Përfaqësuesi i opozitës në Këshillin Politik, Petrit Vasili deklaroi se votimi i nesërm i Kodit të ri Zgjedhor i jep fund shpresave të shqiptarëve për integrim në Bashkimin Europian.
Në një konferencë për mediat, Vasili tha se kryeministri Edi Rama është armiku i vendit.
“Çdo akt i nesërm nuk është as më shumë e as më pak, përgjegjësi e rëndë, pasi në mënyrë të vullnetshme, në funksion të një strategjie të mirëpërcaktuar, varros integrimin europian të vendit. Me votimin e nesërm, hapje negociatash nuk ka”, tha Vasili.
“Armiku i integrimit që mbajti 3 vjet pezull integrimin për një kryetar qarku në Fier, shfaqet sërish sot me një strategji të re por me një qëllim të vjetër, pengimin me çdo kusht të integrimit europian të vendit. Sot ky integrim ka vetëm një armik, një instrument politik që është Rilindja dhe person konstant në vite që shfaqet në momentin kur ky proces duhet të shkojë përpara për ta penguar. Axhenda e tij anti NATO, anti perëndim është e drejtuar në një drejtim negativ, të panjohur, drejt realiteteve të ngarkuara me pisllëk politik”, vijoi Vasili.
“Është e qartë për shqiptarët se cila është fytyra e atij që pengon dhe izolon vendin dhe fytyra e qartë e një njeriu që duke humbur dhe duke e pasur të qartë humbjen, kalon nga njeriu që pengon hapjen e listave, që bën sikur i hap listat, në njeriun që thotë se koalicione parazgjedhore do ketë por si dua unë…”, përfundoi Vasili.