Dalin detaje të reja pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme në Sukth, ku u ekzekutua me armë zjarri Arben Mërkuri (Ismaili) 48-vjeç, person me precedent në fushën e narkotikëve dhe të krimeve kundër personit.
Ai është qëlluar me dy plumba nga persona ende të pa identifikuar, teksa ishte në dyqanin e tij, në qendër të Sukthit.
Ende nuk janë zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë, ndërsa policia po heton ngjarjen sikurse është vënë në kërkim të autorëve.
Arben Mërkuri është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, kjo pasi ka qenë i përfshirë edhe në dhunën e ushtruar ndaj biznesmenit amerikano-libanez, Faadi Mitri.
Ngjarja ndodhi pranë kryqëzimit të Laknasit, pasditen e 10 shtatorit 2016. Biznesmani u rrah për shkak të investimit që po kryente në zonën e Gjirit të Lalzit. Arben Mërkuri kishte pseudonimin Maneci dhe sipas raportimeve në media, ai dyshohet edhe si vrasës me pagesë.
Lidhur me dhunimin e biznesmenit policia arrestoi në atë kohë 3 autorët e dyshuar të kësaj ngjarje shtetasit, Landi Muharremi (i njohur ndryshe si rrumi i Shijakut), Arben Mërkuri, Skënder Krahja.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, pas vrasjes së 48 vjeçarit ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit. /Liberale.al/