I cilësuar si ‘xhelati’, oficeri i ri që drejtonte togën e policisë në kampin-burg të Qafë-Barit ka tërhequr vëmendjen publike sot, 28 vite pas rënies së komunizmit. Ai është Edmond Caja, i cili në vitin 1984 shtypi me dhunë revoltën e të burgosurve politikë. Revista Mapo sjell portretin e tij, bazuar në dëshmitë e ish-të burgosurve. Si i dhunonte në mënyrën më çnjerëzore, si i linte jashtë në dëborë gjithë ditën, si e torturoi për vdekje të burgosurin Sandër Sokoli e çfarë metodash terrori përdorte në kamp
Nga Blerina Gjoka, REVISTA MAPO
Sot Edmond Caja është një burrë rreth të ‘60-ve. Ai jeton në Gjermani që prej vitit 1992, ku ushtron dhe aktivitet biznesi. I mësuar të jetojë në hije dhe larg Shqipërisë ai ndoshta ka besuar se e ka lënë një herë e përgjithmonë pas të kaluarën e tij pa i larë kurrë hesapet me të. Por e kaluara nuk mund të fshihet. Emri i tij që prej vitit 1992 përmendet në çdo dëshmi të ish-të burgosurve politikë të një prej kampeve më famëkeq të regjimit komunist, atë të Qafë-Barit në malet e Pukës.
Edmond Caja i së kaluarës, konkretisht i viteve 1982-1985, kur ai ishte një djalë i ri rreth të ‘25-ve, është portreti i xhelatit për dhjetëra të burgosur të atij kampi, të cilët janë gjallë sot. Është portreti i shërbëtorit të devotshëm i regjimit më të egër që ka njohur Europa. Është portreti i policit që shtypi revoltën e të burgosurve, kur 35 vite më parë, më 22 maj të vitit 1984, ata u ngritën kundër dhunës dhe kushteve të rënda të punës në minierë.
Akuza më e fortë mbi të qëndron për vdekjen e Sandër Sokolit, (ish-pilot i diplomuar në Bashkimin Sovjetik dhe Kinë). Ai vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendshme të Pukës. Të burgosurit dëshmojnë se Caja bashkë me policët e tij i thyen shtyllën kurrizore Sokolit.
Ndërkohë organizatorët e tjerë të revoltës u dënuan me një gjyq të shpejtë. Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli me vdekje me pushkatim, e të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu. Dëshmitë e protagonistëve të kësaj revolte hedhin dritë mbi personazhin Caja dhe torturat çnjerëzore që ai dhe toga e tij kryenin në këtë kamp për vite me radhë. Ndër këta të burgosur ishte dhe shkrimtari Visar Zhiti që i ka kushtuar kohës së vuajtjes në këtë kamp librin “Ferri i Çarë”, ku Caja portretizohet si Djalli i këtij ferri.
Pas shtypjes së revoltës së Qafë-Barit Caja u ngrit në detyrë nga komandant toge në komandant i kampit dhe më pas u bë Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve deri në vitin 1992, detyrë e cila në mënyrë krejt paradoksale i dha atij të drejtën e firmës për vërtetimet e të burgosurve politikë të burgjeve të diktaturës.
“Djalli” do të rrinte i qetë në strofullën e tij nëse nuk do të ishte qytetarja Mira Dine, pasardhëse e familjes Dine të persekutuar në kohën e regjimit, e cila po ashtu jeton në Gjermani. Dine e denoncoi publikisht faktin që “një njeri që ka kryer krime ndaj njerëzimit dhe ka vrarë në tortura Sandër Sokolin, jeton si qytetar i ndershëm në një vend europian”. Caja e hodhi në gjyq Dinen për prishje imazhi, por gjykata gjermane e pushoi çështjen, ndërkohë që një avokat
gjerman ka udhëtuar deri në Shqipëri për të mbledhur dëshmitë që janë ngritur kundër Cajës për të parë mundësitë e ngritjes së një akuze të re ndaj tij në Gjermani. I ndjerë i rrezikuar ai nisi një ofensivë publike ndaj viktimave të tij. Me anë të disa letrave të hapura botuar në gazetën “Dita” me titull “Unë krimineli”, ku ai mundohet të mohojë Edmond Cajën e atyre viteve dhe të justifikohet pas “sistemit komunist” për punën e bërë prej tij. Ai shkon më tej dhe sulmon Visar Zhitin si “spiun i Sigurimit të Shtetit” dhe i bën vetes portretin e “xhelatit” të mirë, që kujdesej për të burgosurit politikë. Por në asnjë moment Caja nuk u jep përgjigje dëshmitarëve të gjallë të kampit që ai drejtoi, atyre të burgosurve që nën zë e thërrisnin “Kaubojsi i skëterrës”, kur ai hynte në kamp i veshur me rrobën e policit komunist, i rrethuar nga policët e togës së tij, i njeriut që i zhvishte çdo natë lakuriq kur ktheheshin nga puna e rëndë në minierë për të fjetur në kapanon, kur i gjuante me çizme në çdo pjesë të trupit para dhe pas daljes nga miniera, për t’iu dhënë “një mësim të mirë armiqve të popullit”, apo kur vendoste të linte trupat e masakruar të të vdekurve në minierë në mes të kampit, për të terrorizuar të tjerët…
Jo vetëm të burgosurit, por edhe një prej kastës së Cajës ka dëshmuar për krimet e tij. Bëhet fjalë për Urim Gjatën, ish-polic në Pukë në kohën e komunizmit, i cili ka shprehur gatishmërinë për të dëshmuar edhe në gjyq nëse do të ishte e mundur.
“Në mes të kampit, i lidhur, qëndronte Anastas Dhami nga Pogradeci. Edmond Caja së bashku me Ludovik Calin, me pinca i shkulin mustaqet. Thirrjet dhe dhimbjet e Anastasit mbuloheshin nga të qeshurat dhe jargët e kriminelëve me uniformë. Thoma Jergolatit i thyen këmbën. Ludovik Cali dhe krimineli Edmond Caja filluan të qëllojnë me çizmat e meshinit me thumba hekuri, mbi viktimat gjysmë të vdekur, të shtrirë në sheshin e kampit…”, thuhet në dëshminë publike të Urim Gjatës, ish-polic në Pukë.
Një tjetër kujtim që vjen në dëshmitë e të burgosurve është momenti kur Caja pak ditë pas revoltës së 22 majit shfaqet me entuziazëm në ambientet e mensës së këtij burgu. Kishte urdhëruar mbledhjen e të dënuarve në atë sallë, ku do të komunikonte një lajm shumë të rëndësishëm. Në heshtjen që kishte pllakosur mbi të burgosurit që qëndronin me kokë ulur e në pritje të shkopinjve e shkelmave mbi ta, nisi të dëgjohej zëri i frikshëm i tij që komunikoi vendimin e gjykatës për dënimin me vdekje për Sokol Sokolin e Tom Ndojën, të cilëve sipas gjykatës do t’u nxirreshin edhe sytë për arsye studimore. Ndërkohë një tjetër kryengritës i revoltës Sandër Sokoli i kishte vdekur në duar gjatë torturave Cajës dhe policëve të tjerë.
REVISTA MAPO SJELL DISA PREJ DËSHMIVE TË TË BURGOSURVE POLITIKË QË RANË PRE E DHUNËS SË EDMOND CAJËS:
Xhaferr Kalbaj: Na zhveshën lakuriq në mes të acarit e dëborës
Na çuan në kampin famëkeq të Qafë-Barit, një ditë dhjetori të acartë e me dëborë të vitit 1986, mua bashkë me Agron e Naim Lalën, vëllezër, nga Borshi i Sarandës dhe një djalë tjetër të gjatë nga Kuçi i Vlorës, i cili quhej Fred, por shokët e tij Naimi e Agroni e thërrisnin Feto. Sapo na zbritën nga makina autoburg, na plasën brenda rrethimeve të atij kampi të llahtarshëm. Ishte një i ftohtë, siç di të bëjë vetëm në malet e Tuçit të Pukës, i ftohtë i cili na hynte deri në palcë. Një skuadër policësh, të cilët mbanin uniforma kapterësh të ushtrisë, na u vërsul menjëherë në fyt, duke na rrahur me shkopinj druri dhe duke na rënë me këpucë ushtarake në kërcinj të këmbëve. Pasi na zhveshën lakuriq në mes të acarit e dëborës gjoja për kontroll, te ne erdhi një oficer i veshur me uniformë të policisë me qillota, çizme lëkure e me rrip kraheqafë. Ishte Komandanti i kampit, Edmond Caja nga Kuçi i Vlorës, por me banim në Tiranë. Pas shpinës së tij, rrinte gati për terror, shefi i policisë së kampit Ludovik Cali, një malësor prej Balldrenit të Lezhës. Filloi rrahja e pamëshirshme ndaj nesh. Më shumë rrahën Fredin, sepse komandanti Edmond Caja i thoshte se na fëlliqe Kuçin e Vlorës. Ishte koha pas Revoltës së Qafë-Barit. Nuk kishte kaluar veçse 2 vite e 6 muaj nga pushkatimi i trimave Sokol Zefi (Sokoli) e Tom Ndoja, si dhe mbytja nën tortura e ish-ushtarakut të specializuar jashtë shtetit, Sandër (Sadri) Sokoli./ Dëshmi nga Kujto.al
Lekë Frroku: Në Qafë-Bari kam përjetuar përvojat më rrënqethëse
Në Qafë-Bari kam përjetuar edhe përvojat më rrëqethëse. Na hipën në autobus, nuk e dinim se ku po na çonin. Arritëm në Qafë-Bari. Drejtor burgu kemi pasur Edmond Cajën, i cili më vonë, u bë nënkolonel në Ministrinë e Brendshme. Punonim si kafshë, por isha i ri atë kohë… Një minator duhej të bënte nj front me bira, me martel. Po të mos i bëje, të fusnin në birucë. Në birucë të mbanin një muaj. Batanijet t’i linin vetëm nga ora 10:00 e darkës deri në 5:00 të mëngjesit. Në ora 5:00 të vinin e t’i merrnin dhe do të duhej të rrije në dysheme. 70 cm e gjerë dhe 170 e gjatë. Në atë birucë, fusnin nganjëherë deri 9 vetë njëherazi. Stivë, mbi njëri-tjetrin si thasë çimentoje. Kishte vend vetëm për t’u mbështetur te njëri-tjetri, s’kishte vend për t’u shtrirë. Gjatë gjithë ditës, vetëm në çimento. Të linin vetëm 3 cigare në ditë: një në mëngjes, një në drekë dhe një në darkë. Duhanin tonë sigurisht, por komanda ta ndizte vetëm tri herë në ditë. Kam 24 vjet që kam dalë nga burgu, dhe e dini se çfarë ndodh me mua? Ditën jam i lirë, kurse natën vazhdoj të jem akoma në burg, sepse vuaj nga makthet e kohës së burgut./ Nga cikli “Zërat e Kujtesës”, ISKK
Agron Çipllaku: Na heqin zvarrë nëpër galeri dhe na rrahin pa mëshirë…
Frontet e punës nuk janë në gjendje pune. Nuk gjendet mineral për të realizuar normën e detyruar. Detyrohemi me forcë për të punuar në hapësirë në kundërshtim me rregulloren e sigurimit teknik, ku na rrezikohet jeta çdo sekondë. Prezenca e ujit në frontet e punës që e vështirëson realizimin e normës nuk merret parasysh. Edhe kur nuk ka mineral, policia thotë dua normën, gjeje ku të duash. Banjot për t’u larë kur mbarojmë punën funksionojnë me ujë të ftohtë për mungesë të lëndës djegëse. Kjo është minierë piriti, që trupi futet e lahet vetëm me ujë të ngrohtë, ndryshe nuk del pisllëku. Banjot janë jashtë dhe po të bësh dush me ujë të ftohtë merr plevitin. Ushqimi që na është garantuar nuk na jepet në rregull. Nga vidhet ose shpërndahet, unë nuk e di këtë. Si rrjedhim i të gjithë këtyre faktorëve, norma është e parealizueshme dhe ky është fakt se mbi 80% e të dënuarve nuk e realizojnë normën. Komanda e repartit duke u ndodhur përpara këtyre vështirësive dhe e paaftë për të zgjidhur gjërat me bindje dhe në rrugë partie, ka futur dhunën dhe terrorin në kamp, duke rrahur çdo ditë të dënuarit me kamxhik në mënyrë çnjerëzore. Shkel çdo ligj, çdo të drejtë njerëzore. Na lënë dy turne në galeri, na heqin zvarrë nëpër galeri dhe na rrahin pa mëshirë. Disa të dënuar kanë mbetur me të meta fizike nga kamxhiku-zorra e trashë- siç e quajnë policia. Unë vetë jam një nga ata të dënuar që jam rrahur në mënyrën më çnjerëzore nga policia me në krye shefin e policisë së repartit (Edmond Caja-shënim). Unë dhe shumë të dënuar, na mbajnë me dy turne në galeri pa bukë…/ Letra dërguar Enver Hoxhës, botuar nga Kastriot Dervishi
Hasan Bajo: Pse Edmond Cajën e thërrisnim “kaubojsi i skëterrës”
Nuk më kujtohet se cili qe i pari nga ne që të quajti: Kaubojsi i Qafë-Barit dhe aq më shumë, përse të vuri këtë nofkë, mbasi ti nuk kishe asgjë të përbashkët me kaubojsin e Teksasit. Ndoshta ishte thjesht ajo përshtypja e parë që të krijoje, duke qenë aq i ri (o zot me atë shpirt!) apo nga mënyra se si ti ecje nëpër kamp i shoqëruar nga 5-6 të tjerë, që t’i plotësonin dëshirat e tua makabre me aq zell, ndoshta ishte mënyra se si godisje mbi fytyrat tona me aq mospërfillje e gjakftohtësi, duke mos ta cenuar aspak gjendjen shpirtërore gjaku mbi dëborë, dhëmbët, duart, këmbët e brinjët e thyera, sytë e nxjerrë, ulërimat rrëqethëse dhe o Zot, lotët e të pafuqishmëve, e pleqve të mjerë, apo ka qenë thjesht ajo që thotë mbreti: “Shpeshherë urrejtja shprehet nëpërmjet humorit”. Jeni ju zoti drejtor, Edmond Caja, shpikësi i mundimeve të skëterrshme. A ju kujtohet me sa djallëzi detyruat të sëmurët e pleqtë të të luteshin për të punuar në galeri, megjithëse ishte absurde për forcat e gjendjen e tyre shëndetësore. E pra, “për hir të rregullit”, ju urdhëruat mbylljen e kapanoneve nga ora 5 e mëngjesit gjer në orën 9 të darkës, dhe ata të sëmurë pleq, të katandisur kockë e lëkurë, duke u ushqyer vetëm me 13 lekë (pa dyshim të vjetra) në ditë, duhej të vërtiteshin gjithë ditën nëpër dëborë, që shpesh trashësia e saj ua kalonte gjatësisë së trupave të tyre, duhej të vërtiteshin nëpër atë të ftohtë të llahtarshëm në mes të dëborës, erës, apo shiut që u hynte gjer në palcë dhe të qëndronin me ditë të tëra, të lagur, gjithnjë të uritur, e vetëm një besim e dashuri bënte të mundur të qëndronin ende mbi këmbët e tyre. Dhuna vazhdoi më me forcë , e një ditë maji revolta shpërtheu. A të kujtohet si ju vumë përpara ty dhe trimat e tu? A të kujtohet se sa kapele me yll mbetën në shesh, trofe e jona që kishim vetëm duart, urrejtjen e dëshpërimit. Dhe ju që, përtej telave me gjemba, derdhët plumbat mbi ne, e ne derdhëm mllefin. E mbi gjithë atë kaos ngrihej klithma e Sokol Zefit apo Sokolit të madh, si e thërrisnim, pasi ishte i gjatë dhe i fuqishëm. Atje në mes të oborrit, shqeu këmishën e klithi: “Bini qena. Ne dimë të vdesim!”/ Artikull i vitit 1991 me titull “Kaubojsi i Skëterrës”
Ali Sollaku: Torturat nga më çnjerëzoret që mund t’i bësh njeriut
Pasi kam marrë dënim me 8 vjet burg nga Gjykata e Elbasanit, më kanë marrë më kanë çuar në Qafë Bari. Burgu më çnjerëzor për të gjithë shqiptarët që rrinin në atë burg. Kushtet e burgut ishin shumë të këqija. Hynim 400 metra nën tokë, temperatura 30 gradë dhe bëje normën. Ishte norma 6 vagona. Po mos të bëje normën, të fusnin në birucë. Birucat ishin me ujë, kallkani i akullit në dimër, sa dora që kam unë. Torturat nga më çnjerëzoret që mund t’i bësh njeriut, kampi i Qafë-Barit i ka patur… Kontrollet ishin shumë të rrepta, hynim në galeri, bënim normën, kur dilnim na kontrollonin. Çizmet na i hiqnin, se kujtonin se mos kishim ndonjë gjë, ne do hynim në kamp se nuk kishim ku të shkonim. Pasi kam dalë nga burgu, pas 4 vjet e gjysmë, që kam bërë në Qafë-Bari, më tregonte gruaja që kishte ndenjur tre ditë e tre net jashtë kampit dhe kishte ndenjur gjithë natën te stolat, aty ku kishin një dhomë që bënin takimin. Ushqimet ia kishin hedhur, i kishin thënë nuk të takon ty që të vish të takosh këtë burrë që është këtu, se është armik i popullit. Vjen dhe njëherë tjetër gruaja. I kishin thënë: Ik se ai është në punë. Edhe gruaja ka ardhur në shtëpi pa më takuar./ Dëshmi e publikuar në kujto.al
Mirush Osmani: Trupin e të vdekurit në minierë e lanë në mes të kampit për terror
Agron Qipllaka, unë dhe Durim Qelibashi, ishim në listën e brigadës së të rinjve që do rriheshin para se të shkonin në punë dhe mbasi dilnin nga puna. D.m.th. e kishim racion: para se të shkonim te gardëroba që të ndërroheshim, duhej të shkonim të kaldaja ku na prisnin gjashtë policë me nga një hu në dorë. Mbasi shkonim në punë, dilnim nga puna dhe prapë në kaldajë hanim dru për herë të dytë. Këto ishin vendimet e Edmond Cajës; Ai na kishte me listë. Në brigadën time kështu ndodhi; në brigadat e tjera nuk e di se si shkoi, por brigada e rinisë e pësoi më shumë nga të gjitha. Pastaj ndodhi një aksident: ngaqë policët kërkonin me çdo kusht normën dhe fronti nuk kishte mineral, i burgosuri për t’i shpëtuar hurit e kërkonte mineralin aty ku i rrezikohej jeta. Në këtë mënyrë, u vranë dy vetë: Ilmi Çoçka nga Lushnja dhe Dilaver Hysi nga Vlora. Imagjino një skenë të llahtarshme: vjen vagoni nga miniera me Çoçkën të ndarë më dysh, kokën të ndarë nga trupi. Ilmiu ishte rreth 48-50 vjeç. Kokën e kishte komplet të këputur dhe i kishte ngelur varur dhe ata kriminelët e Qafës së Barit, për të terrorizuar të gjithë të tjerët, as nuk ishin përpjekur ta mbulonin me një batanije të paktën. Ia lanë qëllimisht jashtë, dhe koka tundej nga pjesa e jashtme e vagonit. Këto skena nuk kam për t’i harruar kurrë. Hapën një gropë, nuk e di se ku, dhe e groposën. As qeni nuk groposej ashtu!/ Nga cikli “Zërat e Kujtesës”, ISKK
Visar Zhiti: Sytë… e botës
Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”. Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar njëherë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve. Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare! Botë Edip, qorre, ulëri e masakruar në fundin tënd!/ Pjesë nga libri “Ferri i çarë” me autor Visar Zhitin