Mapo Letrare

Vrasje në sallën e leximit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:04 - 16/05/20 |
Nga Xheni Shehaj

Rrëfenja e bibliotekares (3)


Kisha kuptuar thelbin e shfaqjes së personazheve. Mjafton që unë të zgjidhja librin që dëshiroja dhe personazhet do të dyndeshin pa një, pa dy. Ritualin e netëve në bibliotekë e përsërita shumë herë. Dëshirat e mia ndryshonin shpesh dhe kështu kaloja netë të paharrueshme. Nuk qëndroja përnatë në bibliotekë nga frika se mos diktohesha e i bija në sy dikujt, ndaj caktova dy ditë në javë, të hënën dhe të mërkurën për të “fjetur” në bibliotekë. Atë të mërkurë iu vura leximit të njërit prej librave të Agatha Christie, “Vrasje në Orient Ekspres”.


Ngjarja po më tërhiqte shumë dhe arrita deri në pikën që isha aq e përpirë pas librit sa nuk e çova fare nëpër mend se personazhet e romaneve të verdha do të dilnin nga librat e do mund t’i shihja pranë meje. Fiks në çastin kur libri po bëhej edhe më joshës, ndjeva një aromë duhani. Ishte llulla e ndezur e Sherlok Holmsit, i cili po më vështrone ngeshëm e ndërkohë po analizonte qenien time deri në detajet që as unë vetë nuk i njihja. Pa u prezantuar ende ai ligjëroi gjithë sa kishte zbuluar për mua. U ngrita në këmbë dhe nisa ta duartrokisja zotësinë e tij. Doktor Uatsoni më buzëqeshte në anën tjetër.


Çaf – çuf, çaf – çuf… Zhurma e një treni u dëgjua diku përjashta. Mesa dija unë stacioni më i afërt hekurudhor ishte ca larg. Iu afrova dritares dhe zgjata kokën për të parë. Në errësirë dallova një figurë burri shtatvogël që po zbriste nga treni. Ishte dedektivi belg, Herkul Puaro. Sa hap e mbyll sytë, treni bashkë me shinat ishin zhdukur. Puaroja ngjiti shkallët, u përshëndosh me kolegun e tij Holms, si dhe me Uatsonin ndërsa mua më dhuroi një buzëqeshje.


Mendova t’i pyesja miqtë e mi të rinj nëse po punonin me ndonjë rast specifik, por sa do të bëja pyetjen në derë u shfaq Mis Marpëll. Kishte me vete një komplet filxhanësh çaji, një ibrik dhe një furnelë. Na ftoi të gjithëve për një çaj mes miqsh. U shtruam në sallë dhe ndërkohë që uji ziente ata ia nisën bisedës mbi një rast të komplikuar ku babai kish vrarë të birin, këtij të fundit nuk i ishte gjetur trupi, ndërkohë që e ëma pohonte se djalin e kishte parë të hidhej në lumë.

Çaji ishte gati dhe unë mora filxhanin tim, pasi falenderova zonjën, u struka në një qoshe dhe dëgjoja hipotezat e secilit prej tyre për rastin në fjalë. Kur u duk se kishin rënë thuajse në një mendje, zërat u shtruan pak nga pak dhe salla rifitoi qetësinë e humbur. E para që u ngrit të largohej ishte Mis Marpëll-i. Pasi më shtrëngoi në një përqafim nëne, më premtoi se herën tjetër kur të takoheshim, do të sillte një triko leshi të punuar apostafat për mua. “Do ta filloj sapo të mbërrij në shtëpi”, më tha. E falenderova sërish për çajin, trikon dhe shoqërinë e saj e u ndamë.

Poshtë godinës u dëgjua sërish zhurma e trenit, që me siguri do të merrte me vete Herkul Puaronë. U ndava edhe me belgun. Fill pas trenit oborri i godinës u zu nga një karrocë që do të transportonte Sherlokun dhe Xhon Uatsonin. Për Sherlokun kisha dobësi të veçantë dhe teksa e përqafoja dëgjova në vesh zërin e tij:

– Mos ke rënë në dashuri me mua vogëlushe?

I buzëqesha dhe ndjeva të skuqem. Ai më përkëdheli flokët dhe u zhduk brenda karrocës, e cila u nis me shpejtësi drejt Londrës. Kisha mbetur vetëm, në këmbë pranë dritares dhe me ndjesinë e përqafimeve të heronjve të mi. Kohën që mbeti e kalova në një cep të sallës duke fjetur me copa. Mëngjesi më gjeti zgjuar, në pritje të rojes për të hapur godinën, në mënyrë që kur ai të largohej të përvidhesha në kafenë aty afër e ta nisja ditën si një punonjëse normale.

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas