Aktualitet

Video/ Vrasja e Santiago Malkos, arrestohet në Durrës Elvis Gaçaj






               Publikuar në : 13:48 - 09/10/19 |
mapo.al

Policia e Durrësit ka arrestuar sot, pak pas mesnate, Elvis Gaçajn, person i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos në kryeqytet. Ai fillimisht i ka bërë rezistencë policisë, duke iu shmangur disa postblloqeve, por kjo arrati nuk ka zgjatur shumë. Në momentin e arrestimit atij iu gjet dhe një armë pa leje.

Emri i tij është i njohur për autoritetet, dhe klasifikohet si person me rrezikshmëri të lartë. Në prill të vitit 2018 ai bashkë me persona të tjerë u arrestuan në afërsi të shkollës “Partizani” në Tiranë. Policia në atë kohë tha se ata po bëheshin gati të kryenin një atentat, pasi u kapën me një pistoletë pa leje. Por nuk dihet se si ata kanë arritur t’i shpëtojnë drejtësisë.


Gaçaj dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin që iu bë Santiago Malkos, në zonën e ‘Xhamllikut’. Elvis Gaçaj, ne 2015 ka qenë objektiv i një atentati tek “Lulishte 1 Maji” në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos. Ai akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike.



Në atentatin tek Lulishte “1 Maji” u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Nga atentati shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura.

Elvis Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Njoftimi i policisë së Durrësit

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariati i Policisë Durrës, në vijim të planit për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga Strukturat Policore se dy shtetas lëviznin me një automjet me armë zjarri me vete kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Taulantia”.

Shërbimet e Policisë në rrugën “Taulantia” kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit që lëviznin presonat e dyshuar, automjet i cili kryente manovra të dyshimta në rrugë.

Duke marrë parasysh informacionin e marrë se në këtë mjet mund të kishte persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Policia ka ngritur një perimetër të gjërë rrethimi për kapjen e tyre.

Drejtuesi i automjetit sapo ka parë Policinë është larguar me shpejtësi së bashku me pasagjerin dhe gjatë largimit pasagjeri, i cili ishte dhe me masë sigurie “Arrest në shtëpi” ka hedhur në rrugë një armë zjarri pistolete me fishekë.

Pololicia ka bërë të mundur bllokimin, neutralizimin dhe kapjen në flagrancë të shtetasve E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe K. D., 34 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasi E.G., pasagjer në mjet është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë për veprat penale kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu ka qenë në masë sigurie ” Arrest në shtëpi” për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shtetasi K. D. është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtje pa leje. Ndaj tij janë referuar materialet në Prokurori për veprat penale “Moskallëzimi i krimit “dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë CZ çeke, dy krehëra me 26 fishekë kalibër 9 mm dhe automjeti tip BMW.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas