Pjesë nga libri “Për Gjermaninë: Histori diplomatike dhe kujtime”, botim i UET-Press. Libri ka për autor ish-ambasadorin shqiptar në Gjermani, diplomatin e njohur, ‘Mjeshtrin e madh’ Bashkim Zeneli
Nga Bashkim Zeneli
Në javën e dytë të shtatorit sapo isha kthyer nga Berlini për një veprimtari atje. Udhëtova me Ilirin natën dhe pas 6 orësh, në të gdhirë, ishim në Bon, në shtëpi. Pushova pak dhe dola në zyrë. U takova me diplomatët duke pirë një kafe në zyrën time dhe folëm për çështje të ditës. Nuk kaloi shumë dhe një telefonatë tronditëse nga Tirana: ishte vrarë deputeti Azem Hajdari! Ishte e tmerrshme, e pabesueshme. Kishim qenë për disa vite kolegë në Kuvend, por edhe shkonim mirë bashkë. Tani vjen lajmi se ishte vrarë! Nuk ndjeva vetëm dhimbjen e madhe njerëzore për të dhe gruan me fëmijët… por edhe mendova se si do të vazhdojë të shkojë më tej kjo histori përleshjesh e armiqësish partiake… Komunikova menjëherë me Ministrin Milo dhe Hajdaraga. Nuk dinin ç’të thoshin. U ngrita nga zyra në shtëpi, një kat më lart, dhe i tregova Engjëllushes. Mbeti e shtangur dhe filloi të pyesë. Zbrita përsëri në zyrë dhe bashkë me kolegët nuk dinim ç’të thoshim. Vetëm ndiznim, unë, Rezarti dhe Iliri, pa pushim cigare. Nga MPJ më telefonoi Ambasadori Ischinger e më pas z.Haas. Më telefonuan edhe shumë të njohur shqiptarë, por edhe gazetarë gjermanë, të cilëve iu shmanga pasi nuk kisha asnjë informacion të mëtejshëm.
Janë të njohura se si u zhvilluan situatat në vend, nga ora në orë, me deklarata, me qëndrime politike. Është e njohur edhe se çfarë ndodhi të nesërmen me marshimin e njerëzve të revoltuar drejt Kryeministrisë. Komunikoja çdo 15-20 minuta me Ministrin Milo dhe disa herë me Ministrin Hajdaraga. Ministra të tjerë kishin mbyllur celularët dhe nuk përgjigjeshin as në zyrë. Shumë prej tyre i kishte kapur paniku. Fola disa herë edhe me Presidentin Meidani, tepër i angazhuar dhe shumë i përgjegjshëm.
Ai ishte i shqetësuar se mund të ndodhnin përplasje të paparashikuara. Kërkova të takohem me drejtorin politik Ischinger, por ai ishte larguar nga zyra. U takova me drejtorin Maas. Ai ishte plotësisht i informuar, orë pas ore, nga ambasadori gjerman në Tiranë, Disdorn. I fola për situatën e acaruar dhe për komunikimet e mia me Presidentin Meidani dhe me Ministrat Milo e Hajdaraga, të vetmit që qëndronin në zyrë… Zoti Haas më tha se “jam në kontakt me Ambasadorin Disdorn… Duam qetësimin e situatës sa më shpejt që asgjë të mos dalë jashtë kontrollit… Do t’ju vë në dijeni për hapat që do të ndërmarrim… Vrasja e deputetit është vërtet tragjike…”
U ktheva në zyrë dhe vura në dijeni Ministrin Milo… Ishte shumë i tronditur kësaj radhe… Bashkim, këtu nuk funksionon më asgjë, më kupton, nuk ka njeri, edhe Kryeministri nuk e di se ku është… unë jam në zyrë… Diplomatët hynin e dilnin në zyrën time. Engjëllushja na sillte kafe, na pyeste dhe ngjitej përsëri në shtëpi. Pastaj vinte Linda, po me kafe: Hë mor shef, ka ndonjë gjë? Po të bëj një kafe… e tmerrshme!
Televizioni jepte lajmin e vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Vendosa të flas vetë me Ministrin Kinkel. Sekretarja më tha se ishte në një takim elektoral në Shtutgard, por do ta vinte në dijeni për telefonatën time. Vendosa ta marr në celular. Ma kishte dhënë vetë numrin, por nuk e kisha përdorur asnjëherë. I rashë dy-tre herë, por nuk u përgjigj. Pas 5-6 minutash më bie mua celulari. Zoti ambasador, jam këshilltari i ministrit… Ai në këtë moment është duke folur në një takim elektoral, por do t’ju telefonoj menjëherë… Çdo minutë më dukej orë e gjatë. Rezarti lëvizte nëpër zyrë, Sokoli, më i qetë, vetëm dëgjonte… Ora ishte afër pesës, pasdite, kur më bie përsëri zilja: Këtu Kinkel, z.ambasador… Përshëndetje dhe më falni për shqetësimin z.Ministër, – i thashë. “Jo, jo, z.ambasador, nuk ka asnjë problem, unë jam në dijeni… Më thuaj, të lutem çfarë po ndodh në Shqipëri, më fol të lutem”… Dhe i shpjegova situatën pa e stërzgjatur me tjerrje fjalish…
Zoti Kinkel më tha: Ne jemi shumë të shqetësuar z.ambasador, unë jam në kontakt me zyrën time… Çfarë mendoni se mund të bëjmë në këtë moment?…
Zoti Ministër, i thashë, mendoj se duhet sa më shpejt një qëndrim i qeverisë gjermane, për të parandaluar shkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe anarkisë. Duhet bërë thirrje për qetësi… Më falni zoti Ministër që po ju flas kështu, por fjala e Gjermanisë ka shumë rëndësi… Unë kam shumë besim se do të reagoni sa më shpejt… (Mu duk sikur po e mësoja se çfarë të bënte, por nuk më keqkuptoi aspak) Po zoti ambasador, ju kuptoj shumë mirë… Do të reagojmë shumë shpejt. Tani do të lidhem edhe me Ambasadorin Disdorn… Shumë shpejt do të keni edhe qëndrimin tonë! E falënderova… dhe të parit i telefonova Presidentit Meidani e pastaj edhe z. Milo dhe më tha: Nuk kemi asnjë reagim zyrtar deri tani, po presim Bashkim, të faleminderit… Rreth orës 18.30 më telefonon një punonjës i Drejtorisë së Shtypit në MPJ dhe më thotë se “tani do të nisim qëndrimin e Ministrit Federal…” E falënderova dhe i thashë Rezartit shko tek zyra e faksit. E mori dhe i thashë ulu e shkruaj, do ta përkthej sa më shpejt. (Edhe sot e kam në “arkivin” tim këtë deklaratë, edhe me dorëshkrimin në shqip të Rezartit):
“Deklaratë e Ministrit të Jashtëm Gjerman, Dr.Klaus Kinkel
Ministri i Jashtëm Gjerman, Dr. Klaus Kinkel, deklaroi sot me rastin e acarimit të gjendjes së brendshme politike në Shqipëri:
Përleshjet e armatosura në Shqipëri japin shkas për shqetësim të madh. Ekziston rreziku akut që sukseset e përpjekjeve të shumëfishta të vitit të fundit për stabilizimin e vendit, të humbasin tani nga veprimet e dhunshme të kryengritësve dhe vendi të zhytet përsëri në kaos dhe në anarki si në fillim të vitit 1997. Unë dënoj ashpër çdo përpjekje për të rrëzuar me anë të përdorimit të dhunës qeverinë shqiptare të zgjedhur në mënyrë demokratike. Kryengritësit duhet të ulin menjëherë armët dhe të heqin dorë nga dhuna dhe kërcënimet e mëtejshme. Konflikti aktual mund të zgjidhet vetëm me anë të bisedimeve mbi bazën e rendit kushtetues. Ne mbështesim Presidentin Rexhep Meidani në përpjekjet e tij për zgjidhjen e konfliktit. Me urdhrin tim u krijua sot pasdite në Ministrinë e Jashtme një shtab krize, i cili vëzhgon në vazhdimësi situatën aktuale në Tiranë dhe mban kontakte shumë të ngushta me ambasadën gjermane. Për më tej unë qëndroj në kontakt të vazhdueshëm me presidencën austriake të BE për garantimin e një përputhje të plotë të anëtarëve të BE për të gjitha çështjet që lidhen me Shqipërinë.
Komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm që nëpërmjet ndërmjetësimit të kontribuojë në qetësimin e gjendjes dhe për zgjidhjen e konfliktit. Lidhur me këtë ne jemi në bisedime me partnerët tanë në OSBE dhe NATO. Ndodhitë fatale të fillimit të vitit 1997, nuk duhet të përsëriten”.
Fola në fillim me Ministrin Milo dhe i tregova përmbajtjen e deklaratës. I thashë se e kemi përkthyer, por sapo ta shtypim do ta nisë. Nise ashtu, me shkrim dore, të lutem sa më shpejt, më thotë z. Milo, do ta përcjellim menjëherë në shtyp dhe TV. E kam zyrën plot, po presim…
E nisa ashtu të pashtypur, me shkrimin e Rezartit dhe pas gjysmë ore e përcollëm të shtypur. Presidenti Meidani më telefonoi dhe më falënderoi…
Televizioni dhe shtypi gjerman transmetuan vazhdimisht deklaratën e Ministrit Kinkel.
Më telefonoi dhe gazetari i njohur dhe miku im Mathias Rub i gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, që të nesërmen do të bënte një shkrim për situatën në Shqipëri. Më telefonoi edhe Viktor Meier, gazetari i shquar, tashmë në pension dhe më pyeti se çfarë po ndodhte në Shqipëri…
Dy-tre ditë pas publikimit të deklaratës, do të më telefonin nga zyra e Ministrit Kinkel për të më lidhur me Ministrin. Më përshëndeti dhe më pyeti për deklaratën. E falënderova shumë. Por nuk do të harroj atë që më tha: “Zoti ambasador, mund të përmendnim edhe termin përpjekje për grusht shteti. E menduam këtë, por menduam të mos e themi, sepse më pas, qëndrimet ndaj një opozitë që tenton për grusht shteti, do të ishin krejt të ndryshme, nuk do ta njihnim atë fare”. Pastaj më tha se javën e ardhshme do të ishte në Nju Jork, në kuadër të punimeve të OKB dhe atje do të bisedonte hollësisht me Ministrin Milo. Bashkëpunimi i tyre ishte vërtet shumë i mirë.
E falënderova edhe një herë për çdo gjë që kishte bërë e po bënte për Shqipërinë.
Ato ditë më telefonoi edhe Ministri i Mbrojtjes Ruhe, që ishte në fushatë elektorale. Më pyeti se si ishte situata dhe pasi i fola, më tha se “Ne dënojmë ashpër çdo përpjekje për të rrëzuar me dhunë qeverinë legjitime.
Tashmë edhe kandidati për kancelar i SPD Schröder ishte shumë më përpara në pikë me Kancelarin Kohl. Schröder ishte prej tetë vitesh kryeministër i Landit të Saksonisë së Poshtme, ishte edhe kryetar i partisë për këtë Land dhe anëtar i kryesisë së SPD.
Për kancelarin e ardhshëm Gerhard Schröder, më pat folur shumë ato kohë një mik i imi i 4-5 viteve më parë, Kristian Zopel. Ai ishte anëtar i kryesisë së Partisë dhe ministër në Landin Nordrhein-Westfalen, me kryeqytet Düsseldorfin. Pas fitores në zgjedhje u emërua ministër shteti në MPJ dhe me të do të kisha bashkëpunimin më të mirë. Ai ishte mik i afërt i Kancelarit Schröder dhe sidomos i Presidentit të mëvonshëm Johannes Rau me të cilin kishte punuar kur Ran kishte qenë kryeministër i Landit për afro 20 vjet… Z. Zopel ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe e ka vizituar disa herë Tiranën. Po kështu, në Bon apo Berlin, do të priste gjithmonë përfaqësuesit tanë të lartë. Unë do t’i jem atij përherë mirënjohës për mbështetjen që na ka dhënë. Me zotin Zopel jam takuar edhe në Athinë, në një lokal në Kolonaki. Më vuri në dijeni ambasadori gjerman. U përshëndetëm shumë miqësisht. Ministri Zopel më befasoi kur më tregoi se më kishte sjellë një letër të Presidentit Gjerman Rau, me të cilin do të bashkëpunoja që nga viti 1999 deri sa u largova nga Gjermania në fund të vitit 2002. Presidenti Rau më falënderonte për kontributin në forcimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve… Kjo më befasoi, por sigurisht e kuptova që ishte zoti Zöpel që e kishte nxitur këtë.
Jam takuar e kemi biseduar gjatë bashkë edhe në Tiranë, vitet e fundit, kur ai, tashmë në pension, vinte në kuadër të Fondacionit Friedrich Ebert për bashkëpunim me PS.
Më 27 shtator 1998, SPD i fitoi zgjedhjet me 41 për qind, kundrejt 35 për qind që mori unioni CDU-CSU. Si forcë e tretë në këto zgjedhje dolën të Gjelbërit, ndërsa në vend të katërt dolën Liberalët (FDP).
Atë ditë, më 27 shtator 1998, vetëm 50 minuta nga mbyllja e procesit të votimit, pra në orën 19.50, duke ndjekur zhvillimin e zgjedhjeve në TV, në zyrë, doli në konferencë për shtyp kryetari i CDU dhe Kancelari i Gjermanisë, Helmut Kohl. Ai pranoi humbjen, uroi kancelarin e ardhshëm Schröder për fitoren dhe dha dorëheqjen si kryetar 25 vjeçar i CDU federale.
Gerhard Schröder doli po në konferencë shtypi në orën 20.00 dhe deklaroi fitoren e SPD, pas 16 vitesh në opozitë.
Kam ndjerë vërtet një lloj keqardhje morale, kur ato ditë nga ministra të tij që kishin qenë në poste 12 dhe 16 vjet, të flitej pa asnjë të keq se “mbaroi epoka Kohl”, duke i vënë vizën me një të rënë të lapsit.
Helmut Kohli është Kancelari më jetëgjatë në detyrë që nga zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës, plot 16 vjet. Kancelari i parë gjerman, Adenauer, ka qëndruar 14 vjet në detyrë. Helmut Kohl ka udhëhequr CDU-në për 25 vjet, menjëherë pas dorëheqjes së Kryetarit Kurt Kiesinger. Kohl është qytetar nderi i Europës, është padyshim një nga udhëheqësit politikë më të shquar në historinë e Gjermanisë, një burrë shteti ndër më të rrallët, model i udhëheqësit partiak dhe ekzekutiv. Kancelari i Bashkimit Gjerman, por edhe Kancelari i parë i Gjermanisë së Bashkuar. Ai ishte një burrë me një forcë të jashtëzakonshme politike, një vendimmarrës i rrallë dhe me vizion të guximshëm, sidomos në situata të vështira, energjik dhe autoritar, miqësor dhe i drejtë, udhëheqës i aksionit politik dhe diplomatik, një europianist ndër të rrallët dhe më të spikaturit, me kontribute ndër më të shquarat në bashkimin dhe forcimin e Evropës dhe vlerave të saj.
Në maj të vitit 2011, ish-presidenti amerikan Bill Clinton do të shprehej për Kancelarin Kohl: “Helmut Kohl është burri më i shquar europian i shtetit që nga Lufta e Dytë Botërore. Të gjithë i kujtojmë vendimet që ai duhej të merrte dhe mori pas rënies së murit të Berlinit. Ai i është përgjigjur në mënyrën më të drejtë çdo çështjeje. Në mënyrën më të drejtë për Gjermaninë, në mënyrën më të drejtë për SHBA, në mënyrën më të drejtë për të ardhmen e Europës”.