Hetimet për vrasjen e ish-policit, Santiago Malko i kanë kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda. Kjo pasi të pandehurit dyshohet se kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal. Është caktuar masa “arrest me burg” për vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, Fatmir Hyseni, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, dhe Dritan Agaj. Ndaj tetë personave janë ngritur akuzat e “vrasjes me paramendim”, “armëmbajtjes pa leje”, “vjedhjes”, vepra keto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të 8 personat e dyshuar për vrasjen janë arratisur ndërsa policia i ka shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë
Në vijim të punës për zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit Santiago Malko, Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune intensive hetimore, arritën të dokumentojnë autorësinë e ngjarjes së ndodhur në datë 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”.
Dokumentimi i autorësisë së kësaj ngjarje të rëndë kriminale është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor dhe më datë 27 shtator 2019 , Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur si masë sigurimi personal “Arrest me burg” në mungesë, ndaj shtetasve:
L. D., E. D., I. S., O. L., D. A., A. M., Xh. N., (të shtatë banues në Tiranë) dhe F. H., (M.,) banues në Vlorë.
Gjykata Tiranë, ka vlerësuar dhe suportuar punën hetimore dhe procedurale të Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë dhe ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për ti klasifikuar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Më herët po për këtë ngjarje është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe shtetasi B. T., banues në Tiranë .
Grupi hetimor gjatë veprimeve procedurale ka arritur të gjej dhe sekuestroj në cilësinë e provës materiale 8 automjete, mes tyre dhe automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .
Grupi hetimor vijon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të, si dhe lokalizimin e kapjen e personave te mësipërm të cilët tashmë janë të shpallur në kërkim.
Lexo edhe:
EMRAT/ Këta janë 8 personat e dyshuar për vrasjen e Santiago Malkos