Qendra “Women in Technology Albania” me mbështetjen e Raiffeisen Bank dhe Raiffeisen INVEST, lançuan me sukses iniciativën inovative “Edukimi Financiar në Epokën Digjitale”, në ambjentet e Bibliotekës nr.10, Njësia Administrative Nr.4, Bashkia Tiranë.
Qëllimi i iniciativës është edukimi dhe orientimi i të rinjve drejt shërbimeve digjitale financiare, rritja e besimit ndaj shërbimeve digjitale, si dhe rritja e njohurive për çështjet e sigurisë së informacionit të këtyre shërbimeve.
Pjesëmarrës nga pushteti lokal, mësues dhe nxënës të gjimnazit “Eqrem Çabej” morën pjesë në ditën e parë të trajnimeve, ku u diskutua rreth ndryshimit të mentalitetit për shmangien e cash-it dhe përqafimi i zgjidhjeve inovative si kartat contactless dhe aplikacionet mobile për realizimin e transaksioneve bankare.
Administratorja e Njësisë Nr.4 znj. Liri Qoshi, përfaqësuese e pushtetit lokal, gjatë fjalës së saj përshëndetëse, e përgëzoi inicitiativën e WIT Albania & Raiffeisen Bank, duke u shprehur se synimi i kësaj serie trajnimesh është aktual, sidomos në ditët e sotme që teknologjia po evolon dhe çdo shërbim që përdorim po shkon drejt digjitalizimit.
“Ne në Raiffeisen Bank do të vazhdojmë me pasion të mbështesim iniciativa të tilla, të cilat kontribuojnë në edukimin e të rinjve drejt përdorimit të sigurtë të aplikacioneve digjitale financiare, si pjesë e përgjegjësisë sociale të korporatës” u shpreh përfaqësuesja e Raiffeisen Bank, Znj. Klarida Rrogozi.
“Prezantimi dhe informacionet ishin tepër interesante dhe do mundohemi që të gjitha këshillat dhe sugjerimet e marra t’i praktikojmë dhe t’i transmetojmë tek miqtë dhe familjarët tanë” u shpreh një nxënëse pjesëmarrëse.
“Jam e lumtur që kontribuova në organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Ju përgëzoj për iniciativën dhe urojmë që të kemi sa më shumë fushata të tilla, jo vetëm për nxënësit, por edhe për prindërit e tyre, të cilët nuk janë të përditësuar me teknologjitë e fundit” u shpreh një nga mësueset pjesëmarrëse në aktivitet.
Ne ju ftojmë të na ndiqni në rrjetet tona sociale për të marrë lajme të përditësuara të nismës “Edukimi Financiar në Epokën Digjitale”.
Instagram: https://www.instagram.com/wit_albania/
Linkedin: https://www.linkedin.com/in/women-in-technology-albania/