzuesi i gjithë kësaj, është jo vetëm ende në pushtet, por kërkon sërish të fusë duart në proces, ta deformojë atë 9 muaj përpara, e të prodhojë që tani një votë të padrejtë, të pandershme, e të kontestueshme.

Dhe kur ironia vërsulet eger, ajo shkon deri atje, sa kur ti mendon se s’mund të ketë më shumë se kaq, s’mund të shkojë më larg se kaq, na vjen Babloku edhe President i OSBE-së, organizatës më të rëndësishme për standardet elektorale në planet.

Vetëm një e qeshur me britma mund të përballojë këtë situatë.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas