Ngjarja në Rrëshen është një vrasje e paralajmëruar. Armando ose Tonin Gjini, që u ekzekutua sot në trotuarin përpara Katedrales, i kishte shpëtuar një atentati me tritol vetëm 3 muaj më parë.
Vetë, Gjini më 6 Maj 2019 kishte denoncuar ngjarjen, duke thënë se ka gjetur një pako me tritol në automjetin e tij, teksa çonte fëmijët në shkollë. Asokohe nuk u zbuluan autorët e ngjarjes, ndërsa tani 48- vjeçari mbeti i vrarë me armë zjarri në mes të qytetit.
Gjini, është i njohur për drejtësinë si pjesë e grupit të Met Kananit. Ai ishte arrestua vitin e kaluar ( 12 maj 2018) si pjesë e grupit të baronit të drogës dhe u mbajt pak kohë në paraburgim.
Gjini u arrestua në kuadër të operacionit masiv të ndërmarrë nga policia shqiptare në bashkëpunim me partnerët ku janë arrestuar në total 18 persona, 13 në Shqipëri, 5 në vendet e tjera. Dyshimet ishin se ky grup kriminal vepronte në linjat e trafikimit të heroinës, Turqi – Greqi – vendet e BE-së, si dhe Turqi – Maqedoni – Shqipëri – vendet e BE-së. Një tjetër aktivitet kriminal, i zbuluar nga hetimet ishte trafikimi i kokainës nga vendet e Amerikës Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendet e BE-së.
Lexo edhe:
Bombë në makinë, pronari e konstaton pasi çoi fëmijët në shkollë
Trafikuan 8.4 ton kanabis, ja momenti kur goditet grupi kriminal i Met Kananit