Gjykata e Pejës ka lënë në burg Avni Ademajn, vëllain e kandidatit të PDK-së për zgjedhjet lokale që mbeti i vrarë dy netë më parë. Avni Ademaj akuzohet për vrasjen e kandidatin tjetër të PDK-së, Blerand Kadriajt.
Ademaj ishte kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Pejës në zgjedhjet e tetorit, ndërsa Kadrijaj kishte qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Deçanit në zgjedhjet e shkuara.
Gjykata e Pejës ka dhënë detaje të tjera lidhur me ngjarjen.
Sipas njoftimit, të mërkurën, rreth orës 20:15, Blerand Kadrijaj bashkë me një dëshmitar L.L. kishin shkuar në një lokal për t’u takuar me Astrit Ademajn, që ishte bashkë me të vëllanë.
Më tej, dy viktimat kishin nisur të debatonin por situata agravoi më tej ku ata nxorën armët dhe për një moment i pandehuri Avni Ademaj ia ka marrë armën të vëllait dhe ka qëlluar drejt Blerand Kadriajt.
Në të njëjtën kohë, Kadriaj ka shtënë në drejtim të vëllezërve Ademaj. Si pasojë e të shtënave, ndërruan jetë Kadriaj dhe Astrit Ademaj. Avni Ademaj (vëllai i viktimës) ka marrë lëndime në dorën e majtë.
Me këto veprime, Avni Ademaj dyshohet për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.