Ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka priti sot homologen e saj italiane, Elisabetta Trenta.
Gjatë takimit ministrja Xhaçka vlerësoi Italinë si një nga partnerët më të ngushtë dhe aleate historike e rrugëtimit të Shqipërisë për integrim në strukturat euro – atlantike.
Ministrja Xhaçka i konfirmoi homologes Trenta vullnetin e plotë të Shqipërisë për të vijuar me ritmin që kërkohet përfaqësimin në operacionet, misionet dhe iniciativat në kuadër të NATO-s.
Ministrja vuri në dukje se vetëm këtë vit, Shqipëria ka dyfishuar trupat ushtarake pjesëmarrëse në Resolute Support Mission në Afganistan.
“Sjell në vëmendjen tuaj, se vitin që vjen Shqipëria do të ketë kryesimin e disa iniciativave rajonale siç janë iniciativa SHBA-Karta e Adriatikut (A5) dhe Iniciativa e Ministerialit te Mbrojtjes së Evropës Juglindore. Do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për të dhënë kontributin maksimal në forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit në rajonin tonë. Ne mendojmë se bashkëpunimi në fushën e logjistikës dhe atë të industrisë së Mbrojtjes janë mundësi që duhet të shqyrtohen me interesin më të madh”, tha Xhaçka.