Efektivi i policisë që qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha, do të përballet nesër me trupën gjykuese dhe masën e sigurisë. Ndonëse mëngjesin e sotëm u njoftua se Nevaldo Hajdëraj do të gjykohej sot, në orën 13:30.
Seanca ku gjyqtarët do të vlerësojnë provat e Prokurorisë për gjykimin e 31-vjeçarit, do të mbahet nesër, por ende nuk është një orë.
Sipas SHÇBA-së, Nevaldo Hajdaraj veproi në shkelje të ligjit në përdorimin e armës së zjarrit kundrejt të riut. Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave i mëshon gjithashtu shkeljes së nenit 9 të Kodit së Procedurës Penale, ku përcaktohet qartë se kur përdoret arma nga efektivët e policisë.
Fillimisht personit i bëhet thirrje për të ndaluar. Më pas, paralajmërohet se do të qëllohet. Në rast se efektivit i rrezikohet jeta, ai ka të drejtë të qëllojë me armë zjarri, por vetëm në pjesën e poshtme të trupit.
Klodian Rasha u qëllua dy herë nga efektivi Nevaldo Hajdëraj pak pas mesnatës së të martës, duke mbetur i vdekur në vend.
Vrasja e tij shkaktoi protesta masive në vend, mes të cilave vëmendje më të madhe përftoi ajo e Tiranës, ku u plagosën 9 policë, një gazetar dhe reperi Stresi.