Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u takua me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe me atë shqiptar, Edi Rama në Novi Sad në kuadër të nënshkrimit të asaj që njihet si Mini-Shengeni ballkanik.
Pas takimit trilateral, ata dolën në një konferencë për shtyp, ku Vuçiç deklaroi se qëllimi është që brenda vitit 2021, në mesin e tre vendeve të lëvizet vetëm me kartë identiteti.
“Njerëzit në vendet tona meritojnë një të ardhme më të mirë, standarde më të mira jetese dhe norma më të ulëta papunësie. Synimi ynë është që deri në fund të vitit 2021 të krijojmë kushtet duke shfrytëzuar maksimalisht ID për të kaluar kufirin me Shqipërinë, por pas takimeve të mëtejshme nuk do t’ju duhen pasaporta për ta bërë këtë. Kjo do të sjellë edhe paga më të larta nëse heqim këto barriera. Këto do të lehtësojnë transportin e mallrave dhe shërbimeve. Ndoshta nuk do të jetë aq e thjeshtë me kapitalin, por do ta rregullojmë edhe këtë”, shtoi ai.
Presidenti tha se ai shpreson që Bashkimi Europian të nisë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por shtoi nga pas një ‘ngushëllim’ nëse kjo nuk ndodh. “Shpresoj që BE të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe nëse kjo nuk ndodh, dua t’u them qytetarëve që nuk është faji i tyre pasi BE ka arsye të veta të brendshme”, tha Vuçiç.
Në fjalën e përbashkët me Vuçiç dhe Zaev në Beograd, Edi Rama u shpreh se në deklaratën e përbashkët për Mini Shengenin flitet gjatë gjithë kohës për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se dy vite më parë është rënë dakord për një plan veprimi në funksion të zonës rajonale ekonomike dhe tashnë ky plan po shkon përpara. Rama e mbylli fjalën e tij me shprehjen se “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Nuk duhet të presim nga të tjerët, tha ai.
“Ky takim nuk ka ardhur nga hiçi dhe dua ta bëj të qartë dhe nuk synon asnjë ekskluzivitet, por është një hap me synimin për një proces gjithpërfshirës. Në deklaratë do të lexoni se flitet gjatë gjithë kohës për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Ka një rrugë që na ka sjellë deri këtu. Kemi mundur të mësojmë se duhet të bëjmë më shumë, pa pritur më shumë nga të tjerët. Më shumë në funksion të njerëzve tanë, në funksion të lëvizjes së lirë. Dëshiroj të theksoj se pavarësisht e dimë botërisht që ka çështje të hapura në zemër të këtij rajoni, kjo nuk duhet të na pengojë që duke rënë dakord që të mos biem dakord për këto çështje.
Dua të theksoj se në vitin 2017 në takimin e radhës të procesit të Berlinit, është rënë dakord për një plan veprimi në funksion të zonës rajonale ekonomike dhe dy vjet prej asaj dakordësie, nuk është se ka ndodhur mjaftueshëm gjëra që janë përkthyer në më shumë rritje ekonomike, punësim, integrim dhe ndërveprim. Qëllimi i këtij formati është të shtyjmë përpara procese që në letër janë shkruar më shumë se një herë dhe të mos presim që të tjerët. I zoti e nxjerr gomarin nga balta”, tha Rama.
Kurse kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se marrëveshja e lëvizjes së lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor tregon ndryshimin e madh që ka pësuar rajoni. Ai tha se kjo nismë tregon se Ballkani nuk është më “fuçi baruti”.
“Kjo është një nismë që përcjell një mesazh: marrëdhëniet politike në Ballkan po përmirësohen. Nuk jemi më “fuçia e barutit” si në vitet 1800 jemi në shekullin XXI që i kushtohet përmirësimit të jetë ssë qytetarëve”, u shpreh Zaev.
Edhe pse në këtë takim mungonte Mali i Zi dhe sidomos Kosova, Zaev i bëri thirrje vendeve të tjera të rajonit që të bashkohen. “Më 10 nëntor do të kemi takimin tjetër dhe shpresojmë që të kemi diçka konkrete dhe të nënshkruajmë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve”, tha ai.
I pyetur për mungesën e vendeve të tjera, Zaev tha: “Arsyeja pse Kosova mungon është se duhet të krijojë Qeverinë, Bosnja po ashtu”.