Do të jetë analiza e ADN-së ajo që do të vendosë lidhur me dyshimet e ngritura nga ana e policisë së Fierit ndaj Gentian Shahinajt, banor i lagjes Sheq i Vogël të Fierit, i akuzuar për vrasjen e studentit 21-vjeçar, Andi Prifti. Shahinaj që mbahet në qeli për shkak të dyshimeve dhe një gërvishtje që mund të jetë shkaktuar nga thonjtë, u la në masa sigurie me burg deri në marrjen e një përgjigjeje shkencore që do të saktësonte nëse ai është apo jo autori i krimit. Ndërkohë, babai i viktimës ka deklaruar para hetuesve se dy persona i kishin thënë që djalin ia kishte vrarë i arrestuari Shahinaj, pas humbjes në një lojë bixhozi të një sasie prej 35 mijë lekësh.
Në themel të provës është gjetja nga ana e ekspertëve dhe mjekut ligjor të disa pjesëve të vogla lëkure në thonjtë e viktimës, pjesë të cilat dyshohen se i përkasin vrasësit të tij dhe që janë shkëputur nga lëkura e këtij të fundit gjatë përleshjes që mund të ketë ndodhur mes tyre përpara se ai të goditej me thikë e të ndërronte jetë.
Është organi i akuzës që dyshon pasi ka arritur të konstatojë te 25-vjeçari Shahinaj një shenjë të gërvishture në pjesën e sipërme të shpatullës së majtë, e cila mendohet të jetë shkaktuar me thonj. Këtë fakt kryesor por edhe fakte e prova të tjera prokuroria i paraqiti ditën e djeshme në seancën e masës së vlerësimit që u zhvillua në një nga sallat e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier. Në seancë kanë qenë të pranishëm edhe familjarët e tij si dhe babai Pëllumb Shahinaj. Gjyqtari i çështjes, Gentian Hamitaj lejoi pjesëmarrjen e medias vetëm në çastet e para të fillimit të seancës dhe më pas gjithçka u zhvillua pa praninë e saj.
Prokurori i kësaj çështjeje, Çlirim Sina i parashtroi fillimisht gjykatës provat e siguruara nga organi i akuzës ndaj 25-vjeçarit Gentian Shahinaj. Sipas tij, 21-vjeçari Andi Prifti ka shkuar paraditen e së shtunës në një lokal bastesh sportive, ku ka tërhequr shumën prej 60 mijë lekësh të reja të fituar me një skedinë. Më pas ai ka luajtur ende në makinetat e lojërave të fatit dhe ka fituar edhe 8700 lekë të reja. Pasi ka marrë këtë shumë parash, Prifti ka shkuar në një lokal në lagjen “1 Maji” dhe sërish ka luajtur aty me letra me tre djem të tjerë, duke vënë madje edhe baste. Një prej këtyre djemve ka qenë ortak në lojë së bashku me viktimën, ndërsa i arrestuari Gentian Shahinaj dhe një djalë tjetër kanë qenë kundërshtarë. Në këtë lojë bixhozi, 21-vjeçari Prifti së bashku me ortakun e tij kanë fituar edhe 3500 lekë të reja. Rreth orës 21:00 ai është larguar nga lokali i ndodhur në lagjen “1 Maji” dhe ka shkuar sërish tek bari ku vendoseshin baste sportive. Pasi ka qëndruar aty për rreth gjysmë ore, është larguar i vetëm me motorin e tij. Që nga ky moment, askush nuk e ka parë më 21-vjeçarin Andi Prifti. Ndërsa fqinji i tij, Gentian Shahinaj, sipas dëshmive të punonjësve të barit në lagjen “1 Maji” ka rezultuar të jetë larguar prej aty pak kohë pas viktimës. Shahinaj ka si alibi dëshminë e të atit të bërë edhe publike, sipas të cilit, Gentiani ka shkuar në shtëpi në orën 21:30 dhe nuk ka dalë më jashtë. Ndërkaq ka qenë babai i viktimës, Ligor Prifti, ai që ka deklaruar para hetuesve se dy persona, të cilët i njeh, i kanë pohuar se djalin ia kishte vrarë Gentian Shahinaj. Pasi ka parashtruar këto fakte, prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të 25-vjeçarit Gentian Shahinaj dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg pa afat” ndaj tij. Vetë autori nuk ka folur gjatë seancës, e cila u zhvillua pa praninë e medias. Ndërkohë që pala mbrojtëse, avokat Vladimir Cjapi hodhi poshtë pretendimet e akuzës, duke pretenduar se nuk ka asnjë provë dhe fakt që implikon klientin e tij në këtë vrasje. Ai i kërkoi gjykatës të cilësojë të paligjshëm urdhrin e arrestit të lëshuar nga prokuroria, si dhe të mos vlerësojë me masë arresti burg pa afat klientin e tij. Gjyqtari Hamitaj në fund të seancës, pasi administroi thëniet e palëve, provat dhe deklarimet e tyre, vendosi arrest me burg pa afat për shtetasin Gentian Shahinaj.
Zbardhet përleshja, viktima veç 4 thikave, edhe gërvishtje me thonj
Prokuroria dyshon se viktima është vrarë në një vend tjetër dhe jo atje ku u gjet. Kjo pasi në vendin e ngjarjes nuk ka pasur sasi të madhe gjaku, ndonëse sipas mjeko-ligjorëve, goditja me thikë në fyt është e kryer si nga ndonjë kasap dhe për shkak të dëmtimit të venave duhej të kishte pasur shumë gjakrrjedhje, gjë që shton dyshimet mbi të arrestuarin, që duke qenë çoban e njihte mirë këtë pjesë të trupit. Ndërkohë policia dhe prokuroria nuk kanë ende një skenë krimi apo një armë për krimin. Dyshohet se viktima është transportuar në vendin e ngjarjes pak kohë pas kryerjes së krimit. Sipas mjekut ligjor, në çastin që është gjetur kufoma kishin kaluar të paktën 15 deri në 18 orë nga ekzekutimi. Nga këqyrja e kufomës së Priftit, mjeko-ligjorët kanë konstatuar gjithashtu veç goditjeve me thikë, edhe të gërvishtura në njërën këmbë, në shpatull e qafë, që dyshohet të jenë shkaktuar me thonj. Ky fakt ka ngritur dyshimet se 21-vjeçari mund të jetë goditur pabesisht dy herë me thikë pas shpine dhe ka reaguar menjëherë duke u përleshur me autorin. Në thonjtë e viktimës janë gjetur pjesë lëkure, që dyshohet se janë shkëputur nga trupi i autorit. Duke u kacafytur me njëri-tjetrin, autori e ka qëlluar edhe një herë tjetër me thikë në fyt duke i shkaktuar hemorragji të madhe. Më pas vrasësi e ka goditur sërish me thikë në kraharor duke e lënë të vdekur në vend. Në këto kushte, vrasësi e ka hedhur trupin e tij në një kanal në kryqëzimin e rrugëve në Seman të Fierit, në vendin e quajtur “Kulla e ujit”. Për shkak se gjatë kontrollit fizik në trupin e Gentian Shahinajt janë gjetur të gërvishtura të ngjashme me ato që shkaktohen nga thonjtë, policia dhe prokuroria kanë vendosur ndalimin e tij.