Ish-ministri Spiro Ksera ka qenë i pranishëm sot në Bularat, në familjen e 35-vjeçarit Konstantin Kocifa, i cili u vra dje nga ana e RENEA-s pas rezistencës që bëri me armë, duke qëlluar në drejtim të uniformave blu.
“Ju e vlerësoni se çfarë është. Ne kemi ardhur këtu për ngushëllim, të qëndrojmë pranë familjes, ashtu siç janë traditat e Dropullit”, është shprehur Ksera. Po ashtu në banesën e Kocifas kanë mbërritur sot dhe përfaqësues të Bashkisë së Dropullit, të cilët nuk kanë preferuar që të komentojnë situatën.
Fax News, i pranishëm sot në fshatin Bularat, sjell reagimin e banorëve një ditë pas vrasjes së shtetasit grek nga forcat RENEA. Banorët e fshatit nuk e kanë pritur aspak mirë, vrasjen e 35-vjeçarit. Një nga banorët e quan aspak të drejtë qëndrimin e policisë ndaj shtetasit grek, sepse mendojnë që ai fare mirë mund të ishte arrestuar dhe jo qëlluar.
“Nuk mund të vritej dhe të ekzekutohej në atë mënyrë, nuk e meritonte,” është shprehur një nga banorët e fshatit për Fax News.
Një e afërme e viktimës, e cila është gjithashtu banore e fshatit Bularat me lot në sy shprehet se me vrasjen e tij, i kanë vrarë të gjithë dhe se ai fare mirë mund të kapej edhe gjallë. “Na kanë vrarë të gjithëve, ishte djalë i mirë. Mund ta kishin kapur të gjallë“, tha ajo për Fax News.
Kyeplaku i fshatit nuk ka dashur të komentojë ngjarjen e ditës e djeshme, ai për kamerat e Fax News ka thënë vetëm se familja e 35 vjeçarit, Konstantinos Kacifas kërkon qetësi. “Familja ka nevojë për qetësi. Familja është me dhimbjen e tyre, nuk mund të thonë asnjë fjalë”, tha ai.
Viktima ka qenë banues midis Athinës dhe fshatit Bularat. Ai kishte kryer ushtrinë në Greqi, detaje që i kishte ndarë edhe në rrjetet sociale. Lokalizimi i 35 vjeçarit është bërë me qen kufiri, ndërsa forcat RENEA e kanë qëlluar në gjoks dhe kokë. Mësohet se ai çdo vit zbukuronte fshatin Bularat për festa.
Kujtojmë se paraditen e djeshme shtetasi grek Kostantin Kacifa, 35 vjeç, hapi zjarr mbi makinën e policisë, për shkak se pretendonte se ishte hequr flamuri që kishte vendosur në qendër të fshatit. Pas breshërisë me kallashnikov mbi policinë e Gjirokastrës, në operacion janë angazhuar forcat RENEA nga Tirana për kapjen e tij. Pas arratisë vendodhja e tij u lokalizua e më pas si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë.