Kristian Kelmendi është arrestuar së bashku me një person tjetër të dyshuar si autorë të vrasjes së ish-kreut të Komunës Velipojë dhe ish-ndërtuesit Pashko Ujka në Shkodër tre ditë më parë.
Ujkës i është bërë pritë pranë shtëpisë së tij, në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër. Ai mori plagë në shtyllën kurrizore dhe për pasojë humbi jetën në spital.
Në momentin e vrasjes ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vëllai i tij të cilët kanë parë të gjithë ngjarjen. Në dëshminë e saj, gruaja ka deklaruar se thjesht ka parë bashkëshortin e saj që është shembur në tokë, duke konfirmuar se është qëlluar me silenciator.
Hetimet janë përqendruar jo vetëm me funksionin e tij si ish-kryetar i Komunës së Velipojës, por edhe si ndërtues, nisur nga fakti se ai është ndërtues i disa pallateve në qytetin e Shkodrës vitet e fundit. Ndërkohë janë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve dhe banesave përreth që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Pashko Ujka, ish-deputet dhe ish-kryetar i Velipojës, u vra me armë tip silenciator në qendër të qytetit verior.
Por kush ishte Pashko Ujka?
Pashk Ujka, gjatë legjislaturës 2005-2009, ishte deputet i PDK-së në parlamentin Shqiptar, madje ishte kryetar i këtij grupi parlamentar dhe pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike.
Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009, ai doli pjesë e partisë Demokristiane që drejtohej nga Nikollë Lesi.
Në zgjedhjet lokale 2011, Ujka kandidoi po nën siglën e PDK-së i mbështetur nga PS-ja në koalicionin për të ardhmen. Ujka ka shërbyer edhe si kryetar i komunës së Velipojës në vitet 2011- 2015 nën siglën e PS.