I ekzekutuari i sotëm në lagjen 5 maji të Elbasanit, Pjerin Xhuvani, ka qenë i përfshirë në incidentin e 14 marsit, Ditën e Verës.
Mbështetës të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, u përfshinë në një konflikt fizik me njëri-tjetrin.
Pjerin Xhuvani u denoncua nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi si organizator i grupit kriminal që dhunoi mbështetësit e PD dhe njëherazi i përfshirë edhe në laboratorin e kokainës në Xibrakë.
Me profesion mjek, ai ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë.
Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta, ndërkohë që dyshohet se Xhuvani, 56 vjeç, u qëllua nga një ish-efektiv i RENEA. I plagosur ka mbetur dhëndri i tij.
Fillimisht policia e Elbasanit është njoftuar për një automjet që po shpërndante para për vota në lagjen “5 maji” dhe aty ka mbërritur një patrullë e “Shqiponjave”. Në këtë moment ndodh një përplasje verbale dhe fizike mes personave që ndodheshin në makinë dhe një grupi tjetër, deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
Gjithashtu, e plagosur ka mbetur edhe një efektive e “Shqiponjave”, Xhensila Sota, e cila ka marrë një plumb në këmbë, por fatmirëësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Drejt vendit të ngjarjes janë nisur nga Tirana forca RENEA dhe ekipe nga FNSH.