SHKODËR – Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e 25-vjeçarit Emiljano Ndou në Bardhaj të Shkodrës.
Autori i dyshuar i krimit, Mark Kodra, 47 vjeç, e ka qëlluar viktimën me automatik kallashnikov, pasi pretendon se 25-vjeçari kishte kohë që e shqetësonte atë dhe familjen e tij.
“Nuk e durova më. Ma kishte sjellë te hunda”, ka deklaruar autori në momentin e arrestimit nga policia e Shkodrës.
Mësohet se në fjalët e para për policinë, autori i dyshuar ka deklaruar se viktima para se ta vriste i ka kaluar “me një motor përpara shtëpisë, duke bërë shumë zhurmë”.
47-vjeçari, ka treguar se në atë moment ka marrë armën dhe ka dalë nga banesa si dhe ka qëlluar në drejtim të Emiljano Ndout, duke e lënë të vdekur në vend.
Nga të njëjtat burime, dyshohet se më përpara “viktima ka ngacmuar vajzat” e shtetasit Mark Kodra, dhe se palët edhe më përpara kanë debatuar për këtë çështje.
Familjarët e autorit të dyshuar deklaruan se 47-vjeçari, ka menduar se 25-vjeçari nuk ka vdekur ndaj është futur sërish në banesë.
Gjithashtu, tregohet nga burimet, se autori ka qëndruar në shtëpi pas vrasjes dhe pranë vetes, afër divanit mbante armën me të cilën kreu vrasjen, duke mos tentuar të fshihet.
Mësohet gjithashtu se në momentin kur ka mbërritur policia, autori nuk e ka pranuar krimin, duke u shfaqur i qetë.
Ngjarja
Një 25-vjeçar ka mbetur i vrarë të premten me armë zjarri në Shkodër.
Burime nga Policia e Shkodrës, thanë se viktima është shtetasi Emiljano Ndou, ndërsa policia ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj vrasjeje.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Bardhaj, në afërsi të një kalçetoje dhe sipas policisë, dyshohet se konflikti ka nisur për motive të dobëta, ku shtetasi Mark Kodra, 47-vjeç, banues në fshatin Bleran Bardhaj, dyshohet se ka vrarë me armë zjarrin shtetasin Emiljano Ndou, 25-vjeç, banues në fshatin Bleran Bardhaj.
Sipas njoftimit të policisë, theksohet se është sekuestruar edhe arma e zjarrit kallashnikov, me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po punon, për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
LEXO EDHE:
Tronditet sërish Shkodra, ekzekutohet me kallashnikov një 25-vjeçar