Wanda Nara ka zbuluar pasditen e sotme në emisionin “Verissimo” të ardhmen e bashkëshortit të saj dhe njëherësh klientit, Mauro Ikardit. Argjentinasja ka zbuluar edhe marrëdhënien e dikurshme të Ikardit me të motrën e tij, e cila është bërë pjesë e “Grande Fratello”, si dhe ka komentuar me lot në sy edhe deklaratat e kësaj të fundit karshi të shoqit.
Pyetjes rreth së ardhmes së Ikardit, Wanda iu përgjigj: “Mauro është më i qetë tani dhe i përqafon të gjithë, sepse ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë. Do të jemi këtu (Inter) dhe vitin e ardhshëm” Ndërsa rreth çështjes “Ivana”, argjentinasja u shpreh se motra e futbollistit nuk është treguar e sinqertë në gjërat që ka treguar gjatë emisionit televiziv.
“Nuk jam një shtrigë. Ne e kemi ndihmuar gjithmonë familjen. Ivana ka ardhur para disa muajsh në shtëpinë tonë dhe ne i hapëm dyert asaj me të dashurin e saj, i cili është futbollist. Ajo nuk është e sinqertë. Kur ajo ishte në universitet, Mauro i ka blerë asaj një makinë për ta ndihmuar dhe ajo sot flet keq për të. E di shumë mirë ajo se si duhet të fitojë çmimin e “Grande Fratellos”. Nuk mund të ndërtosh një karrierë duke sharë vëllain. Kur yt vëlla ndihet keq duhet që ta ndihmosh dhe jo ta shkelësh me këmbë. Jeta nuk mbaron në një emision televiziv. Nëse donte të takonte Mauron, të shkonte poshtë shtëpisë jo te “Grande Fratello”- tha Wanda Nara.