Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se ndasitë ishin të thella brenda koalicionit dhe se ishte e nevojshme të votohet mocioni.
“Nuk mund të them se jemi të kënaqur, por as që jemi të zhgënjyer. Nuk mund të themi se nuk është pritur pasi e kemi themeluar këtë qeveri për të punuar dhe forcuar shtetin. Mund të them se gjatë rrugës ka pasur probleme me bashkëpunimin”, – tha ai.
“Ka pasur kërkesa nga BE për heqjen e tarifës dhe vazhdimin e dialogut dhe masat e SHBA-së që për herë të parë janë marrë ndaj Kosovës dhe për herë të parë jemi ne viktima të sanksioneve dhe jo Serbia që i ka bërë gjithë të këqijat ndaj Kosovës” – tha Mustafa që shtoi se LDK ka marrë vendim që të mos bashkëpunojnë me PDK-në.
“Vendimet merren në bazë të vullnetit të brendshëm të organeve dhe nuk shkojmë asesi me PDK-në. Do kërkojmë bashkëpunim me Nismën, AAK-në dhe minoritetet’’, tha ai.
Mustafa ka shtuar se nuk ka asnjë informatë se ekziston ndonjë marrëveshje e fshehtë mes Serbisë dhe Kosovës. Ai thotë se ka folur me të dërguarin Special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell që ka premtuar që SHBA-ja nuk do të imponohej. Ai ka shtuar se LDK nuk do të përkrahë marrëveshje për shkëmbim territoresh.
“Në asnjë rast nuk përjashtohet Vjosa Osmani. Do të ulemi të bisedojmë se cilat janë arsyet që çuan në vendimin kundër. Ajo ka dhënë premtime normalisht edhe ne e mbështesim sepse ajo nuk jep premtime në vete pa partinë. Nuk e përjashtojmë askënd, nuk e përjashtojmë as Vjosën” – tha Mustafa.