Gjykata e Tiranës po zhvillon sot seancën për masën e sigurisë për personat e ndaluar për vrasjen e Mehmet Qemes të ndodhur në rrugën ‘5 Maji’ në Tiranë, mbrëmjen e së hënës.
Mësohet se prokuroria ka kërkuar masën ‘arrest me burg’ për Marjus Demën, autorin e vrasjes si dhe ‘arrest shtëpie’ për katër personat e tjere te akuzuar per moskallzim krimi.
Konkretisht bëhet fjalë për Frenkli Myftarin, Xhuliano Koçin, Erlin Peka dhe Blerim Hotin. Për dy shtetas të tjerë, Eder Pjetra dhe Marius Halili është kërkuar ‘detyrim paraqitje’, të cilët kanë dijeni për ngjarjen.
Ndërsa për autorin, Marjus Dema është ngritur akuza e ‘vrasjes me dashje’ megjithëse ai ka deklaruar se gjithçka ishte aksidentale dhe ai nuk e dinte që arma ishte e mbushur.
Në cilësinë e dëshmitarëve të ngjarjes, grupi hetimor i cili po heton zbardhjen e vrasjes ka marrë edhe dëshminë e një pronari servisi për makina i cili ndodhet pranë vendngjarjes.
Në dosjen e siguruar që prokuroria ka dorëzuar në gjykatë për të arrestuarit, ai ka rrëfyer para grupit të hetuesve se atë natë po punonte deri vonë në servis, dhe dikush e kishte marrë në telefon dhe i thotë ‘plasi arma te shtëpia e bardhë’.
“Ai vetë ka deklaruar se nuk kishte dëgjuar asnjë krismë pasi ishte në servis dhe kishte dalë jashtë duke u afruar për të parë se cfarë kishte ndodhur. Ai tregon se kishte parë disa djem që po largoheshin në drejtime të ndryshme, kishte parë edhe një person që quhej Marius, ishte i shtrirë dhe po qante po bërtiste po fliste përcart, ‘o cfarë bëra më vdektë goca’, dhe fliste në telefon. Kishin dalë edhe banorë të lagjes pasi ishte krijuar situatë alarmante mesa kishte parë. Marius me mbiemër Dema, mesa dinte ai, punonte në call center te lokali të shtëpia e bardhë.” thuhet në dosjen hetimore.