Ngjarja e rëndë kriminale që ndodhi sot në mes të Tiranës, ku mbeti i vrarë Kudret Saliaj dhe u plagos avokati Adriatik Cama, ka tronditur opinionin publik.
Viktima Saliaj, i cili u vra nga ish-vjehrri, ishte në proces divorci me bashkëshorten për shkak të përplasjeve dhe konflikteve të mëhershme që kanë pasur.
Ky rast, nuk është i padëgjuar por është bërë publik në media pak kohë më parë.
Konflikti brenda familjes ka nisur që herët. Çifti i bashkëshortëve janë konfliktuar e akuzuar për tradhti dhe dhunë.
Historia, nga procesi i divorcit deri në vrasjen e sotme
Nusja e shtëpisë, një vajzë e re 32-vjeçare, është larguar nga shtëpia e bashkëshortit, Kudret Saliajt, duke lënë pas 3 fëmijët. Nga palët asokohe kishte pretendime të kundërta.
Familja e burrit pretendonte se nusja e shtëpisë, Dhurata Saliaj, është larguar me vullnetin e saj. Ndërsa kjo e fundit thotë se ishte vetë bashkëshorti që e dërgoi tek prindërit e saj.
Por si rrodhën ngjarjet që situata erdhi deri në këtë pikë?
Brenda familjes ka pasur akuza dhe kundërakuza, pretendime për tradhti bashkëshortore, mosmarrëveshje dhe deklarata për dhunë fizike dhe psikologjike.
Familja e bashkëshortit, konkretisht vjehrra e 32-vjeçares, mbesa e burrit të saj, madje edhe 2 fëmijët e saj, e akuzojnë Dhurata Saliajn për tradhti bashkëshortore.
Ata thonë se ka prova, ndërsa vetë Dhurata mohon çdo gjë të tillë dhe i konsideronte sajesa e trillime. Por konflikti brenda familjes u tensionua akoma më shumë.
Ndaj Dhuratës u bë një denoncim në polici, ku akuzohej se kishte ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj fëmijëve të saj dhe mbesës së burrit, si dhe të kishte kërcënuar vjehrrën.
Pas këtij kallëzimi, Dhurata Saliaj u arrestua më datë 3 Tetor. Pasi u arrestua, Dhurata doli përpara Gjykatës së Tiranës dhe trupa gjykuese vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie.
Kudret Saliaj, i cili u vra nga ish-vjehrri paditi në Gjykatën e Tiranës bashkëshorten, të bijën e autorit, ndërsa sot ishte seanca e pestë e procesit të divorcit.
Pas seancës gjyqësore, Kudret Saliaj ulet në një kafene bashkë me avokatin Adriatik Cama. Në këtë moment, M.Picari, ish-vjehrri i viktimës, futet në lokal dhe qëllon Saliajn 4-5 herë duke e lënë të vdekur ndërsa plumbat kapën edhe avokatin.