Gjykata e Apelit të Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Marjus Demës, për ndryshimin e masës së sigurisë. Kështu Marjus Dema do të vazhdojë të hetohet duke qëndruar në burg. I riu Dema u arrestua, pasi në zonë e 5 Majit në Tiranë vrau rreth një muaj më parë shokun e tij, Mehmet Qema.
Ai pretendon se e ka qëlluar padashje shokun e tij, pasi nuk e dinte se arma e zjarrit pistoletë, kishte fishekë, ndërsa ishin duke luajtur.
Mehmet Qema, 27 vjeç, i cili njihej edhe me nofkën “Tallman” ose “Hasjanali”, nuk mundi t’i mbijetojë plagëve, pasi plumbi i kishte prekur organet jetësore duke humbur jetën. Autori u dorëzua një ditë më vonë në polici bashkë me shokun e tij Frenkli Myftari, 27-vjeç.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan 5 persona, një u procedua në gjendje të lirë, ndërsa dy të tjerë u lanë të lirë pasi nuk rezultuan të përfshirë në krim.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore në lidhjen me ngjarje e ndodhur në rrugën “5 Maji” bënë arrestimin në flagrancë të:
Marius Dema, 28 vjeç, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
Erlind Peka, 25 vjeç, Blerim Hoti, 28 vjeç, Frenkli Myftari, 29 vjeç dhe Xhuljano Koçi, 19 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
U procedua në gjendje të lirë shtetasi M. H., 23 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.