Dy javë pas ekzekutimit të efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Xhulio Prela, arrestohet në Lezhë një nga autorët e krimit.
Mapo mëson se bëhet fjalë për 21-vjeçarin Nikoll Sherrniku. Ai u vendos në pranga dje pasdite, sipas Policisë së Lezhës.
Sherrniku, bashkë me mikun e tij me inicialet B.M., qëlluan me armë zjarri drejt Xhulio Prelës, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Sipas burimeve të ABC, dy palët janë konfliktuar për dritat e njërës makinë që rrezatonin mbi tjetrën.
Bashkëpunëtori në krim, B.M., mbetet në kërkim. Sipas Policisë, në bashkëpunim me homologët, vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Mësohet se hetuesit janë ndihmuar nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë të bizneseve në zonën ku u vra 26-vjeçari. Fillimisht u identifikua makina, më pas policia ka shkuar tek autorët duke i shpallur ata në kërkim.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit. Prela po kthehej nga Shkodra, nga ku kishte dërguar më herët një mikun e tij të porsakthyer nga Anglia. I riu u vra nga një plumb në zemër, ndërsa ishte duke drejtuar makinën tip “Wolkswagen”.
Njoftimi i Policisë së Lezhës:
Zbardhet vrasja e punonjësit të Policisë XH.P, ndodhur më 05.12.2020 ,në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush.
Grupi i posaçëm hetimor pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes, ku mbi bazën e provave të grumbulluara u identifikuan dy autorët e dyshuar të ngjarjes.
Mbasditen e djeshme, Policia vuri në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vrasjes si dhe shpalli në kërkim bashkëautorin tjetër.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Xh. P., punonjës i FNSH-së Shkodër, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit N. Sh., dhe B. M.
Policia bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit N.Sh. dhe në përfundim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur për autorët e dyshuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Armëmbajtja pa leje’.
Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe bashkëautori tjetër shtetasi B.M, ku në bashkëpunim me homologët vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga tërësia e veprimeve dyshohet se shtetasit e lartpërmendur kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Xh.P, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit si dhe vijon kontrollin për gjetjen e armës së krimit.