Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka liruar nga burgu Gerd Gjinararin (Gerti Gjenerali), një emër i njohur për drejtësinë, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit. Më 6 gusht të vitit 1997, së bashku me mikun e tij Arben Grori, të veshur si mjekë, vranë në spitalin e Milanos Zyberin, i cili po trajtohej nga plagët e marra në një atentat po të kryer prej tyre.
Gjinarari e kishte fshehur armën e krimit, një pistoletë, ne një tufë me lule. Për këtë vrasje, Gjinerari e Grori u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata e Milanos, në vitin 1999.
Por në vitin 2014, Gjinarari u ekstradua në Shqipëri dhe disa muaj më parë ai kërkoi rihetim të dosjes në gjendjen ku ajo ishte, duke pranuar të gjitha akuzat. Në këtë mënyrë, ai përfitoi ulje të dënimit nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg.
Pas ekstradimit, në vitin 2014, babai i Gjinerarit dha një intervistë për gazetën Shekulli.
Stefan Gjinarari (Gjenerali) ish-kampioni i Mundjes në Shqipëri me disa medalje ari, tha se djali i tij nuk e ka pranuar asnjëherë vrasjen.
“Gerti është pika ime e dobët. Është larguar nga shtëpia që adoleshent për një jetë më të mirë drejt Italisë me eksodin e dytë. Atje u stabilizua me punë të rregullt. Por mosha e re, shoqëria bënë që ai të kthehet në fatkeq. Çdo prind nuk pranon që fëmija i tij është i keq. Madje sado që të dëgjojë se ka bërë keq, menjëherë prindi ua hedh fajin personave me të cilët shoqërohet i biri. A ka pasur konflikte djali juaj me Naim Zyberin, kishin njohje të mëparshme? Djali im nuk njihej fare me Naim Zyberin në Shqipëri. Thashë që Gerti u largua drejt Italisë sapo u ndryshua sistemi. Ai ka qenë shumë i rregullt dhe nuk ngatërrohej me askënd. Në Itali punoi për disa vite dhe mundi të siguronte të ardhura. Nga ato që kam dëgjuar di që, në vitin 1997 në kohën e trazirave Naim Zyberi mundi të largohej nga burgu dhe shkoi në Itali. Atje dëgjoi se djali im kishte para dhe e mori peng për t’i marrë paratë. Tentoi ta vriste djalin tim dhe i mori paratë, ishte fat që Gerti shpëtoi”, thotë ai.
Në vendimin e fundit të Gjykatës së Korçës, që e liroi me kusht, thuhet se ai është plotësisht i rehabilituar gjatë qëndrimit në burgun e Drenovës, ka pasur sjellje të mirë në burg dhe ka normalizuar marrëdhëniet me të afërmit e viktimës, Naim Zyberi.
Lirimi i tij vjen në një kohë kur një vendim i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda për t’i hequr dënimin me burg përjetë Dritan Dajtit, vrasësit të 4 efektivëve të policisë në vitin 2009, ka shkaktuar polemika të mëdha.
Vrau “të fortin” e Tiranës në 1997, lirohet i dënuari me burgim të përjetshëm