Aktualitet

Xhafaj: Të mbajmë larg ata brenda nesh që kanë interesa klienteliste






               Publikuar në : 15:04 - 08/05/19 |
mapo.al

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar se qeveria është dhe do të jetë e vendosur për implementimin e reformave të ndërmarra në sistemin e Drejtësisë. Nga foltorja e Kuvendit, Xhafaj u shpreh se zbatimi i një reforme të përmasave të tilla është një sfidë e madhe për vet njerëzit dhe institucionet e reja të sistemit, por edhe për këtë mazhorancë që ka shprehur vullnetin real dhe angazhimin publik për t’i shkuar deri në fund këtij procesi.


Ai nënvizoi se reforma një drejtësi është një rrugë që nuk ka më kthim pas, ndërsa paralajmëron se procesi i zbatimit ka dhe do të ketë edhe më shumë në ditët e muajt në vijim risqet e veta, përpjekje për deformim, për kontroll dhe përfitim gjithëllojësh mbi të. Ndër të tjera Xhafaj artikuloi se lidershipi i opozitës jashtë sistemit po kërkon të destabilizojë procesin e Vetting-ut.

“Lidershipi politik i opozitës jashtë sistemit vazhdon të tentojë ta deligjitimojë e dekurajojë procesin me shpresën e cenimit të kredibilitetit dhe deformimit të mundshëm të tij. Qytetarët shqiptar kanë gjithë të drejtën të na shohin si ideator dhe realizues të kësaj reforme historike, por aq edhe si garantë të paanshmërisë, objektivitetit dhe eficensës së saj”, deklaroi Xhafaj, ndërsa shtoi se koha do të provojë dhe do të vlerësojë vizionin dhe përgjegjshmërinë tonë edhe në zbatimin e këtij procesi nga e cila varet suksesi i reformës në drejtësi.

“Është koha e sprovës së madhe për cilindo që realisht ka besuar dhe beson te reforma në drejtësi. Një qeverisje të mirë për qytetarët nuk mund ta garantojnë pushtetet e përqendruara, por ato të balancuara dhe të kontrolluara, nuk mund ta garantojnë individët sado të zotë e qëllim mirë qofshin, por institucionet e forta mbështetur në respektimin e kushtetutës dhe ligjit”, nënvizoi Xhafaj.

Fjala e plotë:

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar kolegë deputetë,

Kanë kaluar afërsisht rreth 24 muaj nga dorëzimi i plotë i paketës ligjore të hartuar nga ekspertët pranë Komisionit të Posacëm të reformës në drejtësi. Natyrisht jemi pak të vonuar në kohë, duke marrë në konsideratë faktin që kanë qënë ligje me shumicë të thjeshtë. Shpresoj fort që gjithë kjo periudhë relativisht e gjatë të ketë shërbyer nga kolegët e mi të angazhuar me shumë seriozitet në këtë proces, për përmirësimin e drafteve të përgatitura, për ti bërë ato edhe më cilësore në versionin e tyre final.

Procesi i hartimit të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve të reformës do të mbetet padyshim një ndër proceset më të vecanta në historinë tonë politike, parlamentare dhe legjislative. E bën të tillë materia e procesit, ekspertiza e angazhuar, volumi i jashtëzakonshëm i krijuar dhe një sërë risish të sjella përmes tyre.

Statistikat kuptimplotë tw prezantuara sot kwtu nga Kolegu Manja i japin vlerën që meriton këtij procesi të jashtëzakonshëm pune dhe energjish, përballuar në këto vite nga Komisionet përkatëse dhe vecanërisht nga të gjithë ata ekspertë vendas e ndërkombëtar të angazhuar si kurrë më parë në një proces të këtyre përmasave.

Një proces unikal përsa i përket konceptimit të reformës, strukturimit dhe organizimit funksional të tij dhe sidomos hartimit, debatit, konsultimit dhe miratimit të projektligjeve pjesë e këtij projekti. Pa hezitim do ta konsideroja një revolucion në organizimin e sistemeve të drejtësisë si një pushtet i tretë i vërtetë dhe real, por edhe me mjaft risi në jurispidencën përkatëse të fushës.

Eksperienca shqiptare e procesit të reformës në drejtësi po konsiderohet si një model unik për tu ndjekur nga vende të cilat kanë situatë të njëjtë apo të ngjashme të drejtësisë me atë tonën.

Tashmë kemi hyrë në fazën e dytë kyce të reformës – zbatimin e saj sipas kuadrit kushtetues dhe ligjor. Zbatimi i një reforme të përmasave të tilla është një sfidë e madhe. Sfidë për vet njerëzit dhe institucionet e reja të sistemit.

Sfidë për këtë maxhorancë që ka shprehur vullnet real dhe angazhim publik për ti shkuar deri në fund këtij procesi dhe padyshim sfidë edhe për partnerët tanë ndërkombëtar që kanë shprehur dhe marrë përgjegjësi konkrete për implementimin e reformës në drejtësi, këtij modeli të hartuar bashkërisht.

Forca e një reforme, forca e ligjit qëndron në zbatimin e tij, në rezultatet e pritshme të konkretizuara në praktikë.

Koha deri më tani na ka dhënë të drejtë në cfarë kemi konceptuar e miratuar në paketën kushtetuese e ligjore. Vetingu në sistem është treguesi më domethënës. Edhe nëse ka dicka që nuk shkon apo që duhet përmirësuar në ditët në vijim lidhur me unifikimin e praktikës së krijuar mjaftueshëm tashmë apo me shpejtësinë e procesit, ne finale askush nuk mund të veri në diskutim legjitimitetin dhe dobinë e këtij procesi.

Përtej vështirësive të fillimit, përtej vështirësive që ka vet ky proces i ndërlikuar dhe unikal në llojin e vet, rezultatet e arritura, një pjesë e madhe e shembujve dhe fakteve të bëra publike pohojnë drejtësinë e këtij procesi, nevojën jetike që kishte sistemi për ta bërë këtë pastrim të rradhëve të tij nga individ të kriminalizuar, të korruptuar dhe të paaftë.

Një reformë kaq komplekse ka dhe do të ketë përher problemet e veta në zbatim. Është naivitet të mendosh ndryshe.

Kemi qënë të vetdijshëm edhe për këtë gjë ndaj dhe jemi treguar të kujdesshëm të mbyllim cdo shteg deformimi duke parashikuar edhe kundërshtarët opozitarë regresiv në këtë proces. Po natyrisht nuk ka ligj perfekt dhe për më tepër ligj që të parashikoj e parandaloj cdo detaj të mëndjeve të papërgjegjshme e djallëzore.

Natyrisht nuk është herezi nëse pranojmë që jo të gjitha gjërat kanë ecur ashtu sic duhet në këtë proces zbatimi. Kjo lidhur me shpejtësinë e procesit të vetingut, ngritjen në kohë të këshillave të gjyqsorit dhe prokurorisë, vonesat e krijuara lidhur me ngritjen e GjK, SPAK etj

Janë probleme që rrjedhin kryesisht nga kompleksiteti i vet reformës, prej vonesave të krijuara nga kundërshtarët e saj brenda e jashtë sistemit e vecanërisht nga lidershipi politik opozitar, nga pengesat ligjore e institucionale të krijuara artificialisht në hallka të ndryshme të zbatimit të procesit etj.

Natyrisht ka edhe problematika që lidhen me mungesën e shpejtësisë dhe qartësisë në vendimmarrje, me një koordinim jo shume efikas në procesin e ngritjes së institucioneve, cilësinë e funksionalitetit të Këshillave të reja dhe sidomos të KLP, nga mbështetja e vonuar infrastrukturore e logjistike për institucionet e reja, mosmiratimin ende të ndryshimeve të imponuara nga vendimmarrjet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese etj të tilla.

Padyshim kuvendi ka rolin e vet në këtë proces pasi ai ka detyrimin e koordinimit dhe kontrollit përkatës në kufitjë e parashikuar nga kuadri ligjor përkatës.

Komisioni i ngritur për këtë qëllim pranë kuvendit, si një mekanizëm për të lehtësuar këtë proces dhe për ta ruajtur atë nga ndikimet e jashtëme, në vlerësimin tim duhet konsideruar një zgjidhje e dështuar si përsa i përket autoritetit ashtu edhe aftësisë së tij për ta përmbushur këtë mision të vështirë.

Gjithsesi problematikat e konstatuara, të cilat kanë nevojë për një analizë të kujdeshshme për reflektim, nuk e zbehin vlerën e arritjeve të procesit. Ajo cfarë të gjithë tani kanë kuptuar është fakti se rruga që është nisur është pa kthim.

Natyrisht procesi i zbatimit ka dhe do të ketë edhe më shumë në ditët e muajt në vijim risqet e veta, përpjekje për deformim, për kontroll dhe përfitim gjithëllojësh mbi të. Do ishte naivitet dhe miopi të mendoje ndryshe.

Kjo nuk është një reformë-eksperiment i ndërtuar në epruveta laboratorike, por një reformë që ka për kundërshtare forca politike me lidership me armiqësi të shprehur edhe publikisht kundrejt saj.

Reforma zhvillohet në një mjedis politik e shoqëror ku për rreth 30 vjet drejtësia ishte një mall që shitej e blihej dhe ku sistemi i shërbente pushtetit të rradhës.

Kemi ndërtuar një projekt të ri, që po tenton të ngrihet në një mjedis politik e social me njerëz me mentalitet të vjetër.

Është fakt se tashmë janë dorëzuar kundërshtarët e reformës brenda sistemit. Por nga ana tjetër duhet të pranojmë se në mënyrë të hapur një pjesë e atyre që janë në pritje të vetingut, pa asnjë droje morale dhe ligjore e kanë kthyer dhënien e drejtësisë në një shërbim rryshfetesh skandaloze. Për këta syresh largimi nga sistemi duhet të shoqërohet me procedime penale e sanksione të tilla. Ndaj KPK duhet ti mirëpres denoncimet e qytetarvë ndaj këtyre të pafytyrëve që po e keqpërdorin sistemin edhe në grahmat e tyre të fundit.

Nuk kam pritur dhe nuk pres të dëgjoj vlerësime pozitive rreth këtij procesi nga kundërshtarët e tij, nga të gjithë ata balthedhës që reformën dhe posacërisht vetingun e kanë parë si mekanizmin për prishjen e mocalit ku e kishin futur sistemin dhe kontrollit politik e klientelist mbi të.

Lidershipi politik i opozitës jashtë sistemit vazhdon të tentojë ta deligjitimojë e dekurajojë procesin me shpresën e cënimit të kredibilitetit dhe deformimit të mundshëm të tij.

Për të mos folur këtu për sulmet e botës së krimit i cili me pjesën e errët të medias apo disa portaleve me mbështetje kriminale vazhdojnë të sulmojnë procesin e demontimit të drejtësisë së vjetër e rithemelimin e asaj të re.

Ne, maxhoranca aktuale që kemi meritën e inicimit dhe zhvillimit të kësaj reforme historike kemi edhe përgjegjësinë historike të mbështetjes dhe koordinimit të këtij procesi.

Ne të gjithë së bashku kemi përgjegjësinë të distancohemi prerë dhe të dëshmojmë fort se vullneti i shprehur në ideimin dhe miratimin e kësaj reforme qëndron i palëkundur.

Kjo kërkon jo thjesht e vetëm të mbështesim kërkesat realiste për zbatimin e reformës dhe koordinimin sa më mirë të këtij procesi, por edhe distancimin e qartë dhe publik ndaj cdo tentative sado e vogël qoftë ajo ndaj përpjekjeve për interferenca në vendimmarrjet e institucioneve të reja, në përzgjedhjen klienteliste të anëtarëve të tyre dhe kryesorja për ndikimin në to për kontroll e influencë.

Qytetarët shqiptar kanë gjithë të drejtën të na shohin si ideator dhe realizues të kësaj reforme historike, por aq edhe si garantë të paanshmërisë, objektivitetit dhe eficensës së saj.

Kjo është përgjegjsia jonë historike përballë qytetarëve të këtij vendi që na dhanë një mandat të dytë pikërisht e më sëpari për këtë gjë, por edhe përball partnerëve ndërkombëtar që janë duke na mbështetur fort edhe në këtë fazë delikate të procesit.

Koha do të provojë dhe vlerësoj vizionin dhe përgjegjshmërinë tonë edhe në zbatimin e këtij procesi nga e cila varet suksesi i reformës në drejtësi. Asnjë interes i yni politik apo personal, nuk duhet të ndikoj sadopak në përpjekjet për zbatimin drejtë të reformës në drejtësi.

Ne duhet të kujdesemi për të mbajtur larg këdo që edhe brënda nesh ka interesa klienteliste të momentit në këtë proces. Duhet të punojmë fort që njerëz me integritet personal dhe të zotë profesionalisht të jene pjesë e sistemit të ri të drejtësis.

Personalisht i vlerësoj përpjekjet e disa organizatave të shoqërisë civile dhe një pjese të medias për ta mbajtur në fokus procesin e zbatimit të reformës. Megjithëse nuk ndaj të njëjtin qëndrim me metodologjinë e ndjekur dhe disa nga konkluziuonet e bëra publike prej tyre, përsëri mendoj se është një gjë shumë pozitive që duhet vazhduar e thelluar më tej. Projekte të tilla me vlerë, të marra përsipër nga organizata me përvojë, paanshmëri publike dhe kredibilitet profesional duhen inkurajuar e mbështetur edhe më mirë edhe nga partnerët ndërkombëtar.

Është koha e sprovës së madhe për cilindo që realisht ka besuar dhe beson te reforma në drejtësi. Cdo mbështetje ndaj këtij procesi është shërbimi më i mirë në interes të qytetarëve, kontribut real në konsolidimin e shtetit të së drejtës. Vazhdoj të besoj fort se një sistem drejtësie i pavarur, funksional dhe eficent është garancia kyç për një qeverisje të mirë, në shërbim të qytetarit.

Një qeverisje të mirë për qytetarët nuk mund ta garantojnë pushtetet e përqëndruara, por ato të ballancuara dhe të kontrolluara, nuk mund ta garantojnë individët sado të zotë e qëllim mirë qofshin, por institucionet e forta mbështetur në respektimin e kushtetutës dhe ligjit.

Faleminderit!


Etiketa: , , ,

Pas