Sociale

Xhepa: Roli i universitetit në shoqërinë dhe ekonominë shqiptare






               Publikuar në : 18:23 - 10/08/19 |
mapo.al

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës ishte i ftuar në “Mbrëmje ABC News” në një intervistë me gazetaren Mirela Milori, ku bisedoi për çështjen e arsimit të lartë në Shqipëri, i cili ka nevojë të theksuar për të marrë vëmendjen e duhur për të qenë realisht në standardet më të larta dhe cilësore.


Xhepa, para disa ditësh ju publikuat një artikull tuajin në gazetën “Panorama” në lidhje me ikjen e studentëve për të studiuar jashtë vendit dhe a është dështim i qeverisë kjo që prindërit japin më shumë se gjysmën e buxhetit për të çuar fëmijët jashtë me studime për t’i larguar nga Shqipëria?

Ka disa fakte, të cilat flasin shumë. E para, shqiptarët, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, janë vendi që kursen më shumë për shkollimin e fëmijëve. Kur bëhet fjalë për motivet e kursimit, kursimi për shkollim është motivi kryesor dhe parësor. Së dyti, nga pikëpamja numerike për frymë, shqiptarët kanë numrin më të lartë, ndoshta në të gjithë botën, për numrin e studentëve që studiojnë jashtë vendit. Fenomeni i studimit jashtë vendit është një gjë më se normale, që nga kohët e hershme. Problemi është kur ky bëhet një fenomen masiv dhe në kontekstin tonë ky është bërë një fenomen masiv, që është njëlloj si emigrimi i shqiptarëve, që kur nuk shohin se po përmirësohet qeverisja e tyre, shkojnë diku tjetër. Ky është një fenomen problematik jo vetëm në këndvështrimin e të ardhurave, sepse 250 mln euro është shumë konservative, mund të jetë edhe shumë më shumë se kaq, por edhe nga pikëpamja e besimit që ne kemi në sistemin tonë arsimor, te diploma dhe në perspektivën më afatgjatë. Këta që ikin përpiqen të ndërtojnë jetën e tyre atje dhe për pasojë ne jo vetëm që i nxjerrim jashtë, por nxjerrim edhe studentët jashtë, në vend që të kemi një sistem që t’i ndihmojë këta të fundit.

Duke lënë mënjanë anën sociale që prindërit i dërgojnë andej, përse nuk thonë se kjo diplomë shqiptare vlen, por po të heq thjesht nga ana sociale, por thonë që me këtë diplomën e Shqipërisë “ku do të hash bukë jashtë shtetit, kështu që ik më mirë andej”, përse nuk e bëjmë këtë diplomë me vlerë?

Jo, unë nuk mendoj se është thjesht diploma me vlerë, por kemi një votë negative, një mohim nga një pjesë e madhe e publikut, që në rastin konkret janë komuniteti i studentëve, të cilët nuk i besojnë sistemit tonë arsimor, kërkojnë një edukim shumë më cilësor, sepse dhe pritshmëritë e tyre për jetën janë shumë më të mëdha dhe fatkeqësisht në gjithë këto tridhjetë vite demokraci në Shqipëri, pavarësisht nga një mori aksionesh që janë bërë për reforma, fakti është që publiku shqiptar nuk e beson ose e ka humbur besimin te sistemi i universiteteve në Shqipëri. Fatkeqësisht, lëvizja e studentëve …

Rama ndërroi ministren e Arsimit, uli studentët në bisedime, u bë një pakt me ministren e re. Kush është produkti?

Edhe produkti, edhe hartimi i Ligjit për Arsimin e Lartë pati një proces goxha të gjatë dhe e gjitha kjo prodhoi një ligj të arsimit të lartë. Fatkeqësisht Ligji i Arsimit të Lartë nuk u zbatua asnjë ditë dhe në pikat e veta më fondamentale.

Kështu thoni ju, por po të flisni për universitetin publik ai ligj u bë për universitetin privat…

Mua më vjen shumë keq që ne i ndajmë universitetet publike nga universitetet private. E para e mirë publike është edukimi, është arsimimi është diploma. Kush e bën arsimin? E bën UT, Zoja e Këshillit të mirë apo UET etj.? Këto janë çështje standarde që vetë universitetet duhet t’i rregullojnë dhe vetë kërkuesit, ata që e kërkojnë diplomën i japin drejtim dhe bëjnë zgjedhjen e tyre. Mua më vjen shumë keq që i ndajmë në parcela dhe ma merr mendja se nuk ka ndonjë vend që i ndan në këtë lloj mënyre. E dyta, ligji i arsimit të lartë (unë nuk bëj avokatin), por them se dështoi. Ligji i arsimit të lartë në thelb kërkonte: meqenëse qeveria ka shumë pak para publike që i adreson për arsimin dhe ishte menduar që ka një inflacion të madh në disa lloje drejtimesh, fjala vjen Kryeministri thoshte vete “jurist-kamerier”. Tani po “juristi-kamerier” vazhdon e mbahet me paratë e publikut, atëherë Kryeministri tha se meqenëse kemi pak para, atëherë ne do t’i çojmë këto para atje ku janë dhe kërkesat më të mëdha të tregut të punës, fjala vjen, për të zhvilluar degët teknike, për të zhvilluar inxhinieritë, pra ato që i shërbejnë realisht ekonomisë dhe degët e tjera që ka inflacion profesionesh, atëherë le të vendosë tregu se ku duhet të shkojnë. Dhe nuk u bë asnjë gjë nga këto.

Ju thoni se nuk u bë asnjë gjë nga këto, por po të flasësh me përfaqësuesit e universiteteve publike do të thonë se nuk ka bërë asnjë gjë për ne. Unë dua të di a ka një pikë takimi mes jush dhe publikut për të pasur një pakt dhe për t’i thënë Kryeministrit që duhet ta ndryshosh këtë ligj, sepse u bë një protestë dhe një presion, edhe pse u tha që ky ligj nuk ndryshon. A mundet që përsëri të jeni në një pakt?

Fatkeqësisht ligji ka rënë vetvetiu, sepse kërkesa e parë e ligjit është shpallja e prioriteteve. Qeveria duhet të nxjerrë listën e prioriteteve, që do të thotë se ku do t’i çojë qeveria kuotat që do të mbështeten më fort me paratë publike dhe qeveria as e ka bërë dhe as ka për ta bërë kurrë. Efektivisht, duke qenë kjo pika më fondamentale dhe më kritike e ligjit, unë mendoj se ligji vetvetiu ka rënë. Tani ka dalë me taktikën tjetër, që do të rrisë notën mesatare dhe duke rritur notën mesatare mendon se do të vendosë një barrierë kufizuese në futjen në sistem. Unë mendoj se dhe kjo është një qasje shumë e gabuar. Në qoftë se deri tani u mendua që të kishim një ligj për të gjithë sistemin universitar, pavarësisht se kush është ofruesi i shërbimit dhe kjo dështoi, atëherë alternativa tjetër është që të kemi sektorin e edukimit, një për sektorin publik dhe më vete për sektorin privat. Atëherë kemi dy qasje të ndryshme për ofruesit e këtij lloji shërbimi dhe këtu mund të jemi dakord, në çështje që lidhen me standardet e cilësisë etj.

Edhe një herë z. Xhepa, që të flasim më praktikisht, sepse shtatori mund të sjellë situata politike të ndryshme dhe duket që këto situatat e ligjit të arsimit, ligjit të ushqimit, të përditshmërisë sonë janë mënjanë dhe të gjithë e kemi mendjen çfarë do të bëjë Rama – Basha, Meta – SPAK-u etj., por pyetja ime është konkretisht, a mundet të bëni përsëri një tryezë të përbashkët, të bashkohet mendimi për këtë ligj dhe ne duam të rrëzohemi si privat, si publik ky ligj dhe të hartohet një format tjetër?

Absolutisht. Gjendja është akoma në krizë dhe nuk prodhon, sepse dhe pakti për universitetin mendoj se nuk ka arritur të prodhojë. Rezultatet kanë qenë thjesht disa premtime për të mbyllur një situatë. Pakti për universitetin fondamentalisht duhet të kërkojë një riformatim të ri të të gjithë sistemit universitar në Shqipëri dhe mendoj se është koha për të rihapur edhe një herë debatin për të sjellë alternativa të reja, për mënyrën se si duhet ta bëjmë këtë çështje. Unë e them edhe njëherë se nuk duhet t’i shikojmë çështjet në publike dhe private. N.q.s. ne futemi në këtë lloj debati, kemi humbur betejën, siç e kemi humbur dhe deri tani. Ne vazhdojmë të zihemi me njëri-tjetrin dhe qytetarët vazhdojnë të ikin. Pra njëlloj si zihen partitë politike me njëra-tjetrën dhe qytetarët ikin, e njëjta gjë është për arsimin. Duhet t’i japim fund kësaj lloj mendësie. Të vendosim standarde më të mira që kanë vendet e tjera. Ne kërkojmë universitete publike cilësore. Gjithë tregu i arsimit privat në Shqipëri ka rreth 18% të të gjithë tregut, kështu që edhe në qoftë se njërin mund ta rregullosh, nuk të sjell ndryshimin e madh cilësor që kërkon arsimi i lartë në Shqipëri. Ne kërkojmë që arsimi i lartë në Shqipëri të marrë vëmendjen e duhur për të qenë realisht në standardet më të larta dhe cilësore.

Për rritja e notës mesatare ka një peticion nga maturantët, sepse janë njoftuar për rritjen e notës mesatare në degët e Mësuesisë apo degë që përzgjidhen në bazë të talentit. Unë do të doja të ndalesha te përgjigjja e ministres së Arsimit, znj. Besa Shahini?

Mendoj se edhe këtu qasja është e gabuar, principalisht është e gabuar. E para, kriteret e pranimit i përcakton universiteti dhe ligji thotë se është universiteti, madje është departamenti ai që përcakton kriteret e pranimit. Ministria ose qeveria mund të diktojë programe të caktuara nëpërmjet instrumenteve të tjera, por jo duke vendosur kufizime dhe barriera në hyrje. Në sistemin e kaluar ne kishim mesatare, unë kam hyrë në universitet me mesatare. Po pse të gjithë ata që kanë dalë kanë qenë ekonomistë të shkëlqyer?! Të gjithë ata që kanë dalë kanë qenë gazetarë të shkëlqyer?!

Megjithatë unë nuk do të doja që fëmija im të kishte një mësues me mesatare 5.5.

Po pse një inxhinier me mesatare 5.5 është i dëshirueshëm?! Si do ta përmirësojmë sistemin? Do ta përmirësojmë sistemin duke i ndaluar njerëzit në hyrje apo duke i kontrolluar në dalje? E para parimisht, Shqipëria është ndoshta i vetmi që vendos kritere të kësaj natyre. Në dalje do të thotë që edhe pse ke marrë diplomën e inxhinierit nuk mund të zbatosh, nuk mund të zhvillosh profesionin tënd nëse nuk merr urdhrin. Dhe që të marrësh urdhrin duhet të kalosh një testim tjetër që të provosh realisht se diploma jote, niveli i dijeve u përgjigjen kërkesave të tregut. Këtë lloj testimi e bëjnë gjithandej.

Ka hapësira, mund të bëhen kritikë, mund të bëhen studiues të fushës etj.

Unë them se me këtë lloj mënyre ne lëvizim në të kundërt. Shqipëria sot ka nivelin e shkollimit të ulët krahasuar me vendet fqinje. Numri i studentëve me diplomë në raport me popullsinë është gati 2-3 herë më i ulët se vendet e zhvilluara. Ne në vend që të rrisim aksesin në edukim, e kufizojmë atë. E dyta, qeveria mund të vendosë kritere për paratë publike (pra për paratë publike, meqenëse unë nuk kam shumë, sepse paguhen me taksat e qytetarëve), atëherë u vendos kritere seleksionuese. Por si mund t’i ndalojë një personi që mund të ketë talent në vrap dhe ta penalizojë për matematikën fjala vjen. Ka disa degë që kjo nuk bën sens fare. Si mund të penalizosh një qytetar, të cilit i lind automatikisht e drejta të ketë një diplomë edhe më të lartë; ai ka paratë e tij që i investon dhe nuk regjistrohet në Shqipëri, por në një vend të huaj, sepse me mesatare 6.00 nuk regjistrohet dot në vendin e tij dhe në universitet privat. Për standardet e cilësisë jam dakord, sepse atje duhet të jemi të gjithë njëlloj, aty bëhet diferenca e cilësisë së edukimit. Ne nuk presim të marrim një “Anjshtajn”, ne do të marrim një student me pak dije dhe do ta çojmë në një student me më shumë dije. Në universitetet private ka një qasje edhe më të kujdesshme ndaj studentit. Te çdo individ mund të zbulohen talente apo prirje, por ato mund të zbulohen nga njerëz të përkushtuar, nga stafe të cilët punojnë realisht me to.

Aq më tepër kur ky njoftim nuk është bërë që në fillim të vitit për mesataren, megjithatë çështjen e ka në dorë Avokati i Popullit, sepse maturantët i kanë drejtuar një peticion Avokatit të Popullit, Kryeministrit dhe ministres së Arsimit. Ligji nuk mund të ketë fuqi prapavepruese… ka një element jo shumë të ndershëm për maturantët… Për UET, çfarë oferte akademike ka këtë vit?

Dekada e parë ka qenë dekada ku është konsoliduar universiteti në ato degët e veta tradicionale, në Fakultetin e Ekonomisë, Shkenca Juridike dhe Sociale, në ato degë që kanë përbërë boshtin më të rëndësishëm të punës në UET. Në dekadën e dytë, UET është angazhuar në një zgjerim të përmasave të veta, edhe për shkak të faktit që kërkesat e tregut janë jashtëzakonisht shumë më dinamike. Ne presim të kemi më shumë kërkesa për degët e Inxhinierisë, Mjekësisë Teknike dhe për pasojë universiteti po i përgjigjet këtij trendi që ka ekonomia sot. Sot jemi bërë me 5 fakultete dhe numri i programeve është zgjeruar shumë dhe aktualisht kemi gati 75 programe studimore. Të dhënat e deritanishme, jo vetëm thjesht me para kontrata që janë gati dy herë më të larta sesa vitin e kaluar, por tani maten edhe me klikime, numri i shikuesve që ka pasur web, është dyfishuar, kjo edhe për shkak të faktit që ne kemi shtuar programet mësimore, kemi shumë kërkesa edhe në fushën e Inxhinierisë Informatike, Arkitekturë, Ndërtim, Dizajn, Shkencat Sokratike, por dhe Shkencat e Mjekësisë Teknike.

Pa lënë mënjanë ekselentët apo studentët nga familje në nevojë…

Kjo është një politikë e përhershme e universitetit tonë. Përgjithësisht i gjuajmë dhe i marrim talentet. Jo vetëm kemi sistem bursash për ekselentët, por njëkohësisht kemi dhe mbështetje ekonomike për ata që janë nga familje në nevojë, që e kanë të pamundur edhe jetesën në Tiranë, përkundrejt një mbështetjeje prej 200 mijë lekësh të vjetra, përveçse kanë tarifa zero të studimit për ata që janë ekselentë, por që janë dhe në pamundësi ekonomike. Këtë ne e quajmë Bursa “Pashko” dhe është një mënyrë proaktive për të mbështetur nëpërmjet sektorit privat familjet në nevojë dhe arsimimin e tyre dhe për t’iu ndryshuar jetesa në një farë mënyre.

/Burimi: Gazeta Liberale


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas