Ka vrarë gruan në sy të tre fëmijëve dhe më pas është plagosur pas përleshjes me armë me forcat e policisë që e ndoqën për 6 orë. Irfan Biba, që sipas banorëve të fshatit është i sëmurë mendor, ka ekzekutuar të shoqen në sy të tre fëmijëve të mitur dhe më pas ka qëlluar edhe kundër policisë, e cila e ka neutralizuar vetëm duke e plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Kollovoz të Kukësit, ndërsa mësohet se vrasja ka ardhur pas një sherri banal në familje.
Vrasja
Policia bën të ditur se ngjarja e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Kukës, në fshatin Kollovoz. Nga të dhënat e para mësohet se pas një grindjeje për motive banale Irfan Biba 45 vjeç, ka qëlluar me kallashnikov bashkëshorten e tij Arze Biba, 35 vjeç. Krimi është kryer në banesën e çiftit në momentin kur tre fëmijët e mitur ndodheshin aty. Policia tha se në trupin e pajetë të 35-vjeçares janë gjetur tre plumba të shtënë nga arma e të shoqit, ndërsa pohohet se ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë, pasi ka lënë të vdekur në shtëpi gruan, autori është arratisur drejt maleve në afërsi të fshatit ku jetonte. Policia e njoftuar nga fqinjët është vënë në ndjekje të tij, pasi siç pohohet, ai kishte qëlluar në arratisje e sipër edhe ndaj banorëve të fshatit, ndërsa dyshohej se mund të krijonte viktima të tjera.
Operacioni
Burime nga policia e Kukësit thanë se rreth 20 forca policie që u vunë në ndjekje të 45-vjeçarit janë përplasur me të pas 6 orë ndjekjeje. Në momentin që policia i ka kërkuar atij që të dorëzohej, Biba i është përgjigjur duke qëlluar me armë dhe rrezikuar jetën e punonjësve të policisë që e ndiqnin. Forcat e rendit i janë përgjigjur me zjarr sulmit nga i arratisuri dhe mendohet se pas disa minuta përleshjeje ai është plagosur rëndë dhe policia ka bërë transportimin e tij me urgjencë me anë të një helikopteri për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Hetimet
Çifti kishte disa vite i martuar dhe kishin 3 fëmijë të mitur. Prej kohesh Biba vuante nga probleme mendore dhe ishte shtruar 3 herë në spitalin psikiatrik të Tiranës për mjekime. Ndërkohë duket se familja ka pasur probleme ekonomike dhe sherret kanë qenë të vjetra. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me tre fëmijët e çiftit të mbetur jetimë pas ngjarjes.