Një debat i momenti u bë shkak që 33-vjeçari Mihal Thimjo të vriste Gëzim Saraçin në Gjirokastër, mbrëmjen e së mërkurës. Mësohet se autori, Mihal Thimjo, ishte muzikant, ndërsa më herët kishte punuar edhe me mjete të tonazhit të rëndë.
Autori e ka pranuar krimin duke deklaruar se viktima i kishte thënë grek, shprehje të cilën ai e ka marrë si ofendim dhe më pas konflikti mes tyre ka marrë përmasa tragjike. “E qëllova se më tha grek. Më tha ju kaurët e qelbur keni bërë me shume lekë se ne. Ti ke vilë trekatëshe, unë nuk kam“, u shpreh autori para policisë.
Gëzim Saraçi dhe Mihal Thimjo kishin njohje të vjetër familjare me njëri–tjetrin, madje ditën e djeshme kishin qenë për një drekë në Poliçan të Zagorisë.
Thimjo u arrestua nga policia 6 orë pas ngjarjes së rëndë, në automjetin e tij duke udhëtuar në një rrugë nacionale pasi kishte ndërruar rrobat e krimit në një banesë.
NJOFTIMI
Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin Poliçan-Suhë ishte gjetur i pajetë shtetasi G. S., strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.
Falë punës së mirorganizuar hetimore të kryer nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit.
Rreth 50 forca policore, pas 6 orë kërkimesh, krehje të zonës, kontrolleve në disa ambiente dhe banesa të dyshuara dhe falë përdorimit të metodave proaktive, bënë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit, kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Th., 33 vjeç, banues në Dervician, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin G. S., 57 vjeç, banues në Humelicë, Gjirokastër, duke i shkaktuar vdekjen.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.