Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari pritet të dalin sot para Gjykatës së Elbasanit për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre.
Prokuroria kërkon “arrest me burg” për dy personat, që dyshohen per kryerjen e vepres penale “Vrasja me dashje” e kryer ne bashkepunim ndaj viktimës Florian Lamçja.
Hajdari dhe Sanxhaktari u përfshinë në një grindje me sende të forta me Florian Lamçen duke bërë që ky i fundit të humbasë jetën për shkak të goditjeve.
Sipas Policisë, personat e përfshirë në konflikt ishin në gjendje të dehur. Madje, burimet nga uniformat blu bënë të ditur se 34-vjeçari Sanxhaktari në momentin e shoqërimit në Polici ka qenë në një gjendje të rëndë, pas konsumimit në sasi të lartë të alkoolit.
Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, është një personazh i njohur për drejtësinë.
Sanxhaktari është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale, por me sa duket, gjithmonë i ka shpëtuar drejtësisë.
Ndërkohë Sanxhaktari njihet edhe si miku i afërt i Sokol Çelës, ky i fundit i akuzuar si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi A8” goditi makinën e patrullës së Policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.