Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ka biseduar nëpërmjet telefonatës me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama për takimin e ardhshëm në Ohër me të cilën vazhdohen bisedimet për vendosjen e të ashtuquajturës “Shengeni i vogël”.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s, Vuçiç në profilin e tij në Instagram “budućnostsrbijeav” ka publikuar fotografi ku gjendet në tavolinën e punës, pranë telefonit dhe dokumenteve të shumta si dhe fotografi me bashkëpunëtorët e tij: “bisedë e shkëlqyeshme për konferencë me Ramën dhe Zaevin para samitit të rëndësishëm në Ohër më 9 nëntor”.
Biseda telefonike me kryeministrin Zoran Zaev dhe Edi Rama pason menjëherë pas bisedimeve që ai sot i ka pasur në Beograd me përfaqësuesin special të sekretarit shtetëror të SHBA-së, Metju Palmer.
Në konferencën e përbashkët, Vuçiç ka deklaruar se Serbia “angazhohet për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor që shihet edhe përmes vazhdimit të takimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pastaj edhe të gjitha të tjerat (i ashtuquajtur “Shengen i vogël”) gjatë javës në Ohër” duke iu falënderuar mbështetjes së SHBA-së për këtë ide.
“Hapur mund të them se SHBA e mbështet këtë ide e cila bazohet në katër liritë e lëvizjes së mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit dhe ne presim mbështetje shtesë nga Palmer dhe nga SHBA në përgjithësi”, ka deklaruar Vuçiç. Palmer në konferencë ka deklaruar se temë boshti i takimit me presidentin serb, ka qenë situata politike në rajon dhe çështja e Kosovës, duke e ndërlidhur siç tha, “qëndrimin e SHBA-së se duan në Ballkanin perëndimor të ketë perspektivë europiane”./T.Ch./