KURBIN – Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorët e vrasjes së dyfishtë mbrëmjen e djeshme në qytetin e Laçit. Në kërkim si të dyshuar për vrasjen e kushërinjve Jushi janë shpallur Markel Gjonbushi 25 vjeç dhe Vincens (Pali) Bushi. Policia po punon për kapjen e autorëve.
Bëjmë me dije se Markel Bushi është një person me precedentë penal. Bushi i dënuar me 9 vite burg në mungesë për grabitje. Ai u arratis nga burgu në 2013, akuzohej për vjedhje me armë. Ai qëlloi me kallashnikov kundër policëve kur shkuan për ta arrestuar. Në 2012 Markel Bushi plagosi një vajzë në tentativë për ta grabitur. Edhe Vincenc Bushi me precedentë penal. Ai ishte i dënuar në 2017 për armëmbajtje pa leje. Në kërkim është shpallur edhe vëllai i një prej autorëve, Manuel Bushi, 23 vjeç.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme në qytetin e Laçit kanë mbetur të vrarë kushërinjtë Mikel Jushi 35 vjeç dhe Jani Jushi 30 vjeç, djem xhaxhallarësh me njëri tjetrin. Nga burime mësohet se konflikti ka nisur për pazare droge. Debati ka nisur brenda lokalit. Të rinjtë pasi janë konfliktuar kanë dalë nga lokali dhe të shtënat me armë kanë ndodhur në një rrugicë pranë lokalit.
Njoftimi i policisë
Kurbin
Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes së dy shtetasve, ndodhur mbrëmjen e djeshme.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë.
Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.
Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Lexo edhe:
Foto, vendi i ngjarjes/ Konfirmohet vrasja e dy kushërinjve Jushi
Autorët i ndoqën 100 metra, detaje si u vranë dy kushërinjtë në Laç