Vijon të jetë ende në arrati autori i vrasjes së 34-vjeçares, Jetmira Hasani, mbrëmë në Bathore.
31-vjeçari Agron Tanushi, kunat me viktimën, e qëlloi Jetmirën me armë zjarri pushkë, duke i marrë jetën në oborrin e shtëpisë. Ata jetonin në një banesë dy katëshe dhe kishin konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin.
Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar 1 armë zjarri pushkë, me bajonetë dhe 4 gëzhoja.
Ndër të tjera mësohet se viktima si dhe autori kanë qenë të pajisur me urdhër-mbrojtje, pasi prej kohësh ata ishin përfshirë në konflikte pronësie për banesën pas divorcit të vëllait të tij. Edhe pse e divorcuar nga bashkëshorti, Jetmira Hasani vazhdonte të jetonte në të njëjtën shtëpi. Ish-bashkëshorti i saj mësohet se ndodhej në Greqi.
Mbrëmjen e djeshme sherri mes Jetmira Hasanit dhe Agron Tanushit eskaloi për një qese mbeturinash që kishte rënë nga kati i dytë ku banonte gruaja, në oborrin përpara hyrjes së banesës së kunatit.
Policia ka marrë në mbrojtje familjen e autorit të krimit, nga frika e një hakmarrje të mundshme nga familjarët e gruas.