Vrasja e avokatit Refik Gurra në Elbasan është cilësuar si vrasje mafioze e kryer nga killer me pagesë. Ende autorët apo porositësit e vrasjes nuk janë zbuluar, por gazetarët kanë dhënë sonte detaje dhe opinione rreth kësaj ngjarje tejet të rëndë.
Gazetari Arion Sulo ka deklaruar në emisionin “Open” se krimi në Elbasan është pjesë e lidhjes me politikën. Sulo tha se kryetari i Bashkisë së Elbasanit mbështet një nga bandat më të egra të qytetit.
Kurse gazetari Enton Abilekaj ka deklaruar se krimi nuk ndëshkohet pasi ka një lidhje të fortë me politikën. “Kur një njeri i fortë sulmon hapur policinë tregon se prokuroria ka një pengesë për të hetuar”, tha ai.
Ndërsa gazetarja Anila Hoxha, ka dhënë identikitin e vrasësit të avokatit Gurra. Sipas gazetares së Top Channel, vrasësi është rreth 35 vjeç dhe 1,73 metra i gjatë. Hoxha tha se vrasja është bërë nga killer me pagesë.
Gurra ka përfaqësuar anëtarë të familjes Çapaj në gjyqe të ndryshme, ndërsa ka qenë dhe avokat i Emiljano Shullazit.