Nard Polia u vra pasditen e së mërkurës në një atentat të tipit mafioz në fshatin Grudë të Shkodrës. 35-vjeçari kishte një bujtinë të njohur në Theth dhe po ashtu punonte si inspektor i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Dyshimet e para janë për një vrasje me pagesë, por ende policia dhe prokuroria nuk kanë publikuar pistën e hetimeve.
Dëshmitari okular Xhovan Mirashi është marrë në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa media ka arritur të mësojë detaje të dëshmisë së tij. Mirashi ka qenë në vendin e parë të fuoristradës që drejtohej nga Polia. Ai ka rrëfyer se Nardi kishte shkuar për të marrë makinën në servisin e tij dhe të dy ishin në rrugë duke testuar makinën kur përpara u ka dalë një person me motor i veshur me të zeza.
Atentatori u ka prerë rrugën dhe më pas me qetësi i është afruar makinës së tyre dhe ka nxjerrë armën.
Dëshmitari tregon se e kishte pyetur shokun e tij se kush ishte personi që u preu rrugën, por Polia i ishte përgjigjur se nuk e kishte idenë.
“Një motorçikletë TMAX ngjyrë gri, erdhi përballë dhe drejtuesi me skafandër të zezë qëlloi në drejtimin tonë. Jam ulur dhe dëgjova vetëm zhurmën e plumbave që shponin trupin e Nardit”, dëshmoi Xhovani Mirashi, mik i viktimës dhe dëshmitar okular.
Policia dyshon se autori është një vrasës me pagese sepse qitja e plumbave me breshëri ka qenë shumë e saktë, duke eleminuar vetëm objektivin pa prekur shokun e tij që ishte në vendin e parë të makinës. Ekspertët kanë gjetur 20 gëzhoja në vendin e ngjarjes, kurse në trupin e viktimës 18 plumba.
Sipas policisë ky fakt tregon se ekzekutori mund të jetë një person i përgatitur mirë me armët e zjarrit dhe se ka studiuar zonën, lëvizjet e shënjestrës së tij si dhe mënyrën se si do të humbte gjurmët duke djegur motorin rreth 2 km larg vendit ku kreu atentatin.
*Në foto Nard Polia dhe vendi ku u ekzekutua