“Në punë mund të ketë diskutime, debate. Siç ka thënë dhe ai vetë, unë i bëj gjërat në mënyrën time. Nuk jam tip dhe shumë i lehtë”-tha pak javë më parë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, kur u pyet si i kishte raportet me kryeministrin.
Tashmë situata ka ndryshuar dhe Xhafaj nuk është më ministri i fortë që punon në mënyrë “të pavaruar” dhe larg të qenit i përulur para kryeministrit, si një pjesë tjetër e mirë e ministrave.
Mbrojtja publike që Rama i bëri Xhafajt në lidhje me çështjen e vëllait të dënuar në Itali dhe dyshuar për një aferë trafiku në një audio-përgjim, e kanë detyruar Xhafajn që të humbasë jo vetëm kredon politike, por të jetë mirënjohës edhe kryeministrit, që në një situatë të tillë edhe mund të kërkonte shkarkimin.
Sikurse tha Rama: “Xhafaj në lidhje me vëllain nuk mban përgjegjësi as morale dhe as ligjore”, ndërsa shtoi edhe se audio-përgjimi nuk ishte autentik dhe ishte një lojë e opozitës për të dëmtuar imazhin e qeverisë dhe të vendit.
Gjithashtu takimi kokë më kokë në kryeministri pak orë pasi Rama mbajti qëndrimin e tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, duke mbrojtur në çdo pikë ministrin e Brendshëm, e bëjnë këtë të fundit të jetë “borxhli” karshi kreut të qeverisë./Mapo.al/