Dikur

Vrasjet, grabitjet dhe dëmet e grekëve mbi popullatën shqiptare






               Publikuar në : 18:17 - 08/07/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


VIJON NGA NUMRI I KALUAR

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitin 1944

  1. Rezoluta e Shoqërisë “Çamëria” për Sekretarin e Shtetit të SHBA

Kur po zbatohej vala e fundit e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Shoqëria “Çamëria” në Konektiket (SHBA), më 18 tetor 1944, i dërgoi një rezolutë Sekretarit të Shtetit të SHBA, Zotit Cordell Hull. Në tekstin e rezolutës, përveç të tjerave, kërkohet nga autoritetet amerikane që Shqipërisë t’i njihet e drejta për integritet të plotë tokësor, duke i përmbledhur krahinat e Çamërisë dhe Kosovës.

Në letrën shoqëruese për Sekretarin Hull, ata sqarojnë se rezoluta bashkëngjitur përmban një “lutje për të dëgjuar me paanësi kërkimet e drejta të Shqipërisë” që të përdoret prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose prej çdo delegati të autorizuar në çdo mbledhje, konferencë ose kuvend që trajton statusin (gjendjen) e Europës pas lufte. Ata shpresonin që personalisht Zoti Cordell Hull ose me anë delegatësh do t’i ndihmonin lutësit e kërkesës duke iu referuar rezolutës, kurdoherë që duhet, për qëllimet e dëshiruara, për të siguruar një konsiderim të paanshëm të të drejtave të popullit shqiptar të shtypur.

  1. Teksti i Rezolutës dërguar Zotit Cordell Hull

Ndjenjat e shfaqura në një mbledhje të qytetarëve amerikanë, prej race shqiptare, dhe prej shqiptarësh që banojnë në Amerikë, të thirrur për të biseduar gjendjen (statusin) e Shqipërisë pas lufte, përmblidhen në këtë rezolutë:

Kurse Shqipërisë i janë shkëputur popullata dhe toka me akte të ndryshme agresioni, pa provokim, me një periudhë shumëvjeçare; dhe kurse okupimi i fundit i Shqipërisë prej agresionit italian të Musolinit ishte kulmi i përçapjeve të ndryshme prej shteteve fqinjë ta shtinin në dorë pozitën gjeografike të Shqipërisë si një lëmë konkurrence internacionaliste, pa marrë parasysh nevojat e vendit, përfundimet kulturore ose pozitën e saj (me vend) në familjen e kombeve; dhe

Kurse shqiptarët në çdo kohë kanë dëshiruar vetëm tokat që u përkasin historikisht kufijve të Shqipërisë me popullatë tepër të madhe shqiptare; dhe

Kurse shqiptarët kanë pësuar vuajtje trupore, mendore dhe ekonomike të shkaktuara prej shteteve fqinj kundër një populli të pathyeshëm që reziston zgjedhën e huaj; dhe

Kurse shqiptarët në vendin e lindjes e kanë ndihmuar përpjekjen luftarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me aktivitet lufte çetash (guerilë) kur rezistenca e organizuar nuk ishte e mundur (praktike); dhe

Kurse shqiptarët në Amerikë dhe në kombet e tjera jo vetëm luftuan dhe vdiqën në fuqitë e armatosura për qëllimet e shfaqura të Kombeve të Bashkuara, por dhe financiarisht ndihmuan përpjekjen luftarake; dhe

Kurse parimet e Shteteve të Bashkuara të shfaqura në Kartën e Atlantikut (zbatohen) shikohen përfundërisht në çështjen shqiptare ashtu si u shfaqën veçanërisht prej parimeve dy dhe tre “asnjë ndryshim tokësor që nuk përputhet me dëshirat e shfaqura lirisht të popujve që u takon (përket)” e drejta e gjithë popujve të zgjedhin formën e qeverimit nën të cilën dëshirojnë të jetojnë, të drejtat sovrane dhe vetëqeverimi do t’u kthehen atyre që i kanë humbur me forcë;

Andaj tani votohet që Shqipëria moralisht dhe legalisht e ka të drejtën e vetëvendosjes, për të cilën u sakrifikuan aq jetë njerëzore, ka të drejtën për integritet të plotë tokësor, duke i përmbledhur krahinat e Çamërisë dhe Kosovës, dhe ka të drejtën t’i jepet një rast i plotë dhe i lirë që të gatuajë paqësisht fatin e një populli dhe race liridashëse; dhe

Votohet gjithashtu që kopje të kësaj rezolute t’ju dërgohen shteteve që interesohen për Kartën e Atlantikut dhe përfaqësuesve të gjithë shteteve që priten të ndodhen në konferencat ku do të trajtohet restorimi i paqes që të na dëgjohen me paanësi kërkimet nga ana e Shqipërisë.

Rushit I. Didan, Kryetar i Kuvendit

Veip R. Demi, Kryetar

Marrë nga gazeta “LIRIA”, nr. 155, datë 3 nëntor 1944, vol. IV, botuar në Boston Mass.

  1. Reagimi i Komitetit Antifashist të Çamërisë

Reagime të forta për mizoritë greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë pati dhe nga ana e Komitetit Antifashist të Çamërisë. Në një letër drejtuar më 30 tetor 1944: Qeverisë së Bashkimit Kombëtar, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Qeverive të Kombeve të Mëdha (Angli, SHBA, Rusi), Komitetit të EAM-it, Guvernatorit të Epirit, Komitetit Panepirot të EAM-it dhe Komitetit Qarkor të EAM-it, në Filat të Çamërisë, ata shprehnin protestën dhe kërkesat e tyre.

Teksti i letrës

Në emër të popullatës antifashiste të pakicave shqiptare të Çamërisë që u copëtua dhe u gri nga katilat e organizatës EDES dhe që sot ndodhet brenda në tokat shqiptare ku vuante nga uria dhe nga sëmundja,

Protestojmë

Për egërsimin e pashembullt të krimeve të hordhive të EDES-it që kanë bërë në kurriz të popullatës së pafajshme që ngeli në Çamëri, ku më se 300 gra dhe fëmijë u therën, gratë e veja dhe të rejat i çnderuan dhe të izoluara siç janë vazhdojnë të jenë viktima të çnderimeve të organizatës barbare të EDES-it, ku 2 500 – 3 000 shtëpi u dogjën dhe u shkatërruan dhe ku krejt ushqimet dhe çdo gjë tjetër u dogj dhe u shkatërrua.

Të gjitha krimet që përmendëm më sipër u bënë në kohën kur nazizmit i dilte shpirti, nga një organizatë që mban emrin Nacionalçlirimtare siç është organizata e EDES-it. Shqiptarët e Çamërisë nuk kanë asnjë përgjegjësi për krimet që janë bërë në kurriz të grekëve dhe të shqiptarëve të Çamërisë nga ana e klikës fashiste të Dinollarëve dhe të bejlerëve. Shqiptarët e Çamërisë nuk iu bindën EDES-it në planet e saj prandaj vuajnë. Pakica shqiptare e Çamërisë e quan veten e saj si sektor të pandarë të popullit grek me të cilin çdo gjë i bashkon dhe asgjë nuk i ndan. Gjaku që është derdhur ndër luftime të përbashkëta për çlirimin e Greqisë i shtrëngon edhe më tepër lidhjet e vllaznimit.

Marrja pjesë e më së 500 shqiptarëve të Çamërisë në ELAS na nderon sepse edhe neve marrim pjesë në luftën çlirimtare të popujve.

Gjithë popullata antifashiste e pakicave shqiptare proteston me të gjithë fuqitë e saj kundër krimeve dhe terrorit të EDES-it dhe të Dinollarëve (bejlerët e Çamërisë).

Dhe kërkojmë

1) Kthimin e shpejtë të popullatës në Çamëri dhe sigurimin e qëndresës dhe të jetesës së tyre.

2) Dërgimin sa më parë të një përfaqësuesi qeveritar në Çamëri që të fillojë menjëherë hetimet dhe të dënohen shkaktarët e krimeve.

3) Dërgimin sa më parë të ushqimeve, barnave etj. për të përballuar nevojat e popullatës.

4) Largimin sa më parë të ushtarëve të EDES-it nga qarku i Çamërisë për t’u siguruar nderi, jeta dhe pasuria.

5) Barazim absolut të drejtash në bazë të Kartës së Atlantikut dhe pjesëmarrjes sonë në luftën e popullit grek kundër tiranit të huaj.

6) Të lirohen sa më parë treqind gra dhe fëmijë që ndodhen të izoluar në fushat e përqendrimit të Filatit e të Paramithisë.

Çamëri e Lirë, 10 tetor 1944.

Komiteti Antifashist i Çamërisë

Musa Demi, Gani Demi, Mamo Habibi, Izet Bejazi, Shaban Demi, Galip Xhaferi, Isuf Izeti, Aqif Ademi, Shuaip Avduli, Hamit Iljazi, Esat Braho, Jakup Aliu, Omer Jakupu, Xhafo Bilali, Xhafer Karameto.

Ky dokument u vërtetua se është një me origjinalin nga Guvernatori i Epirit, Alqiviadhis Lolis, në Dhulana, më 30 tetor 1944.

  1. Raport i Komisionit të Minoritetit Çam

Në vijim po japim të plotë raportin e paraqitur nga Komisioni i Minoritetit Çam që ndodhej i emigruar në tokën shqiptare, i ndjekur nga Organizata e EDES-it, dërguar nga Berati, më 26 nëntor 1944. Sqarojmë se qëndrimi ndaj nacionalistëve çamë, përputhet me qëndrimin e Frontit Nacionalçlirimtar Shqiptar për krahun nacionalist në Shqipëri.

Raporti

Ne të minoritetit çam, gjatë gjithë regjimit të Metaksait, s’kemi patur të drejta qytetare si i tërë populli grek. Na është mohuar arsimi, s’na është dhënë asnjë e drejtë për të marrë pjesë në pushtet. Që nga qeveria deri te xhandari i thjeshtë nuk kishim të drejtë të merrnim pjesë. Taksat lokale ishin kaq të rënda, sa që, po të vazhdonte regjimi fashist i Metaksait, popullit çam të pasur e të vobektë do t’i grabitej gjithçka që ai dispononte e më në fund do të detyrohej të emigronte në tokat shqiptare ose gjetiu; kjo ka qenë edhe një nga taktikat e zhdukjes së popullit minoritar çam nga tokat e tij.

Në këtë epokë, në vitin 1940 shpërtheu lufta italo-greke. Në Shqipërinë e shkelur nga fashizmi u zhvillua një propagandë në mënyrë fushate gjoja se erdhi koha që Çamëria të çlirohet. Fashizmi okupator u mundua dhe gjeti veglat e tyre, si Nuri Dinon, Haziz Çamin, Skënder Çamin, me të cilët shpresonte se do të radhiste në gjirin e ushtrisë tërë popullin çam, dhe nga ana tjetër, me anën e disa tradhëtarëve shovinista shqiptarë si Rasim Babameton e të tjerë të huaj, edhe popullin shqiptar në luftë kundër grekëve.

Të gjitha tentativat e fashizmit e të tradhëtarëve të sipërpërmendur, nga ana tjetër dhe me gjthë mundimet që rëndoheshin nga regjimi i Metaksait mbi këtë popull, ne kemi mbajtur qëndrimin neutral e në qetësi. Kjo qetësi vazhdoi deri sa ushtria fashiste e Musolinit ishte në ofensivë. Kur kjo u tërhoq e arriti në Tepelenë, qeveria e Metaksait nën pretekste të kalbëta filloi të masakrojë, të burgosë, të çnderojë e të bëjë gjithçka mbi popullin minoritar; të gjithë meshkujt që nga 16 deri në 70 vjeç u burgosën e u dërguan në ishujt e largët të Greqisë, të cilët u kthyen në familjet e tyre kur hynë ushtritë fashiste. Kjo bëri që të komentohej nga këta se po të mos kishin ardhur gjermanët e italianët ne do të vdisnim në burgje.

Gjatë okupacionit fashist u lëshuan mjaft parulla shoviniste, por prej tradhëtarëve të parë. Këta e armatosën një pjesë të popullit çam për të formuar batalionet e milicisë për kundër elementit grek, sikundër ngjau dhe në Shqipëri në kohën e Mustafa Krujës. Populli u armatos por nuk u radhit në këto batalione dhe në asnjë mënyrë tjetër nuk i ka përdorur kundër popullit grek, përkundrazi kanë rezistuar mjaft në mënyrë demonstrative. Qëllimi që këta morën armët ka qenë: Meqënëse nuk kanë patur asnjë kobure dhe ta kishin për çdo kërcënim që mund t’u vinte nga populli grek (dyshonin, se kishin vuajtur).

Në mars 1943, elementa me sqarime të mira politike të dërguar nga Organizata e Frontit Nacionalçlirimtar Shqiptar bashkë me të EAM-it grek, këta me punën e tyre që kishin bërë disa kohë më parë, formuan çetën e parë mikse dhe mund të themi e dyta në Mine e gjithë Epirin. Këtë lëvizje e priti mirë populli minoritar. Mirëpo organet e okupatorit bënë të mundur të paraqitet në Çamëri Nuri Dino, si udhëheqës përkundër lëvizjes popullore. Nuriu përnjëherësh u mundua dhe formoi një klikë.

Kur kapitulloi fashizmi italian dhe erdhën nazistat, Nuriu me klikën e tij iu përveshën punës dhe më gjerë. Gjermanët me anë të terrorit bashkë me reaksionarët mundohen të organizojnë minoritetin në luftë kundër EAM-it dhe Frontit Nacionalçlirimtar Shqiptar. Populli çam, i pangritur politikisht, gëlltiti parullën e pushtuesit gjerman. Në këtë kohë hyn Balli në Çamëri me në krye Nuri Dinon. Forcohen parullat kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare, derdhen para në masën e popullit. Të gjitha këto, nga ana tjetër lëvizja e gjerë e EDES-it, puna e paktë e EAM-it dhe mungesa e elementëve me influencë (bajraktarë-çamër) në Frontin Nacionalçlirimtarë dhanë si rezultat që një pjesë e konsiderueshme të hidhet inkoshient nga ana e Ballit Kombëtar. Po në këtë kohë paraqitet Haki Rushiti dhe formohet batalioni i parë ballist, i cili u sabotua prej vetë ushtarëve dhe u shpartallua në Delvinë. Nuri e Rexhep Dino bashkë me Haki Rushitin vinë prapë në Çamëri dhe me anën e forcës gjermane bëjnë mobilizimin për të krijuar ushtrinë e Ballit. Për këtë një pjesë e mirë e popullit bënë një rezistencë të fortë sa që Nuri, Masar e Rexhep [Dino] detyrohen të burgosin disa nga parësia në Janinë, si Isuf Izetin, myftinë e Paramithisë, Sako Branon, Qazim Rexhepin, Galip Xhaferin etj. Ky terror bëri që të mobilizohet populli me forcë dhe të dërgohen në operacione bashkë me gjermanët në disa krahina të qarkut të Gjirokastrës. Për ta shtyrë të gjithë popullin çam në qerren e Ballit Kombëtar, Nuri Dino, i këshilluar nga Qendrori i Ballit, bën takim me Zervën në Llakat të Sulit për operacione të përbashkëta kundër ELAS-it e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Por këtë operacion nuk mundi ta realizonte se populli e njihte mjaft mirë se kush ishte EDES-i si organizatë.

Zerva në marrëveshje me gjermanët hyn në Paramithi me forcat e tij, vret e torturon gjithë popullatën minoritare (shqiptare) të asaj krahine. Populli minoritar i tronditur nga veprat kriminale të EDES-it vendos ta luftojë me çdo mënyrë. Ky rast oportun për gjermanët i bën ata që të ndërhyjnë e të vazhdohet lufta midis çamëve dhe EDES-it. Nuri Dino, i shtyrë nga gjermanët, ndërron taktikën dhe lëshon parullën: “Luftë kundër Zervas!”. Provokon një mbledhje të përgjithshme ku vendosin luftën kundër Zervas duke na premtuar ndihmën e gjermanëve.

EDES-i bën ç’është e mundur të vijë në marrëveshje me popullin çam dhe na dërgon delegacion ushtarak, dërgon oficerin Kamara dhe Kranja pranë forcave minoritare (shqiptare) për të biseduar. Këto biseda vazhdojnë në fshatin Mininë nga data 3 deri 6 korrik [1944]. Në bisedimet e zhvilluara delegatët e Zervas i paraqitën popullit çam këto kondita: çarmatimin e çamëve, të bëhen të gjithë ushtarë të EDES-it për të luftuar komunistët dhe çetën, të bëhen Këshilla të E.A. (Ethniqi Agona), një krahinar për çamët, të ndihmojnë ekonomikisht EDES-in dhe e fundit të mos hyjnë në krahinat e EDES-it pa lejen e divizionit. Populli minoritar (shqiptar) në asnjë mënyrë nuk pranoi marrëveshjen dhe kështu forcat zerviste filluan sulmin e përgjithshëm më 8 korrik.

Gjatë kësaj lufte, reaksionarët [krahu nacionalist, ballist] lëshojnë parulla të atilla që populli çam të mos mundej ta bëjë luftën e drejtë për mbrojtje e çlirim, por t’i shërbejë okupatorit. Tani populli minoritar (shqiptar) kuptoi se ku e shpuri Nuri Dino me shokë dhe ngjallet një urrejtje e madhe kundër tij dhe afrohet pranë organizatës së EAM-it.

Forcat minoritare (shqiptare) të paorganizuara mirë, me material të dobët u thyen dhe Zerva me ndihmën e gjermanëve zotëron gjithë krahinën minoritare.

Forcat kriminale të Zervas kur hynë në qytete e në fshatra bënë barbarizmat më të shëmtuara që njeh historia e njerëzimit. Kanë torturuar dhe pastaj vrarë më se 300 burra që dihen, më se 75 gra dhe shumë që nuk dihet fati i tyre. Kanë çnderuar shumë gra dhe të reja, në Paramithi e Filat krijuan një shtëpi publike me të reja çame, kanë therur burra e gra me thika duke u prerë grave sisat etj. Plaçkitën tërë pasuninë e luajtshme dhe u vunë zjarr të gjithë fshatrave. Pasurinë e patundur e ndanë në grekër, ato gra që i lanë të gjalla ua ndërruan fenë.

Populli minoritar çam për t’i shpëtuar kësaj kasaphane të EDES-it u emigrua në tokën shqiptare, ku pati përkrahjen ekonomike dhe morale të popullit shqiptar dhe të Frontit Nacionalçlirimtar. Mëse 10 000 frymë, të cilët merreshin me bujqësi e blegtori, janë vendosur në krahinën Konispol, Delvinë, Sarandë, vetëm një pjesë e vogël ka arritur në Fier, Lushnje e gjetkë.

Vuajnë tmerrësisht nga strehimi, megjithëse pushteti Nacionalçlirimtar [ka bërë] ç’është e mundur. Prunë me vete 100 000 kokë bagëti, por edhe këto po humbasin nga që s’kanë patur t’u sigurojnë ushqimin e duhur. Tjetër pasuri me vete nuk kanë mundur të sjellin. Populli i emigruar tmerrësisht vuan për bukë mbasi nuk është në gjendje ta blejë. Gjendja shëndetësore është shumë e keqe, mbasi u mungon ushqimi dhe strehimi. Më se 2 000 frymë kanë vdekur dhe kjo vdekje bëhet më e dendur me fillimin e stinës së dimrit. Populli politikisht qëndron mirë, ka formuar Këshillat Nacionalçlirimtare dhe një Këshill të Lartë Antifashist në gjirin e EAM-it. Formoi batalionin miks me 450 partizanë, që bën pjesë në regjimentin e ELAS-it. I ndritur politikisht populli ushqen që urrejtja e tmerrshme kundrejt bejlerëve dhe tradhëtarëve dhe klikës së tyre kërkon hakmarrje.

Në emër të popullit të emigruar çam, neve komisioni, kërkojmë nga Qeveria Demokratike e Shqipërisë ndihmën morale dhe materiale brenda mundësive dhe ndërhyrjen e shpejtë për zgjidhjen e riatdhesimin tonë sa më parë.

Nderime revolucionare,

Komisioni

Isuf Izeti d.v.

Sako Braho d.v.

Belul Idrizi d.v.

Sali Mehmeti d.v.

Hasan Hymi d.v.

Vehip Demi d.v.

  1. F. – L. P.

Berat, 26 nëntor 1944

  1. Statistika mbi vrasjet, grabitjet, dëmet e bëra nga grekët mbi popullatën shqiptare të Çamërisë

Në fondin arkivor të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të vitit 1944, gjendet një dokument me katër faqe, ku jepen statistika të mizorive greke ndaj shqiptarëve, sipas fshatrave dhe krahinave. Tabela përmbledhëse e të dhënave jepet më poshtë:

 

Emërtimi

Krahina e Gumenicës Krahina e Filatit Krahina e

Paramithisë

Krahina e Margëllëçit
Të vrarë Para Zervës 176 152 211 51
Nga Zerva 70 262 406 86
Banorë 1913 11 364 8 480 8 978 8 560
1944 7 416 5 020 3 610 5 290
Vdekur në emigracion 1 252 280 312 911
 

 

Dëme

Drithëra (okë) 2 613 700 2 406 000 1 644 400 1 668 000
Vaj (okë) 313 250 33 100 98 400 380 000
Djathë e gjalpë (okë)  

154 290

16 200 190 450 58 500
Bagëti Të trasha 5 547 880 1 461 867
Të holla 42 005 13 020 23 580 11 490
Malli i grabitur në Lira, Sterlina  

41 680

 

24 930

 

20 707

 

91 400

FUND

LEXO EDHE:

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve

Aspekte nga mizoritë greke ndaj shqiptarëve, 1912-1926

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitet 1923-1924

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitet 1924-1926

Mizoritë greke ndaj shqiptarëve: Si u bë spastrimi etnik i Çamërisë

Dëshmi autentike për gjenocidin ndaj popullsisë shqiptare në Greqi

 


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas