Aktualitet

Xhepi 500 milionë euro i Rindërtimit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:16 - 22/05/21 |
Klodian Tomorri

Në 30 nëntor të vitit të kaluar, Bordi i Drejtorëve të FMN lëshoi një deklaratë disi të pazakontë për Shqipërinë, ku shprehte hapur shqetësimin për mënyrën se si qeveria shqiptare po shpenzonte paratë e Rindërtimit nga tërmeti.






“Disa rrugë të shkurtra në programin e menaxhimit buxhetor të ndjekura si domosdoshmëri gjatë emergjencës duhet të rregullohen sa më parë të jetë e mundur. Është e rëndësishme të kemi prokurim të përshtatshëm, mbikëqyrje të fortë, monitorim të përshtatshëm, raportim të rregullt si dhe audite të pavarura pas kryerjes së punimeve,” thuhej shprehimisht në deklaratë.


U bë fiks një vit e gjysmë që nga koha kur Shqipëria u përball me tërmetin shkatërrues të 26 nëntorit. Situata e emergjencës ka kaluar plotësisht. Por thirrja e FMN ra në vesh të shurdhër dhe institucionet publike vazhdojnë të prokurojnë miliona euro të Rindërtimit, përmes procedurave më garë të kufizuar.







Në MCN ne publikuam se vetëm në 10 ditët e para të majit, dy bashkitë më të mëdha të vendit, ajo e Tiranës dhe Bashkia e Durrësit, zhvilluan plot 9 tendera për rindërtimin dhe forcimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti. Të gjithë me procedurë të kufizuar dhe në total përmes këtyre kontratave u shpenzuan 2.1 miliardë lekë ose mbi 20 milionë dollarë para të qytetarëve.



Por çfarë janë tenderat e kufizuar? Në prokurimet e hapura, lejohet të garojnë me ofertë të gjitha kompanitë e interesuara. Por në rastin e procedurës së kufizuar institucioni shtetëror zhvillon fillimisht një fazë parakualifikuese duke përzgjedhur kompanitë që sipas tij janë më të përshtatshme. Vetëm kompanitë që përzgjedh autoriteti kontraktues mund të bëjnë ofertë dhe të garojnë me çmim në tender.



Kjo fuqi e autoriteteve shtetërore për të zgjedhur se cila kompani duhet të lejohet të garojë me ofertë dhe cila jo, në fakt kufizon konkurrencën. Kjo duket qartazi edhe te rezultatet e tenderave.

Dokumentet e publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik tregojnë se për 9 tenderat me vlerë 20 milionë dollarë që u zhvilluan nga Bashkia e Durrësit dhe ajo e Tiranës kompanitë garuese janë thuajse të njëjtat. Dhe për shkak të numrit të lartë të tenderave, thuajse të gjitha kanë fituar nga një kontratë në shumicën e rasteve në kokë me fondin limit duke ngritur dyshime për “bid rigging” ose edhe me keq për koluzion ofertash.

Procedurat e kufizuara praktikisht i japin fuqi autoriteteve kontraktore të përzgjedhin fituesin e tenderave e madje edhe të bëjnë pazare në kurriz të qytetarëve duke asgjësuar mekanizimin e kursimit nga eficenca e prokurimit. Kjo është shqetësuese sepse Rindërtimi është një biznes gjigant.

Vitin e kaluar, qeveria shqiptare shpenzoi 135 milionë euro në Programin e Rindërtimit. Këtë vit janë buxhetuar edhe 228 milionë euro të tjera. Në total, 363 milionë euro për dy vjet, ndërkohë që programi pritet të vazhdojë edhe në 2022-shin. Praktikisht e gjitha paketa e shpenzimeve për Rindërtimin mund të arrijë në 500 milionë euro, të cilat po shpenzohen duke anashkaluar rregullat klasikë të prokurimit. Kjo lë vend për abuzime me paranë publike.

Në thelb, Rindërtimi është një program i decentralizuar. Tenderat për ndërtimin e banesave të familjeve që u prekën nga tërmeti, zhvillohen nga bashkitë përkatëse dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ministria e Rindërtimit luan vetëm rolin e koordinatorit të programit. Por decentralizimi i tenderave nuk e zhvesh qeverinë nga përgjegjësia për të diktuar disiplinën financiare dhe për të tuteluar shpenzimet e buxhetit në interesin më të mirë të qytetarëve. Sigurisht, kjo nuk bëhet me tendera të kufizuar apo procedura që dredhojnë disiplinën financiare.

Në këtë pikë është e domosdoshme, që tenderat e rindërtimit të hapen sa më shpejt, ndërsa KLSH të zgjohet nga gjumi letargjik dhe të auditojë deri në qindarkën e fundit, të gjitha paratë e shpenzuara përmes programit të Rindërtimit. Përfshirë grantet e dërguara vetëm pak ditë para zgjedhjeve në kontot bankare të familjeve.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas