Ousmane Dembele duhet të kalojë “një provim përfundimtar” te Barcelona, nëse duhet të provojë veten dhe të arsyetojë një shumë prej 105 milionë eurosh, – thotë Xavi.
Mesfushori ndërkombëtar i Francës u ble nga Borussia Dortmund në verën e vitit 2017 me fondet e gjeneruara nga rekordi i shitjes prej 222 milionë eurosh të Neymar, që iku te PSG.
Ai mbërriti me një reputacion të lulëzuar, teksa 20-vjeçari konsiderohej se kishte mjaft potencial, ende për të shpërthyer.
Sidoqoftë, fillimi me dëmtim në “Camp Nou” e ka penguar Dembele që të ketë ndikimin e dëshiruar, me Xavi që pranon se ende ka shumë pyetje për t’iu përgjigjur. Legjenda Blaugrana tha për “So Foot”:
“Ai do të ketë nevojë për pak kohë. Barcelona është një provim përfundimtar për një futbollist. Është sikur Dembele po kalon një diplomë “master” tani, sepse jo të gjithë mund të luajnë për këtë klub. Pse? Sepse ju duhet t’i dini gjërat tri herë më shumë se diku tjetër. Barça luan në vetëm 30 metra të fushës. Dembele ka shumë talent, është shumë i shpejtë, por këtu nuk do të ketë hapësirën që kishte në Dortmund, apo Rennes. Ai do të duhet të mësojë të mendojë më shpejt, në të mijëtat e një sekonde. Këtu do të shohim nëse e ka mentalitetin. Dembele duhet të thotë me vete: Unë jam një lojtar i Barcelonës. Ju duhet të jeni mendërisht të fortë, të keni bindje, për të luajtur me skuadrën katalanase. Ka lojtarë mesatarë, që kanë kaluar 15 vite te Barça, sepse kishin karakter. Janë disa lojtarë të shkëlqyeshëm, që nuk kanë bërë asgjë, sepse nuk mund të përballojnë presionin. Sa më shpejt që ata hynë në fushë, këmbët e tyre filluan të lëkunden, nuk e donin topin më. Dhe ju do të pyesni: O Zot, çfarë po ndodh me ta?!”
Xavi e konsideron forcën mendore të jetë cilësia më e rëndësishme për çdo lojtar në krye të lojës, me Dembele që vetëm duhet të shikojë ata që e rrethojnë në Barcelonë dhe të marrë “El Clasico” me Real Madridin si frymëzim.
Fituesi i Kupës së Botës shtoi: “Forca mendore është ajo që stabilizon performancën. Kjo është ajo që ju bën më të fortë. Kur ka zjarr, Marcelo, Modric, ose Sergio Ramos, nuk e fshehin. Përkundrazi, është ky momenti, që ato shfaqen. Çfarë bëri Lucas Vazquez kundër PSG? Ai hyri në fushë me dëshirën për të fituar. Një raketë. Të gjithë pyetën veten: Çfarë po bën ai? Mos vallë është i çmendur, apo çfarë? Jo, ai është vetëm mentalisht i fortë”./TeleSport