Aktualitet

Vriten katër persona, Ardi Veliu mbledh gëzhojat, Rama merret me Lelin














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:59 - 28/06/21 |
mapo.al

Një ditë më parë vendi është tronditur nga një krim i rëndë në Velipojë, që solli 4 të vrarë dhe 2 të plagosur. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë vazhdon të mos mbajë përgjegjësi për situatën e përkeqësuar të sigurisë, ndërsa Kryeministri Rama nuk bën as dhe një deklaratë dhe sjell në skenë konfliktin e tij personal me Lelin e Vlorës, teksa opinioni publik pret reagim për viktimat që shtohen çdo ditë






Një sherr banal për kufirin ndarës të hapësirave për pushuesit ka përfunduar me katër të vrarë dhe dy të plagosur në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 të së dielës, dhe viktima kanë mbetur, Kujtim Ferracaku 59 vjeç, vëllezërit Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, ky i fundit ishte në ditën e tij të parë të punës si ndihmëskuzhinier në hotelin “Gocaj”.


Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, i ekzekutuar në Shkodër në vitin 2018. Në këtë ngjarje mendohet se janë përfshirë dhe persona të tjerë. Dy të plagosurit, Hasan Ferracaku dhe nipi i tij 17-vjeçar Elmilind Dyli janë të arrestuarit e parë për vrasjen e 4-fishtë në Velipojë. Po ashtu, Policia ka shpallur në kërkim edhe 3 djemtë e Hasan Ferracakut, Abedin, Shyqyri dhe Besmir Ferracakun. Këta të fundit dyshohet të jetë bashkautorë në vrasje. Drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur në mjediset e jashtme të hotel “Gocaj”, pas një konflikti të çastit, të lindur mes pronarëve të dy hoteleve për të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës së rërës për vendosjen e shezlongëve dhe çadrave.







Zëri i Amerikës shkruan se prej vitesh ndarja e bregdetit ka qenë burim konfliktesh, dhe institucionet kanë qenë të paafta për menaxhimin e tyre. “Ndarja e stacioneve të plazhit, në vijën bregdetare të Velipojës, prej vitesh është bërë burim konfliktesh mes pronarëve të hoteleve, pushuesve, por edhe grupeve kriminale, që synojnë të shfrytëzojnë në mënyrë të jashtëligjshme vijën bregdetare. Strukturat shtetërore dhe ato vendore kanë qenë të paafta deri tani të menaxhojnë vijën bregdetare të vendit, ku prej 30 vitesh, individë, biznesmenë dhe politikanë kanë zaptuar sipërfaqe toke duke ndërtuar vila dhe hotele luksoze dhe duke shfrytëzuar pronat publike në bregdet. Megjithëse ndaj disa prej tyre prokuroria ka ngritur çështje penale, ata kanë mundur t’i shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë duke lënë pas konflikte të shumta, që po vazhdojnë ndër vite, për problemet e pronësisë në bregdet”, thuhet në kronikën e përgatitur me këtë rast.




Por akoma më shumë situatën e agravoi një projektligj i qeverisë Rama, i iniciuar që në vitin 2019 dhe i miratuar vitin e kaluar, ku i hiqte pushtetit vendor të gjitha kompetencat për ndarjen e rërës mes bizneseve dhe ia kalonte Agjencisë së Bregdetit. Kjo duket se ka sjellë një amulli jo të vogël, pasi atë që duhet ta bënin institucionet vendore tashmë duhet ta bëjë një dorë e vetme. S’ka se si shpjegohet ndryshe, kur megjithëse jemi në fund të qershorit në plazhe kërcet arma, për ndarjen e kufijve.



“Ngjarja duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit dhe se humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit edhe në Zonën turistike të Velipojës”, shkruan Voltana Ademi, kryetarja në detyrë e Bashkisë Shkodër.

Por megjithëse ngjarja është e pazakontë, dhe ka shkaktuar jo pak panik mes turistëve në atë zonë, Edi Rama duket se ka qenë i shqetësuar për diçka tjetër. Në vend që të udhëtonte drejt Shkodrës, ai zbarkoi në Vlorë për të zgjidhur problemet që ai ka me kreun e Bashkisë atje Dritan Lelin, dhe për të kundërshtar zërat nëse Afrim Qendro do jetë apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë atje. Për ngjarjen e Velipojës nuk u prononcua, ndërkohë që lajmëroi një takim me ministrin e linjës, drejtuesit e lartë të policisë për një “ristrukturim të thellë” siç tha ai të këtij institucioni.

Ndërkohë që problemi është më i thellë, dhe nuk mund të zgjidhet thjesht me ristrukturime policie. Për shembull, përgjatë kohës që drejton policinë e shtetit Ardi Veliu, kanë ndodhur jo pak ngjarje. Ai vazhdon të mos mbajë asnjë përgjegjësi, dhe mjaftohet duke bërë ndonjë paradë në vendin e ngjarjes. Kjo ndodhi dhe në rastin e vrasjes së Klodian Rashës nga Policia kur u kërkua dorëheqja e tij, kështu dhe në rastin e ngjarjes së Elbasanit ku mohoi përpara mediave ekzistencën e materialeve zgjedhore në makinën e ndaluar nga strukturat e PD, çka u bë shkak për konfliktin ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, apo dhe plot ngjarje të tjera kriminale ku policia në rastin më të mirë ka qenë inekzistente dhe në rastin më të keq e përfshirë. Ngjarja e Velipojës mund të përsëritet kudo në rast se shteti sillet si pronar i vetëm i bregdetit. E njëjta sjellje, me deklarata për reforma dhe ristrukturime bëhet gjithmonë sa herë ndodh diçka e rëndë, por problemi nuk është ky.

Problemi është keqmenaxhimi që ka deformuar në thelb sistemin, përqendrimi i vëmendjes te cic-micet politike apo te përfitimet marramendëse të personave të caktuar.

Siç ishte dhe vizita e Ramës dje në Vlorë, ku preferoi të merrej me inatet e tij politike, apo siç ishte dhe ligji i vitit të kaluar i cili ka shtuar më shumë debatet dhe konfuzionet në bregdetin tonë.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas