Presidenti Ilir Meta, ka reaguar nga qyteti i Fierit në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e disa personave të tjerë mesditën e sotme në Elbasan
Presidenti Meta thotë se Elbasani dhe Durrësi janë dy qarqet më problematike, ndërsa shton se dikush do mbajë përgjegjësi për këtë ngjarje.
Kreu i shtetit me tone të ashpra tha se dihet tashmë që policia e Elbasanit bëhet palë e grumbullimeve të lidhura me Taulantin.
Më tej, Meta deklaroi se mbi të gjitha, vendi nuk ka nevojë të cënimit të standardeve zgjedhore.
***
Autor i vrasjes së Pjerin Xhuvanit, është Arbër Papleka, ish-efektiv i forcave RENEA, i cili u vetëdorëzua në polici pak minuta pas ngjarjes.
Mësohet se nga ngjarja janë plagosur edhe disa persona të tjerë, mes tyre një efektive e forcave ‘Shqiponja’. Ajo është identifikuar si Xhensila Shota. Mes të plagosurve është edhe dhëndri i viktimës Pjerin Xhuvani, i cili është nisur me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
I ekzekutuari i sotëm në lagjen 5 maji të Elbasanit, Pjerin Xhuvani, ka qenë i përfshirë në incidentin e 14 marsit, Ditën e Verës. Mbështetës të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, u përfshinë në një konflikt fizik me njëri-tjetrin.
Pjerin Xhuvani u denoncua nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi si organizator i grupit kriminal që dhunoi mbështetësit e PD dhe njëherazi i përfshirë edhe në laboratorin e kokainës në Xibrakë.
Me profesion mjek, ai ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë.
Fillimisht policia e Elbasanit është njoftuar për një automjet që po shpërndante para për vota në lagjen “5 maji” dhe aty ka mbërritur një patrullë e “Shqiponjave”. Në këtë moment ndodh një përplasje verbale dhe fizike mes personave që ndodheshin në makinë dhe një grupi tjetër, deri në përdorimin e armëve të zjarrit.