Aktualitet

Vrasja e Çelajt/Prokuroria kërkon arrest me burg ndaj 4 të ndaluarve





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:49 - 24/08/19 |
mapo.al

Sipas raportimeve në media, mësohet se Prokuroria ka dërguar në Gjykatë, kërkesën për masën e sigurisë ndaj katër të arrestuarve në lidhje me vrasjen e Indrit Çelajt dy ditë më parë në Tiranë. Bëhet me dije se Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për katër të arrestuarit, mes të cilëve edhe pronarin e vilës që po rikonstruktohej, Bujar Kusi, 54 vjeç.


Tre të arrestuarit e tjerë janë  Edmond Sula, 43 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, Ferdinand Bakalli 41 vjeç dhe Luan Çaka 36 vjeç të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ata  dyshohet se kanë qenë prezent ne momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar policinë.



Ndërkohë, dy autorët e dyshuar të krimit, vëllezërit Kusi, janë në kërkim.


Indrit Çelaj u vra dy ditë më parë në një vilë në kryeqytet ku po punonte për të rregulluar kondicionerin.  Ai humbi jetën pasi u qëllua me një plumb pistolete në kokë, nga djemtë e pronarit të ndërtesës. Ngjarja e rëndë ndodhi të premten paradite në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, ndërsa i riu, Indrit Çelaj me origjinë nga Mallakastra, ndërroi jetë dje në Spitalin e Traumës.

Dy vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, 31 dhe 28 vjeç, pasi qëlluan punëtorin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke e lënë fillimisht të plagosur rëndë, kërcënuan një tjetër punëtor që shoqëronte Indrit Çelën për riparimin e kondicionerit me të cilin kishin lidhje shoqërore, duke i kërkuar të pranojë ai autorësinë para policisë. Mirëpo, ai u largua nga vendi i ngjarjes, për shkak se rezulton të ishte në kërkim policor për vepra të tjera penale.

Veliaj u arrestua, shumë orë pas krimit, ku me dëshminë e tij ka zbardhur gjithçka ndodhi. Ai deklaroi se ishin vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi që në bashkëpunim me njëri-tjetrin qëlluan me armë punëtorin, pas një debati banal, për shkak se po pikonte ujë kondicioneri. Ai po ashtu tha para policisë se vëllezërit, i kërkuan që ta merrte ai përsipër krimin.

Masat e kërkuara nga Prokuroria, për 4 të ndaluarit, do të shqyrtohen nesër nga Gjykata.


Etiketa: , , ,

Pas