Dalin në dritë të tjera detaje nga vrasja e Bujar Çelës, vëllait të shumëkërkuarit Talo Çela, më 17 shtator të këtij viti në Bradashesh, Elbasan.
Nuredin Dumani u zbulua si autor i dyshuar i vrasjes pas hetimeve, ku rezultoi se 20 minuta para krimit ai furnizoi me karburant makinën që përdori në krim.
Ky fakt konfirmohet dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, ndërkohë që tek lekët iu gjetën shenjat e gishtërinjve.
Dumani, sipas Prokurorisë, dyshohet se e vrau Bujar Çelën në shenjë hakmarrje pasi dyshonte se Talo Çela i ekzekutoi mikun e ngushtë, Klevis Kapllani, në Rrogozhinë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajte pa leje”.
Dumani është një person i skeduar nga policia për ngjarje të rënda kriminale. Ai akuzohet për implikimin në dy atentate në Durrës, me një bilanc prej 4 viktimash; Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdyli.
Viktima, Bujar Çela, ishte baba i tre vajzave, i martuar dhe jetonte në këtë zonë, ndërsa përshkruhet nga banorët si një njeri i qetë, punëtor dhe që shihte punët e tij. Ndërsa me të vëllanë, Talo Çela, thuhet se nuk kishte marrëdhënie, madje nuk flisnin vitet e fundit.