Kryeministri Rama shfrytëzoi foltoren e Kuvendit për të sulmuar deputetët e PE-së, që i quajti të keqinformuar, ose të manipuluar nga marrëdhëniet ndërpartiake me opozitën.
Por e vërteta është ndryshe.
Dje pak orë para votimit eurodeputeti Michael Gahler, i ka kujtuar Ramës se çfarë rrezikon. “Keni përpara një shans të fundit”, tha Gahler.
Pas votimit reagoi presidenti Meta: Asnjë surprizë nga Kuvendi njëpartiak i incineratorëve dhe mbetjeve!
Thirrjet e gjithë institucioneve të BE-së për të mos rrëzuar dekretin e presidentit Meta për Kodin Zgjedhor deri në një qëndrim të Komisionit të Venecias ranë në vesh të shurdhër.
Mazhoranca socialiste votoi dje në Kuvend për rrëzimin e këtij dekreti duke lënë në fuqi ndryshimet e miratuara prej saj që përcaktojnë dhe rregullat e rinj mbi të cilët do të zhvillohet procesi zgjedhor i 25 prillit 2021.
Vetë Rama nuk ka ngurruar të sulmojë 8 eurodeputetët që i kërkonin të mos kalojë Kodin pa pritur Venecian, kur tha që janë të keqinformuar. Në fakt një kërkesë të tillë e bëri dhe kreu i Komisionit për punët me jashtë në PE, David Mcallister.
“Më shkruanin dje 8 eurodeputetë jemi të tronditur. Për çfarë? Do i përgjigjem me shkrim. Po për çfarë janë tronditur? Si mund të presim Venencian deri në dhjetor kur ligji ka kaluar dy javë më parë, pas një procesi që ka marrë vite. Për çfarë janë të tronditur? Janë të keqinformuar qëllimisht duke shfrytëzuar marrëdhëniet ndërpartiake e pastaj thonë kryeministër shpresojmë të vësh interesat e Shqipërisë para. Pa asnjë dyshim. Shqipëria kalon një reformë, falë këtij parlamenti dhe shkon në zgjedhje. Ligji ka kaluar, Kushtetuta është ndryshuar. Venecia është i mirëseardhur kur të vijë do e shohim dhe do hapim një diskutim nga e para nëse do ketë nevojë. Po zgjedhjet e 25 prillit nuk presin më asnjë këshill politik”, -u shpreh Rama.
Në fakt e vërteta është krejt ndryshe.
Pavarësisht se Rama, përpiqet ta paraqesë si diçka rutinë kalimin e Kodit në parlament, ky veprim i tij nuk është asgjë më shumë se një rrugë drejt refuzimit të negociatave me Parlamentin Evropian.
Kokëfortësia e pazakontë e kryeministrit rrezikon ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e veriut, çka do të thotë futja e procesit në kalenda burokratike tepër të vështira për t’u zgjidhur.
Në historinë e anëtarësimeve, kryesisht të vendeve të Evropës Lindore, është hera e parë që një qeveri refuzon me kaq arrogancë dhe hapur një kërkesë elementare, që bazohet kryesisht në vullnetin politik të qeverive.
Rama, në lidhje me kodin ka refuzuar sistematikisht thirrjet e komunitetit ndërkombëtar dhe qeverive mike. Edhe kthimi i kodit në parlament nga ana e presidentit, ishte një thirrje për reflektim për Ramën.
Zoti Michael Gahler, deputet në Parlamentin Evropian, tha dje në një intervistë për gazetaren Erisa Zykaj të ABC News, se komuniteti evropian nuk është shumë dashamirës në lidhje me zgjerimin, dhe përpjekjet e PPE-së, duhet të mbështeten nga vendet aspirante për në Bashkimin Evropian.
Zoti Gahler e thotë qartë, se Shqipëria duhet të plotësojë të paktën gjashtë kushte për në konferencën ndërqeveritare që pritet të mbahet së shpejti.
MË POSHTË INTERVISTA E Z. GAHLER
Si e vlerësoni raportin e progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë? A përbëjnë ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor nga qeveria shqiptare dhe mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese pengesa reale për miratimin nga shtetet anëtare të kornizës negociuese për Shqipërinë?
Përshtypja ime është që ka një shqetësim shumë të madh lidhur me ndryshimet kushtetuese në kodin elektoral. Do të thoja, që ne kemi përpara një shans të fundit për këtë.
Pas refuzimit nga presidenti Meta të draftit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, presidenti e ktheu mbrapsht dhe kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias.
Kjo bën pjesë te praktikat e mira, e mirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe vende të tjera, ku Komisioni i Venecias njihet për kontributin e vlefshëm dhe udhëzimet e tij. Duhet të pritet opinioni i Komisionit të Venecias dhe jo të nxitohet në mënyrë unilaterale.
Në 5 tetor, ju keni bërë një deklaratë në Twitter, duke thënë që përmes ndryshimeve të njëanshme, kryeministri Edi Rama po pengon perspektivën evropiane të vendit.
Ne dëshirojmë, që të pritet dhe të ndiqet opinioni i Komisionit të Venecias. Kjo klimë politike armiqësore nuk i shërben aspak vendit për avancimin e tij në rrugën evropiane.
Nuk ka rëndësi se kush fillon armiqësitë, kush vepron dhe kush reagon. Opinioni ynë publik do informohet për situatën dhe do thotë: “Ua, a është ky një vend që ne dëshirojmë që ta mirëpresim në gjirin tonë?
Ne duam që Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit të jenë në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE. Por duhen dy partnerë për të kërcyer tangon.
Për Shqipërinë, ne ju referuam në fillim 15 kushteve, prej të cilave së paku një kusht duhet të kishte filluar të zbatohej. Kjo nuk është vetëm në kuadrin e kushtëzimit të Këshillit të ministrave, por për t’u anëtarësuar në BE.
Ka një paqartësi lidhur me kushtëzimin për Shqipërinë. Komisioni Evropian thotë ka 6 kushte para hapjes zyrtare të negociatave, Parlamenti Evropian thotë 15 kushte dhe Këshilli i ministrave grupon po ashtu kushtet bashkë. Në mendimin tuaj, a duhen plotësuar 6 apo 15 kushte për hapjen zyrtare të negociatave?
Të paktën të plotësohen 6 të parat. Ato duhet patjetër të plotësohen dhe aty përfshihet reforma elektorale. Ne nuk e kemi përpiluar këtë listë për t’u zbavitur. E kemi shumë seriozisht zbatimin e tyre.
Në gjirin e 15 kushteve, gjashtë të parat janë kyçe, ndërkohë që për të tjerat kërkohet fillimi i zbatimit të tyre, jo zbatimi i plotë.
Panorama politike në vendet aspirante apo vendet tona nuk është asnjëherë bardhezi dhe nuk është se njëra palë ka të drejtë dhe tjetra gabohet, ata që janë në qeveri këtë radhë, do jenë në opozitë më pas dhe anasjelltas.
Forcat politike duhet të jenë të bashkuara për integrimin evropian, me një platformë, qëllim, angazhim dhe destinacion të përbashkët. Qytetarët presin këtë. Nëse qasja e forcave politike përqendrohet mbi betejat politike, avantazhet e momentit, kjo nuk është rruga e duhur për t’ia arritur.
Në të gjitha vendet, është qeveria që është interlokutorja, ajo që është përgjegjëse për trajtimin e çështjeve, për zgjidhjen e tyre dhe për adresimin e kërkesave. Ne i bëjmë apel kryeministrit që të lërë gjërat në rrjedhën e tyre dhe kjo përfshin detyrimisht pritjen për opinionin e Komisionit të Venecias.
REAGIMI
Presidenti Meta: Asnjë surprizë nga Kuvendi njëpartiak i mbetjeve!
Presidenti Ilir Meta reagon menjëherë pas votimit në Kuvend të ndryshimeve për Kodin e ri Zgjedhor.
Duke e shoqëruar reagimin e tij me një foto-montazh të Parlamentit, i tejmbushur nga plehrat, dhe i rikthehet shprehjes së tij që përdorte kur ishte në koalicion me Ramën, “me qetësi dhe dashuri”.
“Asnjë surprizë nga Kuvendi njëpartiak i incineratorëve dhe mbetjeve! Me qetësi dhe dashuri”, shkruan Meta.
Në arsyetimet e tij në dekret, Presidenti Meta shprehej se: “Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votës”.
Sipas Metës qeveria përmes dhunës dhe shpërdorimit të procesit ligjbërës kërkon të manipulojë zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Ai iu drejtua Komisionit të Venecias si një autoritet i pavarur për të dhënë një opinion ligjor për këto ndryshime, por pavarësisht se eksponentët më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian i bënë thirrje Ramës që të priste këtë opinion, ai vendosi të ecte përpara me rrëzimin e dekretit.
Reforma Zgjedhore dhe sjellja e mazhorancës qeverisëse ndaj saj është një nga kushtet kryesore të BE-së për hapin e madh të integrimit, çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.
Por, Rama, duke folur në Kuvend pas votimit, tha se eurodeputetët që i kërkonin atij të priste ishin keqinformuar. Rama tha se tetë eurodeputetët e Partive Popullore, të cilët shprehën dje tronditjen rreth vendimit për të miratuar Kodin Zgjedhor, nuk kanë përse të përjetojnë një reagim të tillë, sepse bëhet fjalë për një ligj që ka kaluar njëherë në Kuvend dhe po rivotohet.
“Janë të tronditur. Por, për çfarë?! Për një ligj që ka kaluar njëherë në këtë Kuvend dhe po rivotohet…E kuptoj shumë mirë, janë të keqinformuar dhe të shfrytëzuar qëllimisht”, – u shpreh Rama.
Ai sulmoi presidentin Meta duke u shprehur se ai ka pasur në plan të hedhë në erë zgjedhjet. “Për sa i përket përpjekjes së Ilir Metës për ta bllokuar këtë proces, duke e çuar në Venecia, është një përpjekje se tregon se ku do të dalë Ilir Meta. Do të dalë aty ku faktikisht desh të dalë edhe më parë, të hedhë në erë zgjedhjet”, tha Rama.