Arrestohet nga Policia autori i vrasjes së ish-bashkëshortes në fshatin Zhupan mbrëmjen e djeshme, shtetasi Elton Metaj.
“Pas 3 orësh ndjekje, nga strukturat e DVP Fier, Forca Operacionale, Forca e Posacme “Shqiponja”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim dhe me 2 grupe të FNSH Fier, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, bën me dije policia.
Mësohet se Elton Metaj kishte shkuar për t’u sqaruar me ish-gruan e tij Sabrina Benga, në banesën e prindërve të viktimës.
Ditët e fundit ai po i lutej vazhdimisht ish-bashkëshortes që të riktheheshin bashkë, por ajo nuk pranonte.
Mbrëmjen e të premtes ai kishte shkuar për të diskutuar në banesën e ish-vjehrrit. Por duket se debati verbal me ish-gruan ka degjeneruar në fyerje, dhe mandej në përdorimin e armës së zjarrit.
Elton Metaj njihej si një person problematik, dhe i skeduar nga policia.
Para një viti ai kishte kërcënuar familjen e ish-vjehrrit, vepër për të cilën kishte bërë edhe burg.
Njoftimi nga policia e Fierit për arrestimin e autorit të krimit:
Kapet në kohë rekord dhe arrestohet nga Policia autori i vrasjes së ish-bashkëshortes në fshatin Zhupan mbrëmjen e djeshme.
Pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë që kishte ky person pasi ishte i armatosur, u kap nga Policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan autori bashkë me armën e krimit.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhupan, në banesën e ish-vjehrrit, shtetasi Elton Metaj ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Sabrina Bengaj, menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe organizuan punën për kapjen e autorit i cili ishte larguar nga vendngjarja me një motomjet.
Pas 3 orësh ndjekje, nga strukturat e DVP Fier, Forca Operacionale, Forca e Posacme “Shqiponja”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim dhe me 2 grupe të FNSH Fier, falë veprimeve të shpejta, të mirëorganizuara dhe profesionale, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” shtetasin Elton Metaj, 31 vjeç, banues në Peshtan( i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.