Nga Mirela Karabina
Kryeministri dhe ministrja e Arsimit, pasi nuk patën asnjëherë një plan të qartë dhe të studiuar veprimi për ecurinë e shkollës dhe, me demek, pritën mendimin e “Komitetit të ekspertëve” për gjendjen e COVID-19, gjithashtu “të interesuar” për shëndetin emocional-psikologjik të nxënësve, vendosën që viti shkollor të vazhdojë online deri më 29 Maj, ndërsa maturantët të rikthehen në klasa për provime.
Pra, për disa nxënës “kujdesi” qenka i madh ndërsa për disa të tjerë jo, madje, duke i çuar drejt e në zemër të virusit, në grupime masive.
Kështu, Matura Shtetërore jo vetëm do të zhvillohet në kushte të jashtëzakonshme, por dhe në kushte të rrezikshmërisë së lartë.
Rikthimi i nxënësve në shkollë dhe zhvillimi i provimeve është zgjidhja më e keqe e mundshme në këtë moment sepse:
a-Siguria e nxënësve dhe mësuesve është në rrezik, pasi jemi në kushte pandemie globale ato duhet t’i nënshtrohen testit për Koronavirusin, pasi mund të jenë bartës të tij dhe ky test është i munguar; ndërkohë shkollat tona nuk ofrojnë kushtet higjieno-sanitare pasi kemi mbipopullim të tyre dhe mungesë ajri e uji, mungesë infrastrukture të domosdoshme.
b-Standardi është i shkelur dhe vlefshmëria e provimeve është në rrezik: program mësimor i reduktuar pasi mësimi online është vlerësuar jo efektiv për të qenë pjesë e provimeve; shkëputja prej 11 javësh e nxënësve nga mësimi ka krijuar boshllëk informacioni por dhe mungesë përsëritjeje të njohurive të mëparshme; ndërkohë, prej vitesh kemi një Maturë Shtetërore të degraduar, pasi administrimi korrekt i saj është bërë i pamundur.
Atëherë, si mund të zhvillohet kjo lloj Mature Shtetërore?
Cila është vlera?
Vlerësimi i nxënësit për lëndët Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj dhe Lëndë me zgjedhje bazuar në mesataren matematikore të arritjeve të tyre përgjatë 3 viteve të shkollimit nga klasa 10-12, do të kishte qenë zgjidhja më e mirë në këtë situatë duke eliminuar zhvillimin e provimeve.
Dhe kjo mënyrë zgjidhjeje jo vetëm që do të respektonte dhe vlerësonte përpjekjet e nxënësve por, njëkohësisht, do të bënte mbyllje dinjitoze të vitit shkollor, duke i dhënë vlerën që duhet atij.
Por nuk ndodhi!
Dhe tani, pas muajsh në shtëpi pa mësim dhe me programe gjysmake, nxënësit duhet t’i nënshtrohet provimeve të shtetit?!
Dhe, aq më tepër në kushte pandemie, në kushte të jashtëzakonshme.
Tërmeti i Nëntorit dhe virusi i Marsit jo vetëm gjetën të papërgatitur shkollën, por nxorën zbuluar mashtrimin e qeverisë për cilësinë në arsim, kompetencën e munguar digjitale, mungesën e trajnimeve dhe infrastrukturën.
Mësimi online, kthyer në stërmundim për nxënësit pasi bëjnë sikur mësojnë dhe nuk po mësojnë, në makth për prindërit sepse i duhet të bëjnë mësuesin kur dinë dhe nuk dinë, dhe një përpjekje titanike e mësuesit, të cilët përpiqen të shpëtojnë arritjet e nxënësve dhe që nuk po ia dalin dot, nuk po ka më efektivitet.
Përpjekja për të vazhduar dhe rropatur të gjithë aktorët është një përpjekje mjerane për të gënjyer dhe mashtruar sikur qeveria e ka situatën nën kontroll dhe gjithçka po shkon mirë.
Jo, asgjë nuk po shkon mirë dhe kontrolli i vetëm është mbyllja në shtëpi e nxënësve, prindërve dhe mësuesve!
Atëherë, kujt i intereson kthimi i maturantëve në klasa?
Zgjatja e pajustifikuar e periudhës së fatkeqësisë natyrore deri më 23 Qershor nga njëra anë, dhe kthimi i nxënësve në klasa nga ana tjetër, shpreh qartë amoralitetin e kësaj qeverie, e cila nuk po kursen as nxënësit për interesa të pushtetit.
Kështu, maskaradën me shkollën po e çojnë deri në fund, duke e përdorur në mënyrë të paskrupullt politikisht.
Atëherë, jepini kryeministër dhe ministreshë, o burrani, bëjini provimet paçavure dhe tregoni dhe një herë që jo vetëm për standarde nuk jeni, por nuk doni t’ia dini as për shëndetin dhe sigurinë e jetës së fëmijëve!
Dhe kjo është shumë!
Vula që ju sot vendosët me provime në kohë pandemie, me rikthim të nxënësve në shkollë në kushte të rrezikshme, është vula e shkatërrimit përfundimtar të reformave tuaja në arsim.
Kjo vulë e zezë që mbyll kapitullin e modelit të dështuar në arsim, është vula juaj e turpit!.