Policia ka reaguar zyrtarisht për arrestimin e Enver Divës dhe Besmir Xhixhës si të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës në prill të vitit të kaluar, si dhe janë publikuar pamje nga operacioni i policisë.
Në kuadër të operacionit ‘Vazhdimi’, policia ka prangosur Besian Xhixhën, 30 vjeç, banues në Larushk, Krujë dhe Enver Divën, 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin.
Për këta persona, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” , kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimi”.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar dhe siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes së Besmir dhe Viktor Haxhias, (vëllezër).
Nën drejtimin e SPAK-ut vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.
Materialet do t’i dërgohen Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ngjarja, arrestimet dhe bashkëpunëtori i Policisë
Vrasja e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia ndodhi më 27 prill, rreth orës 16:40 te tregu i makinave, në qytetin bregdetar të Durrësit. Ata u qëlluan teksa po lëviznin me makinën e tyre tip “Golf” ku u gjetën të pajetë brenda në makinë.
Altin Ndoci, është një ndër autorët e dyshuar të ekzekutimit të vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës. Ndoci akuzohet nga Prokuroria gjithashtu edhe për vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit në qytetin e Durrësit në mars.
Në pranga për këtë ngjarje ka rënë edhe Klevis Alla, i cili tashmë ka pranuar të bashkëpunojë me policinë e Durrësit, duke treguar mënyrën se si kanë kryer vrasjet, vendin e hedhjes së armëve, braktisjen e makinës së krimit dhe emrat e personave që kanë marrë pjesë në vrasje.
Alla është lakuar nga burime brenda hetimit se ka qenë personi kryesor që ka çuar hetimet drejt kapjes së autorit kryesor, Altin Ndocit.
Ndryshe nga ky i fundit, Alla nuk e ka ankimuar vendimin e Shkallës së parë duke pranuar për rrjedhojë akuzat dhe përfshirjen në dy ngjarjet e bujshme.
Ndërkohë, prokuroria është duke hetuar edhe një pistë tjetër për shkakun e vrasjes së vëllezërve Haxhia, e cila lidhet me grabitjen e 5 milion eurove në Rinas. Dyshohet se vëllezërit Haxhia strehuan për disa ditë njërin nga grabitësit duke ngjallur konflikte për një sasi parash, të cilat kanë humbur.
LEXO EDHE: